“Veprimet të motivuara nga fryma e konfliktit politik - përgjegjësit do të përballen me pasojat ligjore”
Bashkia Tiranë dënon dhunën e përdorur nga disa këshilltarë
Përmes një njoftimi të shpërndarë për mediat, Bashkia e Tiranës e cilëson të jashtëligjshme mbledhjen e zhvilluar dje nga këshilltarët e majtë, ndërsa paralajmëron kallëzim penal për këshilltarët që shqyen dyert e Bashkisë. “Bashkia Tiranë bën të ditur se nuk është zhvilluar asnjë mbledhje zyrtare e Këshillit Bashkiak. Bashkia Tiranë njoftoi që dje opinionin publik se nuk ka asnjë njoftim zyrtar dhe të ligjshëm mbi thirrjen e mbledhjes së Këshillit Bashkiak për ditën e sotme. Bashkia Tiranë dënon dhunën e përdorur nga disa këshilltarë, ndaj institucionit të Bashkisë dhe bën të ditur se do të bëjë kallëzim penal ndaj personave përgjegjës. Të gjithë veprimet dhe deklaratat e sotme (djeshme) të disa anëtarëve të Këshillit Bashkiak janë në kundërshtim flagrant me ligjin dhe janë të motivuara nga fryma e konfliktit politik. Bashkia Tiranë i bën thirrje të gjithë anëtarëve të Këshillit Bashkiak të Tiranës të distancohen nga veprime të paligjshme dhe të dhunshme ndaj institucionit të Bashkisë dhe siguron Këshillin Bashkiak dhe qytetarët e Tiranës se përgjegjësit e veprimeve të sotme antiligjore dhe të dhunshme do të përballen me pasojat ligjore”, thuhet në njoftimin e Bashkisë së Tiranës.