Rreth librit publicistik “Afër dhe larg”, të Gjovalin Gjeloshit
Mos e kthe kryet
Aty nga mesi i viteve ’80-të, pasi qe krijuar bindja se Gjovalin Gjeloshi shkëndijonte gazetari, të dy bashkë, Prof. Hamit Boriçi përpara e unë me të, shkuam në Institutin e Lartë Bujqësor të Kamzës, ku ai qe student në vitin e fundit. Ceni në biografinë e tij - gjë e zakonshme po të ishe prej një familjeje nga Kelmendi - deri sa u kapërcye, solli mjaft histori shtesë të vështirë. Por Gjovalini e përmbushi pritshmërinë, madje u veçua prej shumë gazetarëve të tjerë, sepse ai u shndërrua në publicist edhe me libra. I pari qe “Zgjedhjet në Bosnjë dhe Hercegovinë”, botuar më 2003. I dyti që pasoi ishte “Brezni të Kelmendit 1”, botuar më 2006. I treti në radhë erdhi “KIWI – Përshtatja me kushtet klimaterike të Ultësirës Perëndimore”, botuar më 2007. I katërti që vijoi u bë libri publicistik “Afër dhe larg”, botuar më 2010. I pesti, dhe më i fundit, por jo i fundit, është “Lavdia e vdekjes së bukur” (bashkautor), botuar më 2012.
Pikërisht, këto libra, përbëjnë tejkalim të pritshmërisë ndaj Gjovalinit në gazetari.
Presidenti amerikan Bill Klinton, pasi qe larguar nga Shtëpia e Bardhë, pati kryer një udhëtim në Indi, nga ku përcolli dy thënie, që mbeten për t’u mbajtur mend. Ai shkoi te varri i Nënë Terezës dhe, pasi u përkul me nderim, thua se i pëshpëriti shpirtit të saj këto fjalë: ” Nënë Tereza, e mbajta premtimin. Populli yt i Kosovës është i lirë”. Ai shkoi për të vizituar edhe Taxh Mahall-in, që nuk i kishte rënë rasti për ta parë. Pasi doli prej Tempullit, një vepër arti e përkryer, tha: “Kush nuk e ka parë Taxh Mahall-in, mos të thotë se ka udhëtuar”.
Ky mendim i vë disi në siklet shumë udhëtarë, gazetarë po se po, ose më saktë ata që dalin nëpër botë e nuk mbërrijnë dot te Taxh Mahal-i. Gjovalini, me librin “Afër dhe larg”, duke mos pasur brenda udhëtimeve të tij diçka nga Taxh Mahall-i i Indisë, mund të gjendet ngushtë me një përcaktim si ky. Por, në thelb, ajo thënie, s’ka të bëjë me thesaret e tjera të rruzullit, pasi synon të vëjë në pah madhështinë e një Tempulli si ai, që e ka ngritur mendja e njeriut dhe, siç e përcaktojnë studiuesit, ai njeri ka qenë arkitekt nga Shqipëria. Kurse publicisti Gjovalin Gjeloshi ka perimetër të madh udhëtimesh, brenda të cilit përfshihen vende të shumta, që nga Kosova deri në Francë, që nga viset shqiptare të Maqedonisë deri në Ishujt Baleare, që nga Mali i Zi deri në Spanjë, që nga Greqia deri në Finlandë, që nga Italia deri në Suedi, që nga Turqia deri në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Udhëtimet e tij janë përjetim i trefishtë, sepse: Ai bëri atë që plotë të tjerë nuk arrijnë as ta rrokin dhe, nëse e kuptojnë, nuk e sjellin dot, pasi nuk zotërojnë aftësinë për të shkruar. Që në udhëtimin e parë, tek Gjovalini nuk u përvodh pakujdesia, por i tha vetes: “Nuk ka herë të dytë!” Vërtetë kështu është edhe jeta: Nuk ka herë të dytë. Ai udhëtoi, diti pse udhëtoi dhe vendosi të mos u mbetet borxh dy palëve:
Vetes - sepse është gazetar dhe nuk ka bërë divorc me profesionin.
Dhe tre ftuesve, të cilët, me fisnikëri të dallueshme, nuk i harron, u mbetet mirënjohës dhe ua kthen dyfish: Fondacionit të Zgjedhjeve IFES, mbështetur nga USAID-i; At Kolë Berishës, ish-famullitar i Traboinit; dhe Këshillit të Qarkut të Lezhës, që e zgjodhi zëvendëskryetar dhe kësisoj iu dha mundësia të udhëtojë. Ai e plotësoi detyrën si i ftuar: ftesën e çmoi si një borxh për t’u kthyer, duke e shndërruar në vlerë profesionale. Pse jo, ai bëri dhe turistin, sepse e ka thënë i hershmi, “vera bjen njëherë kah dera”. Dhe, pa ia kërkuar kush, ai kreu misionin e gazetarit, botoi librin publicistik “Afër dhe larg”.
Domethënies së ndryshme, në titullin “Afër dhe larg”, mund t’i bëhen, ndoshta, edhe tri lexime: Leximi më i parë, që të vjen ndërmend, është vetjak e gjeografik: autori ka udhëtuar afër Shqipërisë, mendim që shterrohet edhe me një rresht, kur shkruan që, “Edhe pa e parë Malin e Zi, unë e kam patur gjysmë të njohur”, dhe larg Shqipërisë, deri në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku, pasi kushdo që shkon, tek kthehet i duket sikur s’ka qenë, sepse shteti gjigand, me epitetin “Kujdestari” i Tokës”, që ia vë Gjovalini, nuk mund të pushtohet as në mënyrë publicistike.
Leximi i dytë është i karakterit ballafaques: Shqipëria - afër botës perëndimore dhe ende larg saj.
Leximi i tretë është një lloj paraleleje, sepse kudo që shkon autori, edhe kur përhumbet në ato shtete nga shkel, i zhurmon rrëshqanë një zinxhir, i lidhur te kavilja e këmbës, që e kujton se Shqipëria e ndjek pas kahdo. Kësisoj, fjala “Afër” e titullit merr kuptimin e një shine, ndërsa fjala “Larg” merr trajtën e shinës tjetër dhe, gjithëkund nëpër libër hiqet paralelja: Ne dhe Ata - Ata dhe Ne. Mbi këtë hekurudhë shkon publicistika e tij në libër.
Kur Gjovalini pati ardhur në gazetari, nuk u mor për reportazhin, por për problemin. Tek shkrimet e para të tij hetohej që, vlerë bazë kishte rëndesën e përmbajtjes, shfaqte bindshëm materie, domethënë kishte lëndë. Ai nuk pati kryer fakultet gazetarie apo letërsie, ndaj gjatë udhës u përballë me dy male: të njihte, të zotëronte e të lëvronte llojet e gazetarisë dhe t’i jepte krijimtarisë së vet gjuhë, sepse s’mund të ketë publicistikë të mirë pa gjuhë të bukur.
“Afër dhe larg” është një libër publicistik me reportazhe, me tematikë mjaft të gjerë; me problematikë të pasur, deri shumë të pasur; përmbajtja e tyre peshon, sepse është e ngjeshur me mendim dhe informacion të përzgjedhur, herë-herë e ngjyrosur me fakte gati të pabesueshme; nëpër faqet e tij shpërfaqet kultura e autorit. Kjo i përqas ato, me reportazhet më të lexueshme të autorëve të njohur, duke e dëshmuar veten asisoj që, Gjovalini nuk është vetëm se e njeh reportazhin, por e shkruan me zotësi, pa letrarizma, nga që si krijues, ai nuk ka vuajtur nga kjo sëmundje, as dhe si natyrë e karakter njerëzor, sepse ai sundohet nga racionalizmi. Duke qenë se krijimtaria e tij priret nga përmbajtja, libri dallohet për problematikë të rëndësishme, por autori nuk rri në ndejtëse veç për të duartrokitur, pasi Gjovalini edhe heton, edhe analizon, edhe kritikon, tri veçori të dallueshme këto, në stilin e tij të të shkruarit. Brenda gjinisë së reportazhit, problematika rrok zhvillime rajonale, strategji, programe, administrim të fondeve, pjesëmarrje të njerëzve në qeverisje, decentralizim të pushtetit, zhvillime rurale, sfida të pakapërcyera, globalizmi, emigrantët - integrimin dhe asimilimi i tyre, ndryshimet klimatike, kush ka ecur më shpejt e a mund të ecim edhe ne si ata, duke përshpejtuar ritmet, përkryer funksionimin e administratës, përshtatjen e një sjellje më europiane të partive politike, dhe zgjedhjet si kryeçështja e demokracisë, si mund të jenë më të mira ato - duke mbetur politike apo po të bëhen teknike? Reportazhet spërkaten edhe me plot thërrmija historish të veçanta, kulturë të panjohur, gjeografi po se po, sillen shqetësime e vlerësime, që të gjitha të shprehura me gjuhë të rrjedhshme, deri edhe të pasur.
Pak ditë më parë, me Gjovalinin shkëmbyem email-e. I shkruaja: “Të qënit organizator i mirë, që në gjuhën e sotme të përdorur i thonë edhe menaxher (huazuar nga anglishtja), është njëri kënd i trekëndëshit tënd të zotërimeve. Dy të tjerët janë: specialiteti bazë që ke dhe publicistika. Të qenit organizator, vërtetohet me detyrën drejtuese të rëndësishme. Të qënit specialist, vërtetohet me shkollimin e plotë, ushtrimin e specialitetit dhe librin studimor për kultivimin e bimës më të re në Shqipëri “KIWI - Përshtatja me kushtet klimatike të Ultësirës Perëndimore”. Të qënit publicist, vërtetohet me autorësinë e shumë shkrimeve, por edhe i disa librave të botuar. Në mbyllje të email-it shtova: “Këto nuk janë pak”. Gjovalini e ktheu email-in me një pyetje, të ngarkuar me modesti: ”A të ka qëlluar ndonjëherë, kur dikush, në fakt, të është drejtuar ty, me fjalë lavdëruese, por ti kthen kokën pas për me pa se me kë e pati ky?” Por, për sa shkrova , po e theksoj: mos e kthe kryet, për me pa, për cilin shkrova. Unë shkrova për librin “Afër dhe larg” dhe autorin e tij, domethënë, për gazetarin Gjovalin Gjeloshi.