E Shtunë, 31 Tetor 2026

Veprimtar i devotshëm për liri e pavarësi

Prishtinë, 8 gusht - Vdekja e parakohshme dhe tragjike e veprimtarit Sabit Veseli tronditi dhe pikëlloi thellë zemrat e familjes së tij, të miqve, bashkëmendimtarëve dhe bashkëluftëtarëve të tij të shumtë në Kosovë,  në trojet shqiptare dhe në diasporë, tha kryeministri Hashim Thaçi sot në akademinë përkujtimore kushtuar veprimtarit Sabit Veseli, i cili vdiq para dy ditësh në një aksident trafiku te fshati Koshtovë i Mitrovicës.
“Sabiti i përkiste profilit të atyre njerëzve të cilët në modestinë e tyre dinë t’i fshehin përmasat madhështore të personalitetit të tyre, në heshtjen e tyre dinë t’i fshehin dimensionet e epokave historike, por me vendosmërinë e tyre frymëzojnë dhe edukojnë breza të tërë”, tha Thaçi, duke shtuar se Veseli i përket asaj gjenerate politike që lidhi epokat historike të vitit 1981 dhe të UçK-së.
“Sabit Veseli i përket plejadës së të burgosurve politikë që dëshmuan me jetën e tyre vendosmërinë për rrugën e drejtë që kishin nisur. Asaj plejade që krijoi emrin e veprimtarit të devotshëm Fadil Vata dhe të dëshmorëve Afrim Zhitia, Fahri Fazliu, Ali Ajeti dhe shumë veprimtarëve të tjerë, që u dëshmuan me flijimin për lirinë e Kosovës”, tha në vijim kryeministri Thaçi, duke shtuar se pas daljes nga burgu Veseli menjëherë do të veprojë në radhët e  Lëvizjes Popullore për Republikën e Kosovës, duke qenë një shtyllë e fortë e saj dhe organizator i  demonstratave të viteve 1989 -1990.
Në fund të fjalës së tij kryeministri i Kosovës foli edhe për kontributin e jashtëzakonshëm që ka dhënë Sabit Veseli për themelimin e Ushtrisë çlirimtare të Kosovës.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›