Veprimtarite kulturore te Qytetit te arteve
Kalendari i programit të “Qytetit të arteve” të Akademisë së Arteve në Tiranë, përmban një sërë aktivitetesh në fusha të ndryshe të artit si muzikë, art skenik, ndërdisiplinor dhe pamor. Kështu, ndër aktivitetet që do të zhvillohen gjatë muajit dhjetor janë koncerte, balet, mbrëmje poetike, koncerte simfonike, muzikë dhome, deri tek spektakle, tryeza të rrumbullakëta, promovim librash. Hapësira ku do të zhvillohen këto aktivitete janë Akademia e Arteve, “Blackbox”, Galeria e Arteve Skenike, pra çdo ambient, duke përfshirë dhe sallat e Akademisë. Ky program i shërben pasurimit të jetës artistike në kryeqytet, rritjes së konkurrencës në tregun artistik, si dhe rritjes së mundësisë së personelit akademik dhe studentor që të prezantojnë arritjet më të mira krijuese dhe interpretuese të Akademisë së Arteve. Aktivitetet që do të realizohen përgjatë kësaj jave janë të ndryshme. Vetëm sot janë parashikuar tre aktivitete. Nikolla Thano do të paraqesë në Akademinë e Arteve të Bukura aktivitetin me titull “Skulpturë funksionale parku”, kurse pianistja dhe pedagogia Anita Tartari do të japë një leksion dhe koncert me 24 preludet e Shopenit. Pasdite, Eni Shehu, nga Fakulteti i Artit Skenik, do të flasë për Migjenin në prozë dhe poezi, parë në versionin bashkëkohor. Ndërkaq, nesër Edison Ceraj prezanton në galerinë “FAP”, katalogun e punimeve të studentëve 2009-2010. Veprimtaritë do të vijojnë në datën 22 dhjetor me piktorin Ardian Isufi, i cili vjen me aktivitetin e titulluar “Fjala”. Do të jetë më pas radha e Besnik Bishës, që do të flasë në sallën “Black Box” mbi hapësirat e studentëve në Akademinë e Arteve, si dhe e një koncerti nga Fatos Qerimi me formacionin muzikor “Big Band Orchestra”.