E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vera Elezi, taksistja në profesionin ... e meshkujve



Është çdo ditë e pranishme nga mëngjesi deri në darkë me taksinë e saj përpara xhamisë së Et’hem Beut në shërbim të klientëve që prej disa vitesh. Që prej vitit 1982, Vera Elezi ka marrë licencën e taksisë duke u bërë kështu njëra nga femrat e para në Tiranë, por edhe në Shqipëri që ushtron këtë profesion. Ajo ka mbi 34 vjet që merret me këtë punë, duke filluar që nga koha e monizmit dhe duke vazhduar edhe gjatë viteve të demokracisë e deri më tash. Përvoja e gjatë në këtë punë e ka vënë atë përpara disa vështirësive dhe provave të cilat me kalimin e kohës i ka mësuar dhe ka ditur t’i kalojë. Vera tregon se “të punosh si shofere taksie në pamje të parë mund të duket e lehtë, por kur e shikon nga afër, mund të kuptosh që nuk është e thjeshtë, por është një punë e rrezikuar sepse nuk e di se kush të hipën në makinë”. Gjithashtu, zonja Elezi tregon se më të shumtën e klientelës e ka femra, kjo sepse ato e kanë më të rehatshme të udhëtojnë me një taksiste femër sesa me një burrë. Po ashtu ka shtuar se edhe ajo vetë ndihet rehat dhe me mendjen të qetë kur ka në makinë pasagjere femra, është një marrëdhënie reciproke. “Tashmë shumë gra kanë krijuar besim dhe kërkojnë gjithmonë të udhëtojnë me mua kjo edhe për arsye se kam shumë vite që punoj, por ka edhe raste kur punoj me njerëz të rastit”, - thotë Vera e cila nuk ngurron të vlerësojë edhe kolegët e saj për punën korrekte që kryejnë. Ajo e ka marrë lejen e drejtimit të makinës që në vitin 1975 dhe që në moshën 15-vjeçare, kjo për arsye se kishte shumë aftësi në drejtimin e makinës. Më pas ajo ka punuar si shofere autobusi dhe kamioni gjatë kohës së diktaturës. Më pas gjatë viteve ‘82 fillon të punojë si shofere taksie, punën të cilën e vazhdon edhe sot. Përvoja e gjatë në këtë punë, sipas saj, nuk të bën që ta anashkalosh rrezikun, sepse ai mund të vijë në çdo moment dhe kjo nga fakti se nuk e di asnjëherë se cili është qëllimi i personit që të hipën në makinë. Për këtë, ajo veçon dy raste gjatë gjithë përvojës së gjatë të punës, momente kur ajo është tmerruar. Në vitin 2000 atë e kanë ndaluar në mes të rrugës disa persona të armatosur, të cilët e kanë ndaluar dhe e kanë nxjerrë me forcë nga makina. Më pas e kanë shtirë përtokë dhe nën kërcënimin e armëve i kanë kërkuar që t’i japë çelësat e makinës, si dhe të gjitha lekët që kishte në xhep. “Ai ka qenë momenti më i vështirë i jetës time, sepse mendoja se nga çasti në çast do të më vrisnin dhe e vetmja gjë që kam menduar në ato momente kanë qenë vajzat e mia”, - thotë zonja Vera. Duke shprehur keqardhje për këtë eksperiencë të hidhur që ka kaluar, ajo tregon e bindur se ai ka qenë një plan i bërë më parë sepse në momentin që e kanë sulmuar, kishte për pasagjerë në makinë një djalë të ri dhe ishte mesdrekë. Ndërsa rasti tjetër ka ndodhur në vitin 1997, kur i kanë vjedhur taksinë e parkuar dhe të mbyllur. Ndërkohë, më tej ajo tregon dhe një rrezik tjetër me të cilin duhet të përballet çdo ditë, të cilët janë shoferët e rinj. Sipas saj shoferët të cilët nuk kanë përvojë në drejtimin e makinës paraqesin rrezik, sepse nuk dinë mirë të manovrojnë, duke shtuar këtu edhe arsyen e trafikut të rënduar që është çdo ditë në Tiranë. Kjo është një panoramë e punës së përditshme dhe të zakonshme me të cilën duhet të përballet zonja Vera çdo ditë, pasi profesioni i taksisë është puna nga e cila vijnë të ardhurat për të mbajtur familjen. Ajo është edhe një familjare e zonja, ka dy vajza të rritura për të cilat kujdeset dhe arrin të menaxhojë kohën mes punës dhe familjes. “Puna ime si taksiste është në njëfarë mënyre biznesi im, sepse vetëm nga kjo punë arrij të siguroj jetesën”, - tregon Vera. Por përpara gjithë këtyre vështirësive, ka edhe një pjesë të mirë e cila është ajo e komplimenteve. Ajo tregon se “shumë herë nuk kanë munguar dhe komplimentet për punën që bëj si nga meshkujt ashtu edhe nga femrat”. “Më kanë thënë shumë herë të lumtë për punën që bën, jo të gjitha femrat e bëjnë një gjë të tillë”, - tregon zonja Elezi, e gëzuar për këtë fakt, sepse nga ana tjetër ky është një vlerësim për punën e bërë. Kjo sipas Verës, ka ardhur edhe si rezultat sepse në punë është e rregullt dhe sillet në mënyrë korrekte. Duke ndjekur çdo ditë me rrjedhën e zakonshme të punës, Vera Elezi vazhdon e qetë punën e saj, duke mbajtur mbi shpatulla mbi 34 vite pune intensive, të cilën ajo e vazhdon çdo ditë nga mëngjesi deri në darkë, pa asnjë ditë pushimi.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›