E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përgjaket fundjava, 1 i vdekur, 11 të plagosur



Aksidentet përgjakin sërish akset rrugore në vend, duke shënuar një të vdekur dhe 11 të plagosur, disa prej të cilëve në gjendje kritike për jetën. Aksidenti me një viktimë është shënuar dy net më parë në afërsi të doganës së Kapshticës në Korçë, ku si pasojë, një makinë ka dalë nga rruga dhe ka gjetur vdekjen e menjëhershme kryefamiljari, ndërsa kanë mbetur të plagosur gruaja dhe dy fëmijët e tij. Lidhur me këtë aksident, burime zyrtare të policisë rajonale të Korçës thanë se “aksidenti me pasojë vdekjen e 41-vjeçarit Aleksandër Blaceri, banor i rrethit të Pogradecit, ndodhi rreth orës 21:00 në vendin e quajtur Gryka e Kapshticës, rreth 3 kilometra larg doganës”. Automjeti tip BMW, me targa greke, ku udhëtonin 4 anëtarët e familjes, drejtohej nga kryefamiljari Blaceri. Mësohet se gruaja dhe dy fëmijët e tij, të moshës 11 dhe 17 vjeç, ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Policia ka mbërritur menjëherë në vendngjarje për të zbardhur shkaqet që sollën këtë aksidentet dhe nga hetimet paraprake rezulton se shkak i aksidentit ka qenë shpejtësia me të cilën drejtonte autoveturën 41-vjeçari Blaceri, si dhe lagështia e krijuar në rrugë nga rënia e reshjeve të shiut. Po në këtë aks rrugor, konkretisht në këtë kthesë që konsiderohet si mjaft problematike nga drejtuesit e automjeteve, në orët e para të mëngjesit të djeshëm janë shënuar sërish dy aksidente të tjera, por që për fat të mirë nuk kanë shënuar të lënduar. Tri aksidentet e ndodhura në Korçë mëngjesin e djeshëm ia kanë lënë vendin dy aksidenteve në qytetin bregdetar të Durrësit. Sipas burimeve zyrtare policore, dy aksidentet e Durrësit kanë ardhur si pasojë e përplasjes së dy mjeteve, nga ku për pasojë janë plagosur rëndë tri shtetas dhe një fëmijë tre vjeç. Aksidenti ndodhi në hyrje të qytetit, përkatësisht pranë Urës së Dajlanit. Të plagosurit po udhëtonin me një makinë me targa të Tiranës, e cila sipas policisë, i ka prerë rrugën një tjetër mjeti në përpjekje për ta parakaluar. Ky, sipas ekspertëve, mendohet të ketë qenë shkaku i aksidentit me katër të plagosur në Durrës. Një tjetër aksident është shënuar mesditën e djeshme në qytetin e Shkodrës, rreth orës 12:00 në hyrje të këtij qyteti në lagjen “Liria”. Sipas burimeve policore, një makinë tip “Benz” me targa të Shkodrës 6847 E që drejtohej nga Fatmir Shala, 55 vjeç, ka aksidentuar rëndë 69-vjeçarin Angjelin Shllaku, i cili po udhëtonte me biçikletë. Sipas hetimeve paraprake nga policia, mësohet se ka qenë 69-vjeçari Shllaku ai që i ka prerë rrugën makinës tip “Benz”, duke shkaktuar më pas këtë aksident. Ndërsa është shoqëruar për në komisariat dhe drejtuesi i mjetit, Fatmir Shala, për të sqaruar rrethanat e përplasjes së të moshuarit me mjetin që drejtonte.

Përplasja

Del nga rruga automjeti, plagosen rëndë 3 emigrantë shqiptarë

Një aksident i rëndë ndodhi dy net më parë në aksin rrugor Kakavijë-Janinë. Sipas policisë greke, një makinë me tre emigrantë shqiptarë në bord u godit dhe doli nga rruga në vendin e quajtur Avgo. Nga përplasja, të tre emigrantët shqiptarë mbetën të plagosur rëndë. Emrat e tyre nuk janë bërë të ditur, ndërkohë që mësohet se shqiptarët e plagosur u dërguan me urgjencë në spitalin e Janinës, ku po mbahen nën vëzhgimin e mjekëve. Automjeti i tyre është shkatërruar plotësisht. Makina tjetër me të cilën u përplasën emigrantët, një automjet i burgut të Patrës, pësoi dëme të rënda, por nuk pati të plagosur. Edhe automjeti i burgut kishte në bord shqiptarë të burgosur, të cilët do të dorëzoheshin në Kakavijë tek autoritetet shqiptare. Policia greke thotë se aksidenti ndodhi si pasojë e parakalimit të gabuar nga drejtuesi i autoburgut, megjithatë hetimet mbi aksidentin po vazhdojnë.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›