E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vera dhe kokaina vranë çiftin në Golem

Merr një tjetër rrjedhë, hetimi për vdekjen e Tomorr Rrumbullakut dhe Diana Xibrakut. Në verë gjendet kokainë
Pista e re e policisë: Në verë u gjet përqendrim i lartë kokaine. Përjashtohet vetëhelmimi dhe vrasja
TIRANË- Kokainë dhe verë. Vdekja e Tomorr Rrumbullakut dhe Diana Xibrakut dyshohet se është shkaktuar nga përzierja aksidentalisht vdekjeprurëse ekëtyre dy produkteve. Pasditen e djeshme, grupi hetimor ka rrëzuar të gjitha dyshimet e deritanishme, pas marrjes së dorë të analizave paraprake të verës.Çifti që humbi jetën katër ditë më parë, teksa po drekonin në një restorant në Golem të Kavajës, dyshohet të kenë konsumuar verë, me përqendrim të lartë kokaine. Në këtë pistë po heton policia e Tiranës e cila duket se ka pezulluar pistën e vetëvrasjes dhe atë të helmimit të qëllimshëm. Burime nga policia e kryeqytetit thanë se Rrumbullaku dhe Xibraku kanë humbur jetën nga mosdija e përdorimit të kokainës me verën. Megjithatë, priten analizat e mjekësisë Ligjore, të cilat do të verifikojnë edhe dyshimet e policisë.
Kokaina vrau çiftin...
E ndërsa për tre ditë me radhë, grupi hetimor që punoi për zbardhjen e vdekjes së çiftit Rrumbullaku-Xibraku dyshonte për vetëvrasje apo ndonjë vrasje të mundshme, analizat që iu kryen shishes së verës kanë hedhur poshtë këto dy pista. "Analizat treguan se në shishen e verës ndodhej një dozë e lartë lëndë narkotike e llojit kokainë, çka ka sjellë edhe vdekjen e çiftit",- thanë për "Shekullin" burime zyrtare nga policia e kryeqytetit. Ndërkohë që policia pranon se kjo nuk është përgjigjja përfundimtare e cila do të vuloste dhe shkakun e vdekjes së çiftit. Por policia tashmë duket se është bindur që vdekja e Tomor Rrumbullakut dhe të dashurës së tij, Diana Xibraku nuk ka ardhur si rrjedhojë e një sasie helmi të hedhur nga vetë viktimat apo nga persona të tjerë. "Kemi të bëjmë me një mosdije nga ana e 54-vjeçarit Rrumbullaku për përdorimin e lëndëve narkotike. Dyshojmë se ai nuk ka ditur se kokaina në doza të mëdha, e përzier me verë shkakton vdekje aq më tepër kur ai ka hedhur dhe dozë të madhe", -shtuan më tej burimet policore.
Dyshimet e policisë
"Fill pasi 43-vjeçarja Xibraku shfaqi shenjat e para të helmimit, Rrumbullaku hodhi shishen e verës në koshin e plehrave. Ky veprim i hapi rrugë dyshimit se 54-vjeçari diçka fshihte, ndaj dhe u dyshua për ndonjë vetëvrasje të ideuar prej tij. Veprimi i tij erdhi pasi ai kishte hedhur kokainë në verë. Megjithatë ende nuk kemi përfunduar hetimet",- thanë burime zyrtare nga policia e kryeqytetit. Megjithëse në gjendje të rëndë, Rrumbullaku është përpjekur deri në fundin e tij, për të ndihmuar të dashurën duke i bërë dhe frymëmarrje artificiale teksa transportoheshin për në spital. Ky fakt ka bërë që policia të dyshojë se ai nuk ka dashur të shkaktojë vdekjen e saj. Pra sipas policisë, gjithçka ka ndodhur nga padija e viktimës në përdorimin e lëndës narkotike. Ndërkohë që policia tashmë ka filluar dhe verifikimet për të gjetur personin që i ka "falur" kokainën viktimës. "Kemi ushtruar kontroll në banesën e 54-vjeçarit si dhe në automjetin e tij, por nuk kemi gjetur lëndë narkotike. Ndërsa do të marrim në pyetje të njohurit e tij për të zbuluar nëse Rrumbullaku kishte konsumuar edhe më parë kokainë, apo kush mund të jetë dhuruesi i drogës", -vazhduan më tej burime policore. Policia bëri të ditur se po vazhdojnë hetimet për të zbardhur dyshimet nëse ka qenë përdorimi i lartë i kokainës në verë, që vrau çiftin Rrumbullaku-Xibraku të cilët kishin një lidhje të fshehtë për disa vjet.
REAGIMI
Mjekësia Ligjore, kundër pistës së policisë për vdekjet
TIRANË- Ndryshe nga policia, Mjekësia Ligjore nuk nxiton për të bërë me dije rezultatet e analizave për çiftin Tomorri-Xibraku. Madje, zyrtarë të këtij institucioni janë treguar skeptikë, për pistën më të fundit të policisë. "Ne nuk kemi përfunduar ende analizat dhe nuk e dimë ku është bazuar policia, për të dalë në këtë konkluzion. Për ne, ka pak gjasa që vdekja e dyfishtëtë ketë ardhur si pasojë e përdorimit të lëndëve narkotike",-bënë me dije burime nga Mjekësia Ligjore. Specialistët e këtij institucioni i qëndrojnë versionit të parë, se vdekja është shkaktuar nga lëndë të forta toksike, pasi ata kanë evidentuar dëmtime të rënda të organizmit të dy viktimave. "Duhet të presim përfundimin e analizave, për të thënë në mënyrë të sigurtë shkakun e vdekjes së Tomorr Rrumbullakut dhe Diana Xibrakut",-pohuan specialistët e morgut.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›