E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hakmarrja e ëmbël e Liverpulit, mposht Çelsin e Fernando Torres

Është një nga ato historitë tipike: lojtari që “dezerton” në çastet e fundit të merkatos dhe që fati e përball shumë shpejt me ish-skuadrën e tij. Natyrisht që heroi ynë në këtë rast del i dështuar dhe ish-skuadra mendon se ka bërë mirë që e ka lëshuar për një shifër të majme. Kjo është edhe historia e Fernando Torres, i larguar për 50 milionë stërlina nga Liverpuli dhe që përfundoi në shpurën e Abramoviçit. Por…

Minuta e 65-të e Çelsi-Liverpul, ndeshja e madhe e javës së 26-të të Premier Ligës: Fernando Torres braktis fushën pa lënë asnjë gjurmë domethënëse të prezencës së tij. Rezultati është akoma 0-0, por tifozët e “The Reds” në transfertë arrijnë të nxjerrin një uturimë të fuqishme, sikur skuadra e tyre të kishte shënuar një gol: si të dashuruarit e tradhëtuar, celebrojnë daljen nga skena të “Mister 50 milionë stërlinave”, njeriu që i tradhëtoi për të kaluar te Çelsi. Një grusht minutash më pas, kënaqësia për rrezikun e kaluar, kthehet në festë të madhe për golin e ndeshjes të shënuar nga Raul Meireles: “Stamford Bridge” ngjyroset me të kuqe dhe Liverpuli arrin fitoren e katërt radhazi.

Keni Dalglish mban në stol Suarez dhe sajon një formacion pa qëndërsulmues tipikë, të tejmbushu me mbrojtës dhe mesfushorë në një version 3-4-3. Objektivi, më shumë sesa të mbulojnë Torresin, është ai për të prerë furnizimet me topa te Drogba dhe Anelka. Mision që përmbushet: afrikani ka vështirësi dhe francezi nuk prodhon thuajse asgjë dhe Reina po kalon një pasdite shumë më të qetë sesa parashikimet. Rastin e vetëm e prodhon Maksi Rodrigez, që godet traversën vetëm dy hapa larg me portën e boshatisur.

Me Kalunë dhe Maludanë të ulur në stol, për treçrekun e garës Çelsi ka vështirësi t’i japë frymë lojës dhe e gjen rrugën të tejmbushur. Në pjesën e dytë, pas zëvendësimit të Torres me Kalu, vjen goli që vendos ndeshjen. Xherrard e ndan hapësirën në dysh me një harkim nga e djathta. Kajt dhe Ivanoviç e humbasin topin dhe e majta e Meireles dënon daljen e pasigurt të Çeh. Që prej vitit 2004, një lojtar i Liverpulit nuk shënonte në “Stamford Bridge”. Reagimi i Çelsit nuk mjafton dhe ndeshja përfundon 0-1. Blutë ribien në krizë dhe mbeten në katërtit në klasifikim, -10 nga Mançester Junajtid.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›