E Shtunë, 31 Tetor 2026

'Verdikti 2013', përfundon numërimi i votave. ASHE 84 mandate, APMI 56

TIRANE- E majta rikthehet në pushtet pas 8 viteve opozitë. Sot në mbrëmje u mbyll përfundimisht procesi i numërimit të votave të zgjedhjeve të 23 qershorit  në të gjithë Shqipërinë.  Sipas KQZ e majta kryeson me një rezultat të thellë, 84 mandate në krahasim me 56 të koalicionit të djathtë. 

"Ju bën me dije se ka përfunduar procesi i numërimit në 89 KZAZ. Para pak minutash ka përfunduar numërimi në KZAZ 39, në njësinë Bashkiake 9 dhe numërimi i i fletëve të votimit për zgjedhjet e pjesshme vendore”, njoftoi mbremjen e se merkures, zëdhënësja e KQZ Drilona Hoxhaj. 

Zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit prodhuan një rezultat surprizë edhe për vetë koalicionin e drejtuar nga kryetari socialist Edi Rama. Në parlamentin e ardhshëm shumica e re pritet të ketë 84 vende, të ndara mes 66 deputetëve socialist, 16 të LSI-së, 1 të PBDNJ dhe 1 të PKDSH.
HARTA E ZGJEDHJE, VOTAT DHE FITUESIT PER CDO QARK

Në këto zgjedhje kandiduan për herë të parë partia FRD e Bamir Topi, njëherësh ish –president i Shqipërisë, e cila nuk arriti të sigurojë asnjë mandat si dhe Aleanca Kuq e Zi e kreshnik Spahiut, e cila nuk iu afrua marrjes së një mandati.
Parlamenti i ri, ja emrat që kanë siguruar karriget
Ndërkohë, risi në këto zgjedhje ishte dhe gara e pavarur e Arben Malaj dhe Dritan Priftit, të cilët nuk e kaluan pragun e votave që i duheshin për tu futur në Kuvendin e Shqipërisë. 

Ishin kutitë e KZAZ me numër 28 të cilat i dhanë binishin zgjedhjeve parlamentare në mbarë Shqipërinë, ku koalicioni i majtë kryesoi ndaj të djathtit. Tashmë pritet certifikimi i zgjedhjeve, nga KQZ e cila aktualisht ka mbetur me 4 anëtarë pas dorëheqjes së anëtarëve të PS. 

Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama në një konferencë për shtyp mbrëmjen e djeshme ka përshëndetur fitoren e majtë në zgjedhjet parlamentare 2013. Në një fjalim drejtuar popullit shqiptar Rama shuajti sot dilemat e lindura se shefi i qeverise do jete ai apo kreu i LSi, Ilir Meta. “Nuk mund të mos ju rrëfej sot se ky është momenti më krenar i jetës sime. Midis krenarisë dhe përulësisë që ndjej fiton thellë përulësia për ju. Une do jem kryeministri juaj. Detyra do jetë imja, pushteti do jetë juaji. Unë nuk e harroj këtë, por mos e harroni dhe ju. Jo për mua, por për të mirën e Shqipërisë që do ta rilindim së bashku”. Rama mesazh popullit: Të nisin “Rilindjen”. Do jem kryeministri juaj

Sot, Kryeministri i vendit Sali Berisha në daljen e tij të parë pas zgjedhjeve të 23 qershorit, pranoi humbjen e PD-së në zgjedhje parlamentare dhe jep dorëheqjen nga drejtimi i partisë të cilën e themeloi. Fjalimi u prit me lot në sy nga simpatizantë që dëgjonin me altoparlant jashtë selisë së PD, fjalimin e kryetarit që drejtoi partinë prej dy dekadash.
Berisha: Njoh humbjen, përgjegjësia vetëm e imja. Dorëhiqem nga funksionet

REZULTATET  E ZGJEDHJEVE TË 23 QERSHORIT
Aleanca për Shqipërinë Evropiane siguroi deri në 84 mandate, ndërsa PD së bashku me aleatët e saj PDIU dhe PR 56 mandate. PD ka humbur  bastionet e saj tradicionale, siç është Shkodra, ku e majta kryesoI me 6 mandate, krahasur me 5 të PD. LSI merr 16 vende në Kuvend, PDIU 4, PR 4 dhe PBDNJ 1. Në orët e para të mëngjesit të së mërkures, në Tiranë ndryshoI rezultati në favor të PS. Nga numrimi i votave, PS rrëmbU një mandat tjetër duke cuar numrin në 16, kurse PD mbetI me 11. Ruajtën nivelet e mëparshme LSI me 3 mandate, PDIU me 1 dhe PR me 1. ASHE  19 mandate në Tiranë, ndërsa APMI  13 mandate për deputetë. 

PASQYRA E NDARJES PARAPRAKE TË MANDATEVE, SIPAS SUBJEKTEVE ZGJEDHORE:
Koalicioni i majtë "Aleanca për Shqipërinë Europiane"
- Partia Socialiste (PS) - 66 mandate
- Lëvizja Socialiste për Integrim (LSI) - 16 mandate
- Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut (PBDNJ) - 1 mandat
Në total: 84 mandate

Koalicioni i djathtë "Aleanca për Punësim, Mirëqenie dhe Integrim"
- Partia Demokratike(PD) - 49 mandate
- Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet (PDIU) - 4 mandate
- Partia Republikane (PR) - 3 mandate
Në total koalicioni i djathtë: 56 mandate 

Të dhënat e fundit sipas Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve
Ndërkohë, më poshtë sjellim rezultatet e KQZ për koalicionet, e majta, Aleanca për Shqipërinë Europianë (ASHE), Aleanca për Punësim, Mirëqenie dhe Integrim (AMPI), partitë e reja Fryma e Re Demokratike (FRD) Aleanca Kuq e Zi (AK).
Çdo shifër ndryshohet minutë pas minute me të rejat më të fundit.

KORÇE (E PERFUNDUAR)
Korça janë numëruar deri tani 447/447 kuti gjithsej, ku ASHE ka marrë 88844 vota, APMI 56706, FRD 1409, AK 268.

ELBASAN  (E PERFUNDUAR)
Elbasan, numërohen 540/540 kuti ASHE 102012, APMI 68328, FRD 2255, AK 895 vota.

KUKES (E PERFUNDUAR)
Numërohen 169/169 kuti gjithsej, ku ASHE ka marrë 18502 vota, APMI 27770, FRD 300 vota, AK 207

DURRËS
Në Qarkun Durrës janë numëruar deri tani 424/444 kuti ASHE 75398, APMI 66013, FRD 4366, AK 834 vota.

FIER (E PERFUNDUAR)
Në këtë qark janë numëruar deri tani 576/576 kuti gjithsej ASHE 126626 vota, APMI 65702 vota, kurse 6162 vota kanë shkuar në adresë të kandidatit të pavarur, Dritan Prifti. FRD 2977 vota, AK 540 vota.

LEZHË (E PERFUNDUAR)
Numërohen deri tani 258/258 kuti, ASHE 38737, APMI 36754, FRD 903 vota, AK 276. 

TIRANË
Në këtë qark janë numëruar aktualisht ku 1346/1422 kuti ASHE 244783, APMI 178014, FRD 9583 vota, AK 4648 

BERAT (E PERFUNDUAR)
Në qarkun e Beratit janë numëruar deri tani 302/302 kuti, ASHE 67627 vota, APMI 23024 , FRD 573 vota, AK 283.

DIBËR (E PERFUNDUAR)
Në Dibër janë numëruar të plota 264 kutitë e votimit, ku ASHE 36964 vota, APMI 35005, FRD 2322 vota, AK 247. 

GJIROKASTËR (E PERFUNDUAR)
Në Gjirokastër janë numëruar 237/237 kuti gjithsej ku ASHE ka marrë 40586, APMI 18039, FRD 347 vota, AK 205.

SHKODËR (E PERFUNDUAR)
Qarku Shkodër janë numëruar 417/417 kuti gjithsej ku ASHE ka marrë 64518, APMI 54551, FRD 2411 vota, AK 519.

VLORË (E PERFUNDUAR)
Qarku Vlorë janë numëruar 432/432 kuti, ku ASHE ka marrë 77689 vota, APMI 37790 vota. Kandidati i pavarur Arben Malaj ka marrë 3047, 1190 vota FRD, AK 862.

(SHPERNDARJA E MANDATEVE)
Qarku Dibër -ASHE 3, APMI 3 (PS 2, LSI 1, PD 3)

Qarku Korçë-ASHE 7, APMI 5 (PS 6, LSI 1, PD 5)

Qarku Kukës-ASHE 2, APMI 2 (PS 1, LSI 1, PD 2)

Qarku Shkodër -ASHE 6, APMI 5 (PD 5 mandate, PS 4 mandate, LSI 1, PKD 1)

Qarku Lezhë -ASHE 4, APMI 3 (PS 3, LSI 1, PD 3)

Qarku Durrës -ASHE 7, APMI 6 (PS 6, LSI 1, PD 5, PR 1)

Qarku Tiranë -ASHE 19, APMI 13 (PS 16, PD 11, LSI 3, PDIU 1, PR 1)

Qarku Elbasan -ASHE 8, APMI 6 ( PS 6, LSI 1, PD 4, PDIU 1, PR 1)

Qarku Fier-ASHE 11, APMI 5 (PS 9, LSI 2, PD 4, PDIU 1)

Qarku Berat -ASHE 6, APMI 2 (PS 4, LSI 2, PD 2)

Qarku Gjirokastër -ASHE 4, APMI 1 ( PS 3, LSI 1, PD 1)

Qarku Vlorë-ASHE 8 ( 6 PS, 1 PBDNJ dhe 1 LSI) APMI 4 ( 3 mandate PD dhe 1 PDIU)

10 KUTI PËR TU NUMËRUAR TEK KZAZ 38
Ora 18:00 Edhe 10 kuti në KZAZ numër 38 dhe përfundon procesi i numërimit të votave për zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit. Në këtë njësi, kreu i FRD-së, Bamir Topi, njëherësh ish-presidenti i Shqipërisë po lufton për marrjen e një mandati.

QARKU LEZHË, MATERIALET ZGJEDHORE TË KZAZ 15 DO I KALOJNË NESËR KQZ
Ora 17:30 Ka përfunduar gjithcka rreth orës 17:00 të pasdites së sotme edhe në KZAZ nr 15, në rrethin e Kurbinit. Bëhet fjalë për një zonë, ku i gjithë procesi i zgjedhjeve ka kaluar me jo pak probleme. Procesi i numërimit të votave u ndërpre fillimisht në orën 3:00 të mëngjesit të sotëm për shkak të lodhjes se komisionerëve, për të rinisur rreth orës 13:00.

Ndërkaq pati një moment tensioni rreth mesditës në radhët e vëzhguesve, atëherë kur kishin ngelur pa u numëruar 4 kutitë e fundit që i përkisnin Mamurrasit. Kjo pas mbërritjes në këtë KZAZ të disa deputetëve të qarqeve të tjera.

Ndërhyrja e forcave të policisë, rinormalizoi situatën, ndërkohë që i gjithë procesi i numërimit të votave përfundoi rreth orës 17:00. Por, pavarësisht procesverbalit të nxjerrë nga komisioni i ZAZ, kreu i këtij komisioni bëri të ditur se të gjitha kutitë me votat dhe materialet zgjedhore do të dërgohen në KQZ, i cili pritet të shpallë rezultatin për gjithë qarkun e Lezhës, duke shpërndarë edhe mandatet zyrtarisht.
Gjithsesi nuk pritet ndonjë ndryshim në mandate, përtej atyre qe tashme janë deklaruar. 3 PS, (konkretisht Mimi Kodheli, Armando Prenga dhe Arben Ndoka), 3 PD (Aldo Bumçi, Gjovalin Kadeli, Albina Deda) dhe 1 LSI (Monika Kryemadhi).

KQZ: NUMËRIMI I PËRFUNDUAR 99%
17:15 Zëdhënësja për mediat e KQZ-së, Drilona Hoxhaj bëri me dije se procesit i numërimit të votave për zgjedhjet e 23 qershorit ka përfunduar në masën 99%, ndërkohë që priten materialet zgjedhore nga njësia numër 9 në Tiranë, e vetmja që po vijon numërimin.

QARKU DURRES, MBYLLET NUMËRIMI NE KZAZ 19, E FUNDIT
16:45 Mbyllet numërimi në KZAZ 19, e fundit në këtë qendër numërimi. Ndërkohë, që pritet certifikimi i rezultatit për këtë qark i cili do të vendosë përfundimisht diskutohet marrja e mandatit mes PR dhe PD.

QARKU LEZHE, ZHBLLOKOHET NUMËRIMI NE KZAZ 15 NE LAÇ
Ora15:15 Zhbllokohet dhe përfundon procesi i numërimit në KZAZ në Laç. Procesi ishte bllokuar pasi pati tensione mes komisionerëve të të dyja palëve. Katër kutitë e fundit në Laç, për të cilat nuk është përpiluar ende rezultati përfundimtar, janë vendimtare për ndarjen e mandateve në qarkun e Lezhës. Rezultati përfundimtar, mund të ndryshojë ndarjen e mandateve. Deri në këto momenti rezultati në Lezhë është ASHE 4, APMI 3 (PS 3, LSI 1, PD 3).

PËRFUNDON NUMËRIMI I VOTAVE NË NJËSINË 4
Ora 14:44 - Ka përfunduar procesi i numërimit të votave edhe në KZAZ-në nr 33 në Njësinë Bashkiake Numër 4 në Tiranë. Nga të dhënat e para, PS-LSI janë në avantazh me rreth 4000 vota ndaj koalicionit të djathtë. Rezultati përfundimtar pritet të certifikohet nga KZAZ-ja.

LAÇ, KZAZ 15 TENSION MES KOMISIONERËVE TË DY PALËVE
Ora 14:07 – Ndërsa procesi i numërimit të votave është drejt fundit, në KZAZ-në nr 15 në Laç është bllokuar procesi, pasi ka patur tensione mes komisionerëve të të dyja palëve. Katër kutitë e fundit në Laç, për të cilat nuk është përpiluar ende rezultati përfundimtar, janë vendimtare për ndarjen e mandateve në qarkun e Lezhës.

LEZHE, PERFUNDON PROCESI I NUMERIMIT TE VOTAVE
Ora 13:20 - Përfundon procesi i numërimit të votave në qarkun e Lezhës, ku pritet plotësimi i procesverbaleve për katër kutitë e fundit të numëruara. Rezultati, pa katër kutitë e fundit, ishte 1800 vota në shumë në favor të koalicionit të majtë.

NJESIA 5, PËRFUNDON NUMËRIMI, PS NE AVANTAZH
Ora 12:45 - Përfundon numërimi i votave në Njësinë Nr. 5 në kryeqytet, ku rezulton fitues koalicioni i majtë me një numër të konsiderueshëm votash. Ndërsa pritet përpilimi i tabelave për rezultatin përfundimtar, diferenca mes PD-së dhe PS-së, pa llogaritjen e kutisë së fundit, është 9730 vota në favor të socialistëve.

KQZ: PO NUMËROHEN VOTAT NË 23 KZAZ-të E FUNDIT
Ora 12:32 - Zëdhënësja e KQZ-së njoftoi se grupet e numërimit po punojnë për të përfunduar numërimin në 23 KZAZ-të e fundit.
“Disa nga grupet e numërimit kanë bërë një pushim, sepse kanë punuar gjatë natës. Në KZAZ 33 dhe 34 në Tiranë ka filluar numërimi. Në Njësinë Bashkiake Nr. 9 ende nuk ka filluar, pasi kanë punuar gjatë natës. Pritet të nisin së shpejti. Deri tani kanë mbetur për tu numëruar KZAZ 15 në Laç, KZAZ 19 në Krujë, njësia 2 KZAZ 31, njësia 4 KZAZ 33, KZAZ 43 njësia 5 në Tiranë, KZAZ 38. Mbeten edhe 23 KZAZ për të përfunduar”,- deklaroi zëdhënësja Hoxhaj.

KANDIDATI I PR NË GJIROKASTËR AKUZA RULIT TË PD
Ora 11:35- Kandidati i Partisë Republikane në qarkun e Gjirokastrës, Roland Bejko hedh akuza ndaj Genc Rulit, kandidatit të PD-së në këtë qark. Sipas tij, “Ruli nuk punoi për të fituar një mandat të 2 në Gjirokastër. Njerëzit janë kërcënuar që të mos votojnë PR”.

NJËSIA 5, RIFILLON PROCESI I NUMËRIMIT ME 5 GRUPE NUMËRIMI
Ora 11:25 – Rifillon procesi i numërimit të votave në Njësinë Numër 5 në Tiranë, pas kërkesës që PS i dërgoi KQZ-së, për zhbllokimin e procesit. 

KUKËS, GOCI: PD KËRKON TË MARRË MANDATIN E LSI
Ora 10:55- Kandidati i LSI-së në Kukës, Apostol Goci akuzon Partinë Demokratike se po tenton të bëjë manipulime me mandatin e LSI-së në këtë qark. Në një komunikim për “News 24”, Goci deklaroi se “PD kërkon të marrë mandatin e LSI-së në Kukës”.

PS SHKRESË ZYRTARE PËR ZHBLLOKIMIN E NUMËRIMIT NË NJËSINË 5
Ora 10:40 - PS shkresë zyrtare KQZ-së për zhbllokimin e numërimit në Njësinë 5. Partia Socialiste i dërgoi një shkresë zyrtare Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për zhbllokimin e numërimit në Njësinë Numër 5 në kryeqytet. Sipas PS-së, numërimi në Njësinë 5 është ndërprerë që prej orës 02:00 të mëngjesit, pasi numëruesit e PD-së dhe PR-së refuzojnë të punojnë. PS bën të ditur se e ka nisur kërkesën në KQZ që prej rreth 30 minutash, ndërsa situata nuk ka ndryshuar.

ENDE NUK KA RINISUR PROCESI I NUMËRIMIT TEK NJËSIA 5
Ora 09:30- Procesi i numërimit të votave tek Njësia Nr.5 në Tiranë nuk ka rinisur ende. Mësohet se procesi është ndërprerë që në orët e para të mëngjesit. Në këtë njësi kanë mbetur edhe 6 kuti pa numëruar.

KONTESTOHET NJË KUTI E QARKUT TË BERATIT, VENDOS KQZ
Ora 08:40- Edhe pse numërimi ka përfunduar tashmë në Qarkun e Beratit, ku kryeson e majta mësohet se një kuti votimi është kontestuar për mungesën e procesverbalit. Pritet që të vendosë KQZ për këtë.

PËRFUNDON NUMËRIMI NË QARKUN E ELBASANIT, KRYESON E MAJTA
Ora 07:30- Mëngjesin e sotëm ka përfunduar numërimi I të gjitha kutive të votimt edhe në qarkun e Elbasanit. Edhe aty ka kryesuar e majta, ndërsa ndarjet e mandateve sipas koalicioneve dhe partive janë si vijojnë: ASHE 8, APMI 6 ( PS 6, LSI 1, PD 4, PDIU 1, PR 1) 

(d.b/ma.ar/er.nu/e.m/BalkanWeb) Lidhje te tjera Fyle uron koalicionin e majtë për fitoren: Konsensusi ndërpartiak i nevojshëm Humbja e zgjedhjeve, kryeministri dhe Lulzim Basha tek Presidenti Nishani Meta: Rama kryeministër? Normale t’i takojë PS-së Vëllai i Arben Frrokut deputet: Tani do të çlirojmë drejtësinë nga krimi Nano: Fitore e paparë e së majtës. Rezultati, nxjerrje dufi Parlamenti i ri, ja emrat që kanë siguruar karriget HARTA E ZGJEDHJE, VOTAT DHE FITUESIT PER CDO QARK Rama mesazh popullit: Të nisin “Rilindjen”. Do jem kryeministri juaj Berisha: Njoh humbjen, përgjegjësia vetëm e imja. Dorëhiqem nga funksionet

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›