E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vërejtja e fundit për UEFA-n

Federata e Futbollit e Kosovës në javën e ardhshme, nëpërmjet një dosjeje, do t’ia rikujtojë sërish UEFA-s se e ka për obligim që ta ndryshojë qasjen karshi Kosovës, posaçërisht tani pas rezolutës së miratuar nga Parlamentit Evropian. Madje, krerët e futbollit kosovar thonë se kjo do të jetë vërejtja e fundit për shtëpinë e futbollit evropian, para se çështjen ta procedojnë në gjyq.

Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) ende nuk e ka marrë asnjë informacion nga UEFA se a e ka shqyrtuar apo jo para disa ditëve Komiteti Ekzekutiv i saj kërkesën për lejimin e organizimit të ndeshjeve miqësore për Përfaqësuesen e Kosovës dhe klubet e saj.

Edhe pse në këtë mënyrë UEFA po e injoron Kosovën, FFK-ja nuk e ka ndërmend të ndalet. Udhëheqësit e futbollit kosovar kanë paralajmëruar se gjatë javës së ardhshme do ta dërgojnë në shtëpinë e futbollit evropian një dosje, nëpërmjet së cilës ata do t’ua tërheqin vërejtjen atyre që ta ndryshojnë qasjen negative karshi Kosovës.

Mbase, sipas tyre, kjo do të jetë vërejtja e fundit për shtëpinë e futbollit evropian, para se të vendosin që çështjen ta procedojnë në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv.

“Në javën e ardhshme do ta dërgojmë në UEFA sërish një material, me të cilin do ta njoftojmë për progresin që e kemi shënuar së fundmi, ku pos të tjerash, do t’ia kujtojmë UEFA-s se Kosova meriton të shqyrtohet seriozisht sidomos tani kur Parlamenti Evropian na mbështet, e po ashtu do ta njoftojmë për marrëveshjen mes Prishtinës e Beogradit për përfaqësim rajonal të Kosovës, e për gjithë progresin tjetër”, deklaroi për Express, sekretari i FFK-së, Eroll Salihu.

“Andaj, do t’ia bëjmë me dije UEFA-s që ka ardhur koha e fundit që ta ndryshojë qasjen ndaj nesh”, shtoi ai.

E nëse as pas kësaj UEFA nuk e përmirëson qasjen ndaj Kosovës, Salihu pohon se FFK-ja do të ndërmarrë masa.

“Në opsion është edhe Gjykata e Arbitrazhit Sportiv, por realisht kemi edhe shumë opsione të tjera. Por, nuk mund të vendosim se cilin opsion ta zgjedhim për ta përshpejtuar procesin, para se ta marrin një përgjigje nga UEFA. Por, kemi shumë opsione dhe besoj se do ta zgjedhim më të mirin në koordinim me shumë palë”, ka theksuar ai.

Përndryshe, krerët e FFK-së e kanë mirëpritur miratimin e rezolutës nga Parlamenti Evropian, që për qëllim e ka përshpejtimin e procesit të ndërkombëtarizimit të sportit.

Sipas udhëheqësve të futbollit kosovar, kjo rezolutë do të jetë një mbështetëse e fortë e FFK-së në procesin e anëtarësimit të saj në UEFA e FIFA. Për ta përshpejtuar procesin, ata po mendojnë ta përgatisin edhe një ekip ekspertësh.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›