E Diel, 1 Nëntor 2026

Besa synon ta vazhdojë serinë pozitive

Ekipi më i mirë në stinorin pranveror Besa, synon ta vazhdojë serinë pozitive përballë Hysit. Pejanët kanë respekt për bardhezinjtë, por prioritet kanë fitoren. Në anën tjetër kampioni aktual i Kosovës ka preferuar të heshtë para kësaj sfide.

Xhiroja e njëzetenjëtë e Superligës së Kosovës në futboll, do të vërë përballë Besën, e cila e ka nisur shumë mirë stinorin pranveror dhe Hysin, që nuk e ka nisur mirë pjesën e dytë të kampionatit.

Pejanët nga tri takime të zhvilluara në pranverë kanë realizuar dy fitore dhe një barazim. Ata synojnë ta vazhdojnë serinë pozitive edhe përballë Hysit, të cilin e vlerësojnë lart.

“Kemi respekt për Hysin, që ka një fond të madh me lojtarë dhe një ekip mirë të komponuar. Por, ne jemi optimistë se do të vazhdojmë me rezultate pozitive. Fitorja është prioriteti ynë”, ka thënë trajneri i pejanëve, Valdet Shoshi për Express.

Në anën tjetër kampi i kampionit aktual të Kosovës ka preferuar të heshtë para kësaj sfide. Të kontaktuar nga Expressi, trajneri Aferim Tovërlani dhe kapiteni Mentor Zhdrella nuk iu kanë përgjigjur thirrjes në telefon.

Pas njëzet xhirove të zhvilluara në elitën e futbollit kosovar, Besa zë pozitën e gjashtë në tabelë me 29 pikë të tubuara, një më pak sesa Hysi që gjendet një pozitë më lart.

Të dielën ndeshje interesante do të zhvillohet edhe në Mitrovicë ku do të përballen dy ekipet që po luftojnë për mbijetesë, Trepça dhe Lepenci, ndërsa Vëllaznimi do të kërkojë fitore si mysafire e Gjilanit të rrezikuar për të mbetur edhe më tej në garë për titull.

Superliga, xhiroja e 21-të

E diel

Besa – Hysi 13.15

Gjilani – Vëllaznimi 14.00

Trepça – Lepenci 14.00

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›