Inkuadrohu pak

Presidentes së Kosovës, Atifete Jahjagës duket se po i mjafton qëndrimi në zyrë pa u përzier shumë në punët e shtetit. E edhe aktorëve të tjerë politikë, nuk po u duhet shumë prania e saj nëpër evenimente që po vlerësohen historike për vendin.
Tash kur faktorët kryesorë vendës dhe ndërkombëtarë janë mobilizuar rreth përmbylljes së pavarësisë së mbikëqyrur, Jahjaga po qëndron anash.
Për këtë punë ajo ka bërë vetëm një deklaratë.
E rolin e figurës unifikuese tashmë në duar e ka marrë Kryeministri Hashim Thaçi, i cili ka arritur të tubojë liderët e partive pa ndonjë problem për të diskutuar “çështjet madhore” siç konsiderohet përmbyllja e pavarësisë së mbikëqyrur.
Nevojën për përfshirje më të madhe të Presidentes e kanë theksuar përfaqësues të partive të pozitës dhe opozitës.
Deputeti Arsim Bajrami nga Partia Demokratike e Kosovës, ka thënë se Jahjaga duhet të inkuadrohet në gjithë procesin, të cilin e quan historik.
“Është më së e rëndësishme që edhe Presidentja të kyçet në këtë proces duke e ditur madhështinë dhe rëndësinë e tij. Deri më tani, nuk është ftuar ngase realisht ky proces është duke u udhëhequr nga Qeveria e Kosovës, por gjithsesi ajo do të duhej të dalë me një qëndrim të vetin rreth këtij procesi”, ka thënë Bajrami për Express.
E, theks i dha inkuadrimit të saj në procesin që ka të bëjë edhe me kompetencat e saj si Presidente.
“Kjo pritet nga ajo në një të ardhme të afërme, sepse me përmbyllen e misionit të ICO’së, disa kompetenca si ato në fushën e sigurisë, do t’i kalojnë Presidentit të Shtetit. Andaj, normalisht që ka shumë rëndësi që ajo të involvohet në proces”, ka thënë eksperti i së drejtës kushtetuese.
Arsim Bajrami theksoi se procesi i përmbylljes së pavarësisë po udhëhiqet nga Qeveria dhe kreu i saj, andaj konsideron se kjo e fundit është dashur që t’a ftojë Presidenten, por jo në këtë fazë.
“Nuk mendoj se deri tash është dashtë të ftohet se s’ka pasur për çka, por gjithsesi në fazën kur amandamentimet do të kalojnë në Kuvend, ajo duhet të involvohet në proces”, ka thënë Bajrami.
Mirëpo, jo të gjithë deputetët janë të butë karshi Jahjagës kur flasin për mosreagimin e saj për këtë proces.
Dardan Molliqaj nga Vetëvendosja ka thënë për Express se nuk pret fare që Jahjaga të dalë me një qëndrim në lidhje me proceset politike në vend.
Molliqajt nuk i doket e çuditshme që Presidentja e Shtetit është kaq e heshtur
.
“E çuditshme është mënyra se si është zgjedhur ajo si Presidente e Kosovës”, ka thënë Molliqaj.
“Tash me këtë pasojë prej mënyrës së zgjidhjes ne as që mund të presim diçka nga ajo dhe për atë mendoj se nuk ia vlen as të komentohet për qëndrimet e saj, sepse nuk shquhet Presidentja e Kosovës për qëndrimet e saj”, shtoi ai.
E, me ironi e komentoi edhe deputeti i Lidhjes Demokratike, Lutfi Haziri heshtjen e Presidentes, duke thënë se Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi po e luan edhe rolin e saj.
“Po shiko, realisht Hashim Thaçi është tue e krye rolin edhe të Kryeministrit edhe të Presidentit”, tha ai për Express. Ndërsa, Presidenten Jahjahga e quajti të vonuar.
“Për çdo proces dhe ç’do ndodhë në Kosovë, ajo është e vonuar. Deklarata dhe qëndrime politike duhet të ketë gjithmonë, edhe sidomos për procese të rëndësishme, sidomos nga Presidenti.
Realisht ajo me statusin që e ka dhe me pozicionin që e ka është duke bërë mjaftueshëm. Me vetë faktin që nuk është involvuar nuk duhet me reagu për diçka, por, procesi i përmbylljes së pavarësisë së mbikëqyrur është ndodhi kryesore e këtij viti dhe natyrisht pritet që ajo të dalë me një qëndrim, por tash i ka hupë edhe kuptimi, i ka hupë rrjedha edhe reagimit”, ka thënë Haziri.
Ndryshe, procesi i përmbylljes së pavarësisë së mbikëqyrur është duke vazhduar. Të mërkurën, Kryeministri Thaçi ka mbledhur në zyrën e tij në ndërtesën e Qeverisë përfaqësues të partive politike dhe të autoriteteve ndërkombëtare për, siç thuhet, diskutim rreth këtij procesi.
Ambasadori amerikan, Christopher Dell, Shefi i ICO’së, Pieter Feith, Blerim Shala nga AAK’ja dhe Ibrahim Makolli nga AKR’ja ishin në këtë takim. Refuzim ndërkaq mori nga i pari i LDK’së, Isa Mustafa, e krejtësisht të anashkaluar mbetën përfaqësuesit e Vetëvendosjes.
Dardan Molliqaj tha se nuk kanë marrë ftesë fare, ngase temat e takimit kanë të bëjnë me pazare të reja politike, të cilat VV’ja i konsideron të dëmshme për Kosovën.