Veriu, mes Ahtisaarit dhe ndarjes
Veriu i Kosovës përtej lumit Ibër, i dominuar nga serbët, është terreni ku Prishtina dhe Beogradi thyejnë shtizat më së shumti. Ky territor është në fakt pengesa kryesore për rregullimin e marrëdhënieve dhe njohjeve reciproke mes dy vendeve. Sot veriu pjesërisht qeveriset nga Prishtina e Beogradi e pjesërisht mbetet i paqeverisur. I mandatuar nga Këshilli i Sigurimit të Kombeve të OKB-së, Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), në vitin 2006, Marti Ahtisaari negocioi një varg mekanizmash për mbrojtjen dhe zhvillimin e të drejtave të serbëve në Kosovë, një plan që i referohemi me emër të tij. Ahtisaari dizajnoi planin e tij me premisën se ‘Kosova meriton të bëhet e pavarur, por për faktin se autoritetet kanë dështuar në garantimin e të drejtave të komuniteteve, mekanizma të fuqishëm dhe mbikëqyrje mbi autoritetet e pavarura duhet vendosur”. Këta mekanizma përfshijnë mes tjerash zhvillimin e një decentralizimi asimetrik me kompetenca të zgjeruara për komunitetet dhe komunat me shumicë serbe, etj. Këto dispozita u pranuan si koncesione të dhimbshme nga përfaqësuesit shqiptarë dhe si çmim për pavarësimin e vendit. I paketuar me rekomandimin për pavarësinë e Kosovës, plani u refuzua nga Beogradi dhe serbët edhe pse shumë serbë e shihnin pjesën e mbrojtjes së të drejtave të komuniteteve si bazë të fuqishme për ruajtjen e ekzistencës së tyre në Kosovë. Shumica e Perëndimit përkrahu fuqishëm planin, por ky plan dështoi të marrë lejen e KS-së së OKB-së. Në fakt, statusi aktual i veriut dhe i marrëdhënieve Kosovë-Serbi është rrjedhojë e mosaprovimit të Planit nga KB-ja. Meqë nuk ndodhi, Kosova duhet të ballafaqohet me këtë realitet dhe të jetojë me pasojat e saj për shumë vite. Në rrafshin ndërkombëtar, kjo do të thotë se Serbia do të ruajë të drejtën e vetos sa i përket anëtarësimit të Kosovës në OKB, ndërsa në rrafshin e brendshëm, popullata serbe e cila masivisht refuzon të integrohet, do t’i rezistojë shtrirjes së shtetësisë së Kosovës në atë pjesë. Prishtina bëri arritje të mëdha në integrimin e komunitetit serb në jug dhe planifikojnë që të njëjtin ta aplikojnë edhe në veri. Edhe shumë partnerë ndërkombëtarë të Prishtinës mendojnë se me kohë modeli i aplikuar në jug do të integrojë edhe veriun. Disa të tjerë, kryesisht të komunitetit serb, mendojnë se integrimi i serbëve në jug është vetëm sipërfaqësor dhe se situata në veri është krejtësisht e ndryshme. Në fakt, ndryshon shumë dhe kërkon qasje tjetër. Prishtina ndihet e hidhëruar se pse mu pas zbatimit të planit të Ahtisaarit në jug dhe fuqizimit institucional të komuniteteve, Beogradi kërkon kompromis, duke bërë publike platformën e tij për ndarje. Ata për disa muaj iu përmbajtën qëndrimit se ‘Ahtisari ose në të gjithë territorin ose askund”, por të shtyrë nga partnerët ndërkombëtarë dhe monitoruesit e pavarësisë, që të fillojnë aty ku është e mundur Qeveria e Kosovës suksesshëm implementoi pakon në jug, por kanë dështuar të krijojnë kanale qoftë edhe më të vogla komunikimi me veriun për ta implementuar planin në veri. Për këtë, ata hedhin fajin te Beogradi dhe bashkësia ndërkombëtare. Pas disa vitesh një presion i fuqishëm u shfaq mbi Beogradin. Kancelarja gjermane, Angela Merkel, kërkoi nga Beogradi shuarjen e strukturave të saj në veri të Kosovës. Disa ditë më vonë, BE-ja mori vendim të përkrahë Prishtinën në vendosjen e kontrollit kufitar dhe doganor në pikat veriore kufitare me Serbinë. Vendosja e kontrollit kufitar në veri është një e arritur e madhe, por nuk do të zgjidhë statusin e komunitetit serb dhe çështjen e integrimit të tyre në institucionet e Kosovës. Po ashtu marrëdhëniet në mes të dy vendeve do të mbesin të vështira. Autoritetet në Prishtinë insistojnë se pas vendosjes së kontrollit do të vazhdojnë me implementimin e planit gjithëpërfshirës të Ahtisaarit në veri. Shumica shqiptare kërkon që Prishtina t’i mbetet besnike planit dhe të mos ofrojë asgjë më shumë. Serbët në veri në mënyrë kategorike refuzojnë planin dhe e shohin si diç që iu merr të drejta dhe u jep shumë më pak se çfarë ata kanë sot. Beogradi kërkon ndarjen dhe nuk ka plan tjetër alternativ. Po ashtu, shumë politikëbërës perëndimorë mendojnë se Plani i Ahtisarit nuk mjafton për integrimin e serbëve në veri dhe pranimin e Kosovës nga ana e Serbisë.
Zërat shtohen gjithnjë e më shumë për një status autonomie për veriun. Me të drejtë zgjidhjen duhet kërkuar brenda kornizës së mosndryshimit të kufijve, por kush do të bëjë hapin e parë? A mund që dinamikat në Prishtinë, Beograd dhe Bruksel të përputhen asisoj që të arrihet një zgjidhje e pranueshme dhe gjithëpërfshirëse? Aktorët llogarisin se koha punon në favorin e tyre. Sot, Beogradit i ngutet që të zgjidhë disa çështje me Kosovën të kërkuara nga BE-ja për të fituar statusin e kandidatit për anëtarësim në BE, duke ruajtur edhe me tutje mundësinë e realizimit të planit të saj për kompromisin historik, ndarjen e Kosovës. Prishtina do të duhet të dialogojë me veriun, me Beogradin. Duhet bërë një ofertë konkrete dhe bindëse serbëve në veri dhe të bëjë gjithçka që është e mundur për ndërtimin e marrëdhënieve diplomatike me Beogradin. Mekanizma të fuqishëm mirëbesimi, qoftë përmes dialogut të drejtpërdrejtë duhet ndërtuar. Në këtë marrëdhënie Kosova ka nevojë të arrijë integrimin e serbëve të pjesës veriore në jetën institucionale dhe njohjen nga ana e Serbisë. Të dyja janë shumë të rëndësishme për funksionalizimin e shtetit dhe ndërkombëtarizimin e shtetësisë së Kosovës. Sot, bashkësia ndërkombëtare po kërkon nga Beogradi të njohë kufirin dhe Doganat e Kosovës, nesër faktorët e njëjtë do të kërkojnë nga Prishtina të ofrojë një status më të avancuar se plani i Ahtisaarit për veriun.