Edhe kockat e opozitës po e bojkotojnë “kursin e ri” të Ramës
Përçarja e opozitës po vjen gjithmonë duke u thelluar edhe më shumë. Në tryezën e opozitare të thirrur për herë të dytë nga kreu i PS-së Edi Rama, tre parti opozitare kanë refuzuar ftesën dhe janë distancuar me diplomaci prej qëndrimeve politike të Partisë Socialiste. Për të dytën herë radhazi Skënder Gjinushi kryetar i Partisë Socialdemokrate, Vangjel Dule i Partisë për të Drejtat e Njeriut dhe Spartak Ngjela i Partisë anonime Ligj dhe Drejtësi kanë refuzuar ftesën për t’u ulur në sofrën opozitare për t’i dhënë një mesazh të qartë kreut të këtij formacioni politik. Megjithëse Preç Zogaj i ngarkuar për të folur me median rreth takimit të dytë opozitar u përpoq të theksonte se të tre përfaqësuesit ishin jashtë Shqipërisë, prandaj munguan. Është çudi që Preç Zogaj përdor të njëjtin justifikim si herën e parë, me datë 8 shtator, ku po të njëjtët kryetarë të Partive opozitare mungonin. Dhe dy indicie janë një provë, në gjuhën e fakteve gjyqësore.
Kursi i ri ka filluar të çalojë. Kursi i ri politik, i shpallur nga Partia Socialiste, si duket ka lënë të pakënaqur një pjesë të mirë të aleatëve të saj. Pakënaqësi, që deri para pak ditësh, janë shprehur nëpër komunikimet mediatike, por që dje janë shfaqur edhe në formën e refuzimit. Në fakt është se si Dule, ashtu edhe Gjinushi dhe Ngjela janë tre prej drejtuesve opozitarë me gjuhën më të ashpër ndaj Kryeministrit Sali Berisha, të cilët janë përdorur të etiketohet si frymëzues të linjës radikale dhe sot e kanë të vështirë të përtypin qëndrimin prapakthehu të Ramës. Treshja në thelb akuzon kryesocialistin për mungesë përgjegjësie dhe si pasojë mosfunksionim të opozitës në vend, kjo për arsyen se, sipas tyre, Rama ka shmangur të gjitha kontaktet me krerët e partive të opozitës që prej zgjedhjeve vendore të 8 majit. Gjinushi iu kundërvu politikës së shpallur nga Rama për një kurs të ri e bashkëpunim me maxhorancën duke kërkuar një opozitë më aktive e kundërvënëse. Ndërsa kreu i PDK-së, Nard Ndoka, pak kohë më parë lëshoi akuza të rënda ndaj shefit të opozitës Rama, madje e cilësoi atë si një bajraktar. Ai kërkoi nga PS-ja dhe opozita në tërësi një riorganizim të thellë duke nisur sipas tij që nga afrimi i figurave apo personave që janë larguar për arsye të ndryshme.
Politikat që po ndiqet nga PS-ja në këtë shtator po has një kundërshti të madhe si nga aleatët e majtë ashtu edhe kësaj force. Nuk janë vetëm reagimet kundërshtuese të Erjon Braces, apo Andis Harasanit dhe Kastriot Islamit, por edhe goditja në bazë që po i bën Gramoz Ruci. Ky i fundit është krahu i armatosur i xhaketave të vjetra brenda PS-së dhe i cilësuar si non-grata nga shteti amerikan që nuk pranon të aneksohet prej Partisë që e themeloi kur ishte Ministri i fundit i Sigurimit. Për t’i dërguar një mesazh kursi të ri të Ramës, që me fjalë të tjera do të thotë largimin e figurave të konsumuara dhe që përfaqësojnë të kaluarën, Gramoz Ruci përdori një metodë kundërzbulimi. Metoda konsiston në lojën e dyfishtë, pra në bashkëpunimin me kundërshtarin për të dëmtuar një palë mike. Kështu që ndodhi që në Këshillin e Qarkut të Fierit, ku PS-ja dominante me 15 këshilltarë më shumë të zgjidhej si kryetar një figurë e Partisë Demokratike. Ky ishte mesazhi që vinte nga Gramoz Ruçi që është një drejtues me shumë ndikim në Jug të vendit.
Sidoqoftë opozita e bashkuar doli të jetë një opozitë e munguar pa arsye. Gjinushi, Dule, Ngjela dhe Ruçi janë në moshë më të madhe, janë cinikë, kalkulatorë dhe ecin me këmbë në tokë. Ata e kanë të vështirë të kuptojnë një lider që bënte thirrje për revolta popullore në demonstratat e opozitës që manovron 180 gradë për t’u hequr krejt papritur si një politikan liberal, që shkruan, pikturon, këndon dhe jepet pas batutave. Kur Rama zuri të fliste me një për kursin e ri me një gjuhë tjetër shumë në nahijen e majtë u ndjenë të përdorur, tw fyer nw sedër e të shtrydhur si limon për një limonadë politike në restorant Krokodil. Zbutja e papritur e Ramës i kapi në befasi krerët e opozitës së bashkuar, që kur Rama u kërkon luftë ata janë për luftë, por kur Rama u kërkon të shkojnë me lule në dorë tek Saliu, ç’duhet të mendojnë?