Heshtja e Pezës: Nga malli apo nga halli?
Gazeta jonë e kishte shfaqur kohë më parë mendimin e saj se në Pezë, tani në prag të dashamirësisë së personaliteteve të komunitetit europian që po na nxit pa prâ për të përmbushur rekomandimet për statusin e kandidatit të anëtarësisë në BE, Peza nuk do ta kishte këtë herë atë nismën e rutinës së Edi Ramës, për të ngritur sërish lavdet e jashtëkohshme për figurën e stalinistit Enver Hoxha.
Vërtet që Peza, nuk ishte vetëm ajo e 16 shtatorit të historiografisë së shformuar, kur Enveri, pasi patkonjtë e kalit Miladin ishin zëvendësuar me patkonj të rinj të Velimir Stojniçit, kishte nxjerrë disa të vërteta poshtëruese për veten. Ndonëse kishte qenë vasali më i bindur i Miladinit, gjer në krimet ndaj shokëve, gjer në shitjen e interesave të atdheut, gjer në blatimin e postit të Sekretarit I të KQ të PKSH-së shokut Tito, tanimë i tregoi munxët M. Popoviçit. Me ardhjen e Stojniçit, ishte shprehur se ishte hija e M.Popoviçit, që e kishte katandisur atë, Enverin, si dytësor në këtë mbledhje-Konferencë. Na u trimërua tanimë kundër Miladinit, i cili e kishte vënë në rolin e shpërndarësit të ftesave dhe e kishte poshtëruar gjer në detyrën e lexuesit të rezolucionit që e kishin përgatitur të tjerët!Por Peza, e heshtur tanimë, ishte edhe vendbanimi i Edit, pranë atij të Dash Pezës.
16 shtatori i 2011-s mbeti në surdinë. Edhe të përditshmet e të përkohshmet që tërë zell, veçanërisht më 16 shtator, nxirrnin shkrimet patetike të Nexhmijes, që na qenkësh qenë dënuar me 11 vjet burg “nën akuza absurde(!)” (Parathënie e librit “Jeta ime me Enverin” , enti botues “Lira”, 1998), nuk e bënë sërish atë zhurmnajën e madhe , në të cilën dilte në plan të parë, sekondari Enver!
Libri “Zonja e Zezë”, një best-seller që u përhap në mënyrë të befasishme në botimet e të gjitha vendeve demokratike të botës, vetëm tani mori vulën e vërtetësisë në ambientet e medieve tona dhe shtypit tonë të majtë, nën varësinë e E, Ramës, me këtë shurdhëri të Pezës.
Në “Refleksionet” me autorë e.r.-në dhe a.k.-në (Edin dhe Ardian Klosin), në faqet 191-198, çfarë nuk shkruhet për shtypin e majtë, si falsifikator, mashtrues, “një lojë që vetëm në periudhën e komunizmit mori përmasa të tilla asfiksuese”. Kryepropagandistja indoktrinuese ishte ZP-ja e cila, duke përfituar nga inicialet, quhej Kurva Plakë.
Por ja që bash kjo ZP sot bën propagandën e Edi Ramës, që po përpëlitet si peshku në zall që të quhet si i besueshëm në përrallat e tij (si “Përralla e peshqve të kuq” (f. 186), paçka se Edi Rama është përgjegjës në vetë të parë, për ato ekzaltime që i janë bërë E. Hoxhës në Pezë, në 16 shtatorët e mëparshëm, me përjashtim të këtij viti kur, me tepër vonesë iu shpif në tru që të hiqet si properëndimor dhe ithtar i SHBA-ve. Ai harron shpejt. I doli nga mendja se pak javë më parë shtypi dhe mediet e tij kishin shprehur pakënaqësitë e tyre (me urrejtjet brenda), duke botuar G. Ruçin që ankohej për faktorin ndërkombëtar që “na sillej nëpër këmbë” dhe disa nga propagandistët e tij të shthurur dhe anarkistë të cilëve nuk u gjente shpirti karar pa ato pehlivanllëqet rrug(açë)rore me bashkiakët e mëparshëm, që çonin kontingjentet e tyre, me paret që i shpërndante ditën për diell F. Xibri. Kamerat amatore i morën nga afër këto afera korruptive për të bërë rrëmuja dhe zallamahí me anë të nostalgjikëve dhe të mëkatarëve të diktaturës.
Pak rreshta më sipër kemi përmendur njërën nga “përrallat” e atij libri që përfundoi në autodafé nga vetë autorët e tij. Atje flitet për “Republikën e Ujit të Kuq (lexo: për nostalgjikët fanatikë të komunizmit). Në krye të komunistëve na ishte “shoku peshkaqen që de jure quhej Sekretar i Parë për mbrojtjen e Pigmentit të Kuq, por që de facto ishte pasha i ligjshëm i atij komuniteti peshkuqaloshësh”. Në këtë pasazh nuk është e vështirë të dallojmë shokun Enver. Ata që dyshojnë për këtë, se alegoria na qenka e thellë, le të shohin më tej: “Pashanë plak pak e donin, shumë e urrenin, por nuk guxonin ta imagjinonin vdekjen e Tij. Ai e pat bërë njëherë provë të vdiste, një prill të harruar, duke i tallur keq peshqit , se e bënë qull në lot pashallëkun. Qanin të gjorët se u vdiq koka, por ai i përqeshte mbi dallgët e vdekjes”.
Ndonëse këtu nuk kemi art, por zell (të shtirë) antikomunist, le të shohim edhe fizionominë hipokrite të Ramiz Alisë, që s’është i vështirë të dallohet në atë kinsealegori, në emrin e Rojës Dinak: “Vullnetari poshtë ulërinte: - O tufë e kuqe, mos harro se ç’bëri shoku Peshkaqen për ty. Ndërsa Roja Dinak s’dinte ku të futej nga zemërata e Besnikëve dhe e Vullnetarëve. Ai mundohej të tregohej sa më i qetë, mundim ky që ia stërhollonte zërin femëror kur deklamonte para peshqve formulën e tij as peshk as mish: - Peshqërí: Peshkokracia është e të gjithëve. Republika e Ujit të Kuq as hapet, as mbyllet”.
Janë pikërisht këta autorë që tallen me vdekjen e Enverit, që tani janë, pa asnjë dyshim, enveristë me damkë. Ata veteranë, që dikur (1991) kërkohej të shkonin në plumb, tani janë sup më sup me Edin, për të bërë apoteozën e Enver Hoxhës ( jo vetëm në Pezë, por edhe në muret e m. Jashtme! Pa harruar edhe ngrehinën e sarkofagut të tij virtual). Tani edhe Edi është me atë kontingjent “peshqish të kuq” që mbytën dynjanë me ulërima dëshpërimesh e kërcënimesh që ky “peshkaqen” të mos hiqej nga varrezat e dëshmorëve e të vendosej në një varr, si varret e tjera, në varret e Sharrës. Mos të harrojmë, në parantezë, se disa nga shokët e ngushtë të Peshkaqenit, që s’ia kishin asfare me të keq, madje e donin si sytë e ballit, përfunduan pa varr, të ekzekutuar për gjepura debatesh, ta zëmë për heqjen e gradave! Si Stalini, që i tha ish- shokut të ngushtë Orxhenikixe që të vriste veten e t’i bënin një varrim madhështor, përndryshe... (retiçenca tregon se Orxhenikixe , faji i të cilit qëndronte në moslavdërimin sa duhej të shefit të tij në një libër kujtimesh, do të përfundonte si Kamenievi: I torturuar dhe i ekzekutuar. Ndonëse ky kishte votuar dikur për Stalinin, kundër Trockit!).
Duhet të themi edhe se “Republika e peshqve të Kuq”, nostalgjikët e Enverit apo Klasa e Re e Milovan Gjilasit, përfaqësojnë të njëjtën dukuri të regjimeve totalitare komuniste. Është ajo klasë që përftohet në diktaturën e kuqe, me privilegje të jashtëzakonshme nga ana e partisë-shtet, që pronën kolektive e shfrytëzonte për vete, duke e lënë popullin në varfëri ekstreme. “Në sistemet komuniste, - shkruan Gjilasi, diskriminimi ideologjik shfaqet nga njëra anë si ndalim për të menduarit ndryshe dhe, nga tjetra, si imponim i ideve totalitare. (...) Kufizimi i lirisë së mendimit është jo vetëm një sulm kundër grupeve të caktuara politike apo shoqërore, por edhe kundër vetë personit, si i tillë. Por ata që s’pranojnë “mendimin ndryshe” për interesat e tyre superegoiste, do të gozhdohen në shtyllën e turpit të historisë (Fytyra e totalitarizmit, f. 314-315). Duket se autori ka bërë portretin e Edi Ramës.
Shumë personalite kanë braktisur idetë fillestare komuniste për të përqafuar demokracinë pluraliste. Ezra Paundi është ndër këta. E përmendëm se i përqafoi mendimet demokratike, me bindje e dlirësi, duke u bërë laureat i çmimit Nobel. Por e anasjella është thuajse një dukurí inekzistente. Ndër përjashtimet hyn edhe Edi Rama. Përmendet vetëm për fatkeqësitë e njëpasnjëshme që i ka sjellë vendit, me driblimet e tij aventureske, në bashkëpunim me atë grupim që përbën nostalgjinë enveriste në vendin tonë. Edhe tani është bërë i pabesueshëm, kur thotë se do të japë kontributin e tij për ligjet me 3/5-at dhe nuk vonon të përgënjeshtrojë vetveten, siç e ka përgënjeshtruar në raste të panumërta.