Veriu nuk përbën përjashtim
Vëzhguesit, të funksionimit të Kosovës së pavarur dhe sjelljes politike radikale të Serbisë, ndër disa dukuri, mund të veçojnë tri : Beogradi, Kosovën si territor, si shtet, si qeverisje, si politikë, si mbështetje nga 89 vende (deri më tani), nuk e quan të paqenë, por të pavlefshme, deri edhe e qesëndis me “i ashtuquajtur shtet”; Kosovën “e njeh” për përfitime ekonomike, sepse drejt saj Serbia eksporton sasira të mëdha mallrash, duke u përkujdesur ta mbaj të përmbytur tregun e saj me to, edhe për interpretim si “dëshmi veprimi në territor të vet”, ku grumbullojnë para nga blerësit shqiptarë - “e vetmja dashuri për ta”; Serbia, konfliktin e tejzgjatur, nën termin politik “konflikt i ngrirë”, i shpallur strategjikisht qysh pas humbjes së luftës, e zbaton në dy rrafshe - konfliktin e ftohtë e shtrin mbi tërësinë e shtetit të Kosovës së pavarur, ndërsa konfliktin gjysmë të nxehtë e lokalizon në veri, përtej lumit Ibër, ku u koncentrua me shpejtësi një numër serbësh, aspak rastësisht, veç për t’u përdorur në mision: ky territor i ngushtë, me popullsi të vogël, të mbahet portë e hapur për Beogradin, derë e mbyllur për qeverinë e Kosovës, problematik për EULEX, KFOR, BE dhe SHBA.
Zbritja, aty, e zyrtarëve të lartë të Beogradit, sa herë thirren apo u duhet të shkojnë, shprehet si veprim force kaçakësh, që ka lypur vetëpërmbajtje të madhe të Prishtinës, për hir të qëllimit. Çdo manifestim politik i serbëve atje, votim, protestë, bllokadë, djegie, vrasje, shpërthim me tritol a referendum kundër shqiptarëve, kryhet nën parullën “Kosova është Serbi”, dhe vendosen në një dekor ku nuk mungon portreti i Vladimir Putin. Ata orkestrohen nga Beogradi, dhe kjo gjendje do të vazhdojë deri atëherë sa të detyrojnë Serbinë të zhbëjë politikën e konfliktit të ngrirë. Zgjidhja e domosdoshme nuk duhet të synohet duke shtrënguar Kosovën, sipas mendësisë së papranueshme, “je më e dobët, tërhiqu”. Kosova nuk është e dobët, sepse shteti i saj administron territorin e vet. Kosova ka qenë e dobët njëherë, kur në bashkëpunim me aleatët e saj, bëri kompromis historik të dyfishtë - me veten, sepse përjashtoi bashkimin me Shqipërinë si zgjidhja më drejtë, - me Planin Ahtisaari, sepse pranoi ngritjen e pakicës serbe në nivelin e të drejtave kombëtare, njëlloj me shumicën dërrmuese; Kosova, siç pati mbështetje për t’u çliruar dhe për t’u pavarësuar, meriton mbështetje edhe për vendosjen e rendit e të ligjit në veri, sepse e drejta e saj është integriteti territorial dhe kompromisi maksimal.
Kosova është shumë konstruktive me shtetet me të cilat kufizohet, përfshi Serbinë - dhe jo për shkak të vogëlsisë e dobësisë; shqiptarët e Kosovës sillen të përmbajtur, madje edhe përballë provokimeve të rëndomta të Beogradit me pushtetin paralel, arrestime nxitëse, shpërthime terroriste, bllokime të zgjatura, djegie të pikave kufitare, vrasje të policëve dhe qytetarëve. Të gjitha, për të përçuar kumtin e mosnjohjes së pavarësisë, mosavitje të qeverisë së Prishtinës në ato territore, veriu të spastrohet nga shqiptarët dhe të merren përfitime politike drejt Bashkimit Europian.
Por, veriu nuk përbën përjashtim nga pjesa tjetër e serbëve që jetojnë në komuna në brendësi të Kosovës. Të qënit përtej lumit Ibër dhe në kufi me Serbinë, nuk u jep atyre banorëve asgjë më tepër përveç rolit për të interpretuar konflitin e ngrirë të Beogradit. Ajo që ndodh në veri, nuk vjen nga padrejtësi të qeverisë së Kosovës ndaj tyre; nuk shkaktohet nga gjendje më e keqe e ekonomike; nuk nxitet nga diferenca të paqena me serbët poshtë lumit Ibër. Veriu është krejtësisht si brendësia e territorit, por veriu përdoret si lehtësi për të zbatuar praktikisht konfliktin e ngrirë, sipas agjendës politike të Beogadit, kundër Kosovës dhe kundër Perëndimit. Serbët e veriut nuk kanë asgjë më pak se qytetarët e tjerë të Kosovës dhe as më shumë se bashkëminoritarët serbë në komuna të tjera, le të themi të Graçanicës.
Pse-ja, e atyre që ndodhin në veri, dihet: Serbia mëton të vërtetojë në terren mosnjohjen e Kosovës, me mospranimin e pavarësisë nga veriu i shtetit të Kosovës. Nëse veriu do të rrinte pa veprim, ngjashëm si në komunat në brendësi, Serbia nuk do të mbante dot konfliktin e ngrirë, zyrtarët e lartë nuk do të shkonin aty lehtësisht si në një territor serb. Nëse pakica serbe në brendësi do të vepronte si ajo në veri, dhe bashkë me ta, kjo do të interpretohej si përpjekje pas luftës, për të rrëzuar shtetin dhe vënë Kosovën nën Serbi, gjë që do t’i nxirrte shqiptarët nga “kulla e durimit”. Por, ajo, do të qe aventurë, krejt e padobishme për ta, dhe Serbia e di mirë këtë. Konflikti nuk buron nga ata pak serbë në veri - përjashto strukturat kriminale - por konflikti, si jetë e përditshme politike, i imponohet veriut për të dëshmuar mosnjohjen dhe dëmtuar Kosovën. Bisedimet duhet të zhvillohen pa kushte dhe aspak për veriun, çka do të thotë që, qeveria e Kosovës dhe ndërkombëtarët, bashkëpunimin e tyre ta mbështesin mbi integritetin territorial të të dy vendeve dhe mosndërhyrjen e ndërsjellë në qeverisjen e secilit vend. Komuna e Mitrovicës së veriut dhe tri komunat e tjera në kufi me Serbinë, janë si dhe komunat e tjera në thellësi të Kosovës, pa asnjë të drejtë më shumë apo mohim të drejtash, si gjithë komuniteti serb, aq sa është dhe atje ku është. Tri komunat në veri dhe Mitrovica e veriut, si të tjerat nëpër Kosovë, gjenden para një detyre të pashmangshme: të shpërbëjnë pushtetin paralel, t’i kthehen bashkëjetesës, të marrin pjesë në qeverisje të përbashkët. Po, ky është kusht. Dhe, duhet jetë kusht. Kusht që serbët të kthejnë fytyrën nga shteti i Kosovës, sepse shteti i Kosovës e ka të kthyer fytyrën dhe të gjithë vëmendjen kah pakica serbe.
...