Vërmicë: Brenda 24 orëve mbi 32 000 hyrje dhe dalje

Prishtinë, 5 gusht - Gjatë muajit korrik të këtij viti janë regjistruar mbi 1.6 milionë qytetarë të kenë hyrë ose dalë nga pikë kalimet kufitare në territorin e Republikës së Kosovës. Pikë kalimi kufitar më i frekuentuar vazhdon të mbetet ai i Vërmicës (Republikë e Kosovës - Republikë e Shqipërisë), ku vetëm gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar mbi 32 000 persona në hyrje dhe dalje, thuhet në një komunikatë të policisë. Policia është duke zbatuar marrëveshjen e mirëkuptimit të nënshkruar më parë në mes të Policisë së Republikës së Kosovës dhe Policisë së Republikës së Shqipërisë. Sipas marrëveshjes së nënshkruar, gjatë 3 muajve të sezonit turistik veror, kontrolli i hyrje-daljeve në vendkalimet kufitare Kosovë - Shqipëri ushtrohet vetëm në njërën nga pikat doganore. Kjo marrëveshje përfshin edhe patrullimin e përbashkët të dy policive dhe kjo ndihmon në parandalimin e aksidenteve në trafikun rrugor e sidomos atyre me pasoja fatale.