E Diel, 1 Nëntor 2026

Flet ish-kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kristaq Kume

04-06-2011 / Gazeta 55

Kristaq Kume: Kur gjykata shprehet, çështja pushohet

“Gjykata është shprehur dhe vendimi është i formës së prerë”. Kështu u shpreh dje ish kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Kristaq Kume, pas shpalljes së vendimit të Kolegji Zgjedhor lidhur me ankimimin e Partisë Socialiste, për të shpallur të pavlefshëm vendimin e KQZ-së, të datës 23 maj, i cili shpalli Lulzim Bashën fitues të bashkisë së Tiranës, me 81 vota më shumë. “Aktualisht kemi një vendim të gjykatës dhe kjo do të thotë se çështja pushohet. Ky vendim është i formës së prerë. Mbetet në fuqi vendimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të miratuar në 23 maj”- u shpreh Kume. Ai e vlerësoi vendimin e Kolegjit si të bazuar në ligj dhe se me këtë akt vendimmarrës legjitimohet vendimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në numërimin e votave të kontestuara si të vlefshme, pavarësisht kutisë ku janë gjetur. Sipas tij, zyrtarisht, Lulzim Basha është fituesi i bashkisë së Tiranës dhe se pas këtij vendimi ai merr mandatin e qytetarit të parë të Tiranës.

Neni 158 i Kodit Zgjedhor

Llojet e vendimeve të Kolegjit Zgjedhor
1. Në varësi nga çështjet në shqyrtim, Kolegji Zgjedhor vendos:
a) pushimin e gjykimit;
b) gjykimin e çështjes në themel; ose
c) detyrimin e KQZ-së për të marrë vendim.
2. Pushimi i gjykimit vendoset kur Kolegji Zgjedhor konstaton se
ankimi është paraqitur jashtë afateve të përcaktuara në këtë Kod ose për
mungesë kompetence. Kur Kolegji Zgjedhor vendos mungesën e
kompetencës, ia dërgon çështjen organit kompetent.
3. Me gjykimin e çështjes në themel, Kolegji Zgjedhor vendos pranimin
e plotë apo të pjesshëm të padisë ose rrëzimin e plotë apo të pjesshëm të
saj.
4. Kolegji Zgjedhor vendos detyrimin e KQZ-së për të marrë vendim,
në zbatim të pikës 2 të nenit 145 të këtij Kodi. Në këtë rast Kolegji Zgjedhor
cakton afat të prerë për marrjen e vendimit jo më të gjatë se 10 ditë.
5. Vendimi i Kolegjit Zgjedhor është i formës së prerë. Ndaj tij nuk
bëhet ankim.
6. Kolegji Zgjedhor është i detyruar të zbardhë vendimin jo më vonë
se tre ditë nga data e dhënies së tij.

KQZ: Vendimi i datës 23 maj, i bazuar në ligj

Seanca e Kolegjit Zgjedhor nisi dje me dëgjimin e pretendimeve të palës së paditur, përfaqësuesit ligjor të KQZ. Zonja Dëshira Pasko përfaqësuese juridike e Komisionit Qendror Zgjedhor deklaroi se pretendimi i PS-së është i pabazuar në ligj. “Vendimi i 23 majit është bazuar në ligj. Votimi i aktit u bë pa kundërshtim nga partitë”- deklaroi Pasko duke shtuar se “akti normativ trajtoi kërkesat e 9 KZAZ për numërimin e votave”. Sipas saj, çdo vendim i KQZ-së ka patur si primar zbatimin e ligjin si dhe interpretimin e drejtë të votës së qytetarëve.

PD: Nuk mund të ndëshkohet vullneti i zgjedhësve

Përfaqësuesi i Partisë Demokratike në Kolegjin Zgjedhor, Ivi Kaso argumentoi se nuk mund të ndëshkohet vullneti i zgjedhësve vetëm sepse mund të kenë hedhur fletën e tij të votimit në kutinë e gabuar. Ai konstatoi faktin se vendimmarrja e KQZ është e bazuar në Kodin Zgjedhor. “Nuk dëgjuam të flitej për të drejtën e votës. Fletë të vlefshme janë hedhur në kutinë e gabuar ndaj nuk mund të ndëshkohet vullneti i zgjedhësve”- u shpreh juristi Kaso. Sipas përfaqësuesit të PD se akti i paraqitur është akt i ndërmjetëm dhe jo normativ. “Forma e këtij akti është jo e njëjtë me përmbajtjen, ai është akt individual”- tha Ivi Kaso. Nga ana tjetër drejtoresha juridike e KQZ- së Dëshira Pasko solli në vëmendje të socialistëve se ky institucion i është referuar rekomandimeve të OSBE/ODIHR e cila ka theksuar faktin se duhet të rritet autoriteti i KQZ. Ndërkohë Partia Socialiste ka replikuar duke thënë se KQZ i ka hequr një paragraf të rekomandimeve të rekomandimeve të OSBE. Sipas përfaqësuesit të mazhorancës, KQZ përmbushi një nga detyrimet më të mëdha ligjore dhe Kushtetuese, duke numëruar me përpikmëri si dhe transparencë të plotë votën e qytetarëve.

Çudia/Numërimi i votave në kutinë e gabuar, në Tiranë PS e kundërshtoi, në Fier kërkoi numërimin e tyre

Votat të hedhura në kutitë e gabuara janë gjetur edhe në bashki të tjera në vend, siç është rasti i Fierit, por ato nuk janë trajtuar njëlloj nga Partia Socialiste. Në Tiranë, socialistët e kundërshtuan vlerësimin e votave të gjetura në kutitë e gabuara, por paradoksalisht në komunën Zharrëz të Fierit kanë kërkuar numërimin dhe pasqyrimin e tyre në tabelën përfundimtare të rezultateve. Këtë e vërteton një dokument i shkruar dhe i firmosur nga tre anëtarët socialistë të KZAZ-së 19, të cilët kërkojë numërimin e votave për kryetarin e komunës, që u gjetën në kutinë e këshilltarëve bashkiak, pasi kandidati socialist rezultonte humbës në këtë komunë. Nisur nga kjo ankesë, dhe me këto fakte KZAZ-ja 19 ka vendosur numërimin e tyre dhe përfshirjen e tyre në tabelën e përfundimtare të rezultateve. Një vendim i pranuar me qetësi nga kandidati i mazhorancës, i cili rezultonte fitues i kësaj gare para numërimit dhe që mbeti i tillë edhe pas vlerësimit të këtyre fletëve. “Unë do të thoja se është një vlerësim i drejtë nga ana e ankimuesve. U bë këqyrja e votave të dy kutive dhe ato u ri-panë dhe u bë vlerësimi përkatës i tyre”, tha kandidati i mazhorancës në këtë komunë, Taulant Garxenaj. Por në Tiranë, vendimi i KQZ-së për vlerësimin e këtyre votave ngjalli një reagim të shfrenuar të selisë rozë, mbajtjen për ditë me radhë të rrethuar zyrat e KQZ-së, deri sa nga selia rozë u lëshuan akuzat për manipulim rezultati. Në komunën Zharrës të Fierit kandidati i amzhorancës, në rezultatin paraprak fitoi vetëm me një votë diferencë ndaj rivalit të tij socialist. Në garë për këtë komunë ishin Arben Smanjaku nga “Aleanca për të Ardhmen” i cili mori 1683 vota, Taulat Garxenaj nga “Aleanca për Qytetarin”, i cili mori 1684 vota dhe kandidati i pavarur Alban Grembi, i cili mori 160 vota.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›