Vertikalja e kompromiseve
Hap pa kompromis qe vetëm i pari: çlirimi i Kosovës nga pushtimi serb. Ishte shumë i vështirë, por të tri palët u detyruan të bëjnë secila të tyren: shqiptarët sakrifikuan, deri në përsëritje të rrethanave thuajse biblike, por në kohët moderne; politika e rezistenës paqësore të Presidentit Ibrahim Rugova dhe politika e veprimit luftarake të heroit Adem Jashari, kur patën arritur kulmin, kishte ndodhur që, e para pati kaluar te e dyta; NATO ndërmorri luftën, në drejtim të secilës ishte SHBA. Pa SHBA, edhe rezistenca paqësore, edhe veprimi luftarak, do të lodheshin nga shterrimi i energjive përballë Serbisë, botës mbështetëse të saj dhe botës memece ndaj çështjes se Kosovës.
Aleatët e Kosovës, që udhëheqin zhvillimet bazë të globit, pas çlirimit të saj nga fuqia ushtarake e NATO-s, filluan të merrnin parasysh dhimbjet e Serbisë nga humbja e madhe me luftë, për të kthyer shtetin e egërsuar kah Perëndimi, duke nxitur e mbështetur demokratizimin, si rrugë e vetme për ndërtimin e marrëdhënieve të reja e të qendrueshme me Beogradin.
Prej kësaj strategjie të përpunuar, marrin nismë të gjitha kompromiset, ato që janë kryer dhe njihen dhe të tjera që opinioni ende nuk mund t’i dijë, pa u shtuar mbi tavolinë mes dy palëve, gjithmonë me ndërmjetësim. Kompromisi bazë, kryesor dhe më i madh që iu kërkua shqiptarëve, në vertikalen e thikshme të kompromiseve, ishte që Kosova të mos kërkonte bashkim me Shqipërinë. Këtë kusht e pranoi me realizëm edhe Presidenti Rugova, por duke vënë kufi: Pavarësia është kompromisi më i madh i shqiptarëve.
Serbia, pas çlirimit të Kosovës, ndërmori politikë dhe diplomaci energjike: bërtiti deri në kupë të qiellit për dhimbjen e humbjes; vajtoi për mosmundje të kthimit prapë në koloni; u thirri aleatëve të saj t’i bëheshin mbështetje pa kushte; bëri të zemëruarin me ata që morën pjesë në luftë dhe me ata që njohën menjëherë pavarësinë; ndërtoi konfliktin e ngrirë si veprim praktik; u kujdes t’i jepte Brukselit shenja se donte t’i bashkohet BE, por ruajti ftohtësinë ndaj SHBA si kryesuese e sulmit ushtarake dhe mbështetëse e fuqishme e Kosovës. Kësisoj, Serbia përvijoi portretin e një shteti të dobët, por megalloman; e mbushur me plot kriminelë, por i dorëzoi me pikatore; e emërton veten shtetin më kryesor në zemër të Ballkanit dhe me këtë mendësi gjeopolitike, kërcënoi pa prerë se, duan edhe BE edhe Kosovën, dhe se, pa Kosovën nuk e duan as BE. Perëndimi, duke besuar se do ta rifitonte Serbinë, ndërmori një politikë kompromisesh me të. Brukseli bëri më shumë hapa, dhe priti që t’i përgjigjej Beogradi. Por Serbia i hodhi hapat me llogari e vështirësi deri sa u shkua në hapa pasues, lëshime të BE-së, çapitje të Serbisë, dhe erdhi koha që në procesin e kompromiseve të forta të përfshihej edhe Kosova, e cila, ndoshta kishte menduar që, e kishte kryer kompromisin me pranimin e pavarësisë si maksimum, dhe besonte që, zhvillimet do të rrotulloheshin me më pak telashe përreth atij strumbullari të madh.
Pas pavarësisë si kompromis, jo vetëm zyrtarisht më 17 shkurt 2008, sepse pavarësia qe edhe një paradhënie politike, kompromisi për Planin Ahtisaari duket sikur ka të bëj me pavarësinë si zgjidhje, por në të vërtetë Plani përmbante ndërtimin e shtetit shumëetnik, thelbi i të cilit ishte që pakica serbe të barazohej me shumicën gati absolute shqiptare, njëlloj sikur serbët e paktë të qenë si gjysmë e popullsisë së Kosovës. Ky kompromis i shqiptarëve ka qenë mjaft i vështirë. Ai u pranua për hir të pavarësimit dhe mirënjohjes ndaj aleatëve, mbështetës dhe garantues, në kohën e luftës dhe të zhvillimit të shtetit në paqë. Thelbi i Planit nuk ishte dhënia e pavarësisë - ajo hetohej se qe paracaktuar, por pranimi i rrjedhimeve që buronin nga shumetnia. Sa i kërkuar është emërtimi multietnik, për Kosovën i detyruar, për Serbinë një shpërblim, sa shqiptarët i la gojë hapur atë ditë e sot, sqarohet edhe me statistikë: aq serbë sa janë në Kosovë, ose edhe aq sa ishin në kohën më të artë të sundimit absolut të Serbisë atje, numerikisht nuk mund t’i diktonte Kosovës shtetin shumëetnik. Por Serbia nuk u pajtua as me kaq dhe përpunoi politikën e kundërpavarësisë: i koncentroi serbët në veri për t’i përdorur lehtësisht në politikën bllokuese; manastiret e kishat, të shpallura zona të gjera veçanta, gati si ekstra territore, nuk e kënaqën; shtimi i numrit të komunave serbe iu dukën pak; serbishtja e shpallur gjuhë zyrtare çmohet si zbaticë e asaj gjuhe atje; vendet në kuvend, të fiksuara në numër të madh, përtej numrit sa mund të nxjerrë pakica, i keqpërdor; dhe e plot të tjera. Le të bëjmë një përqasje të Kosovës me Letoninë: në shtetin e vogël baltik, u organizua një referendum, për t’u vënë ose jo rusishtja si gjuhë zyrtare, duke qenë se atje një e treta e popullsisë janë rusë të zhvendosur aty, kryesisht që nga koha sovjetike. Referendumi e hodhi poshtë me rezultat njohjen e rusishtes si gjuhë zyrtare në Letoni. Po të organizohej një referendum i ngjashëm në Kosovë, serbishtja nuk do të mund të ishte gjuhë e barabartë me shqipen, sepse serbët në Kosovë janë ku e ku më pak se rusët në Letoni.
Kompromis është “krijimi i një kombi tjetër”, - atij kosovar, dhe vijimi i thirrjes së Kosovës si emërvend në serbisht - Kosovo, edhe nga zyrtarë të lartë të Prishtinës, kur ata flasin në anglisht nëpër botë, a thua se, po të thuhet Kosovo e jo Kosova, nuk e marrin me mend cili është ky shtet. Kësaj i janë shtuar elemente të tjerë, si për një popull të ndryshëm nga ai i Shqipërisë: për shtetin shumëetnik, tjetër flamur, gjashtë yje, ngjyra blu, harta e vizatuar si territor i shumëetnisë, himn ndryshe. Të gjithë këto elemente, së thelli kënaqin Beogradin dhe pezmatuan shqiptarët, por Serbia i kundërshton të gjitha për pavarësinë, ndërsa shqiptarët i pranuan të gjitha si kompromis për pavarësimin.
Njohjet domethënëse që ka siguruar Kosova, kanë një problem: vërtetë shtete të mëdha si Kina, Rusia, India e Brazili, të ashtuquajturat vende të BRIK-ut, me hijen e madhësisë së tyre, bëhen pengesë në shpejtimin e përmbysjes së njohjeve në favor të Kosovës, për të zënë vendin në OKB; por, më pengesë duket të jenë nëpër këmbët e BE-së, 5 vendet anëtare të saj, të cilat ajo s’ka fuqi t’i bindë a detyrojë të njohin pavarësinë, veçse kohë pas kohe u përsëritet thirrja: duhet ta njihni Kosovën! Por më keq se sa këto 5 shtete, Beogradi përdor pushtetin paralel dhe bllokimin në veri dhe mospjesëmarrjen e Kosovës në veprimtaritë rajonale. Serbia këtë e kryen thjesht dhe fort, sepse shtete ballkanike – Rumania, Greqia, Qipro dhe Bosnjë-Hercegovina, në mbështetje të Serbisë janë gati fanatike. Kjo, duke shtuar domosdoshmërinë që kanë BE dhe SHBA, por edhe vetë Kosova për një Serbi të demokratizuar, që t’i afrohet Brukselit, çuan në një kompromis tjetër, thuajse të papritur dhe mjaft të diskutueshëm në Kosovë: BE i ofroi Serbisë statusin e vendit kandidatit, por të mos penguar Kosovën në rajon. Serbia e pranoi kompromisin, por i kërkoi faktorit ndërkombëtar një kundërkompromis, që ta çonte Kosovën në kompromis, të hiqej Republika dhe të shënohej poshtë emrit Kosovo, Rezoluta 1244, që Kosova e llogarit diçka të shuar. Kosova, në të drejtën dhe ecjen e vet, gjendet e lodhur nga kompromiset pas kompromisit kryesor – pavarësinë dhe, me përvojat e veta, nga historia dhe aktualiteti, druan se po i thërrmohen nëpër tavolinat e politikës sakrificat e jashtëzakonshme, për shkak të sjelljes armiqësore të Serbisë. Shqiptarët nuk kanë asnjë iluzion: Beogradi bën hapa për të përfituar për pushtet dhe për të dëmtuar Kosovën, qoftë edhe duke cënuar kohezionin politik brenda saj, për shkak të kompromiseve që i duhet të bëj. Dilemat e njerëzve janë a mos Republika e tyre do t’u zëvendësohet me “Kosovo, 1244-GJND- 17.2.2008”, domethënë, të kenë një shtet- kod, të etapave historike: Rezolutën 1244 të OKB të vitit 1999, opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë më 22 korrik të vitit 2010 dhe Deklaratën e Pavarësisë më 17 shkurt të vitit 2008. Edhe shembujt që sillen s’janë të barasvlefshëm: Italy, France, Germany (pa republikë) nuk janë njëlloj me Kosovo (pa Republikë), sepse republika e tyre nuk tronditet nga asgjë, kurse Kosova e ka republikën të brishtë, që mbahet vetëm nga dy shtylla – sakrificat e mëdha të popullit dhe mbështetja e aleatëve perëndimorë. Të gjitha kompromiset e vështira të Kosovës janë ecje në teh të briskut, ato janë si zerot, të pakta a të shumta, që marrin vlerë kur u vihet përpara shifra 1. Dhe, shifra 1, për shqiptarët, janë SHBA si garantues, tek të cilët Kosova ushqen besim të jashtëzakonshëm, edhe kur kryen kompromise të vështira. Asnjë hutim s’duhet pasur: pa SHBA çfarë do të ishim? Deklarata e Hilary Clinton, vjen në emër të qeverisë së SHBA, të Departamentit t ë Shteti dhe të vet Klintonëve, që janë në themel të çlirimit dhe pavarësimit të Kosovës.