E Diel, 1 Nëntor 2026

Gazsjellësi Trans-Adriatik do sjellë në buxhetin e shtetit çdo vit 100 milionë euro të ardhura

26-02-2012 / Gazeta 55

Viti 2013 shënon fillimin e ndërtimit të projektit në të gjithë trasenë e tij

Një nga projektet më të mëdha në sektorin energjetik në rang ndërkombëtarë ai i Trans-Adriatik, që do të përfshijë edhe Shqipërinë me një investim me më shumë se 1 miliardë euro, do të sjellë çdo vit 100 milionë euro të ardhura për buxhetin e shtetit.
Kreu i grupit ndërministror për negociatat e projektit TAP, Majlind Lazimi u shpreh dje se ky projekt si një nga investimet më të mëdha në vend, përveçse do ta përfshijë Shqipërinë në hartën e përcjelljes së gazit në Europë do të ketë edhe përfitime fiskale dhe tregtare.
“Krahas përfitimeve ekonomike, projekti i TAP do nxisë dhe punësimin, veçanërisht në zonat të cilat do përshkojë. Projekti me më shumë se 1 miliardë euro investime, do gjenerojë çdo vit në arkën e shtetit 100 milionë euro të ardhura”, u shpreh Lazimi. Aktualisht sipas koordinatorit të TAP, Lazimi, negociatat kanë avancuar në dy drejtime si për arritjen e marrëveshjes mes qeverisë dhe TAP për lejet e nevojshme ashtu edhe në rang ndërqeveritar mes vendeve të përfshira në projekt. Ndër të tjera koordinatori i TAP u shpreh se viti 2013 do të shënojë fillimin e ndërtimit të projektit në të gjithë trasenë e tij si tokësore ashtu edhe ajror.
Hapat e parë të studimit kanë nisur tashmë në pjesën veriore të bregdetit Adriatik në Vlorë. Prej disa vitesh ekspertët e TAP kanë nisur studime të ndryshme në atë pjesë të territorit shqiptar ku do të kalojë gazsjellësi, kryesisht për impaktin mjedisor, social dhe ekonomik. Rezultatet kanë treguar se vendi ynë është një nga pikat kyçe të tranzitit si nga ana strategjike ashtu edhe ekonomike.
Konsorciumi i gazit natyror në Azerbajxhan përzgjodhi këtë javë, si variant më të mirë gazjellësin që kalon nga Shqipëria. Konsorciumi ngushtoi numrin e projekteve për gazsjellësit që do të furnizojnë tregjet europiane, duke refuzuar planin që mbështetej nga qeveritë greke dhe italiane. Konsorciumi që përbëhet nga kompanitë British Petrolium, “Statoil” dhe kompania shtetërore e Azerbajxhanit, “Sokar” kanë hedhur poshtë variantin rival Interconnector Turqi, Greqi-Itali duke favorizuar gazjellësin Transadriatic, TAP. Vitin e kaluar partnerët e konsorciumit nisën procesin e tenderimit për të përzgjedhur një rrugë për transportin e gazit në Europë. Dy projekte u përzgjodhën për të sjellë gazin drejt Italisë, ku tashmë i favorizuar është Gazjellësi TAP, i cili parashikon kalimin e gazit nga Azerbajxhani, Turqia, Greqia, Shqipëria dhe më pas në rrugë detare drejt Italisë. Gjatësia e tij nënujore nga Shqipëria në Itali është 115 km. Shuma e investimit për këtë projekt parashikohet të kalojë vlerën e 1 miliard eurove. “British Petrolium” tha se ky projekt përfaqëson një ofertë më të mirë, bazuar në tetë kritere duke nisur që nga leverdia e deri tek mundësitë më të favorshme për ndërtimin e tij.
Qeveria shqiptare është shprehur në mbështetje të gazsjellësit TAP dhe ka deklaruar se do të bëjë gjithçka që ky projekt të realizohet. Rrëzimi i projektit që kalonte nga Greqia, vendim i marrë për shkak të problemeve të krizës në këtë vend, favorizon më tepër Shqipërinë.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›