Veseli: Së bashku në Evopën e bashkuar

Për t’u uruar 100-vjetorin e pavarësisë qytetarëve të Shqipërisë, anëtari i Partisë Demokratike (PDK) Kadri Veseli tha se ka zgjedhur Hasin, sepse ka qenë vendi ku ai së bashku me Xheladin Gashin-komandant Plakun, Azem Sylën dhe shumë themelues e bashkëluftëtarë të tjerë ka ndarë bashkë me hasjanët të mirën e të keqën.
Në shenjë respekti dhe mirënjohje ndaj familjeve të dëshmorëve dhe të atyre që kontribuuan për çlirimin e Kosovës, përfaqësues të UÇK-së, zyrtarë të institucioneve të Kosovës dhe ata të Krumës kanë organizuar një tubim, ku janë kujtuar edhe një herë ditët e lavdishme.
Në emër të Bashkësisë së Krumës, të pranishmëve iu drejtua Adem Lala, i cili tha se ka ardhur koha që politikanët e të dyja vendeve të bashkohen dhe të plotësojnë amanetin për bashkim kombëtar, në mënyrë që 101-vjetorin e pavarësisë ta festojmë të bashkuar.
“I kisha bërë apel politikës kosovare, më shumë respekt për ata që dhanë jetën për liri, më shumë respekt për veteranët dhe familjet e tyre”, ka thënë Lala.
Kurse, ish-anëtari i Shtabit të Përgjithshëm dhe deputeti aktual i Kuvendit të Kosovës, Adem Grabovci deklaroi se ende mbetet rrugë me shumë sfida përpara. Ai tha se kemi nevojë për bashkim, sepse vetëm kështu do të shkojmë drejt integrimeve kombëtare dhe integrimin në Bashkimin Evropian.
“Ju falënderoj për bukën që keni dhënë, i falënderoj nënat hasjane për gotat e ujit, kur po na përcillnin përtej kufirit na jepnin një gotë ujë dhe një urim shumë domethënës dhe urimi më i madh i atyre nënave ishte kur na jepnin atë gotë ujë, ‘rrugë të mbarë, Zoti iu ndihmoftë’, dhe kjo ishte forcë për ne që nuk kishte asnjë rrezik që mund të na ndalte në rrugëtimin për liri”, ka thënë ai.
Ndërkaq, anëtari tjetër i Shtabit të Përgjithshëm, Kadri Veseli ka falënderuar shumë hasjanët e bukës, të besës dhe të luftës për ta çliruar pjesën tjetër të Shqipërisë.
Për t’i uruar 100-vjetorin e pavarësisë qytetarëve të Shqipërisë, Veseli tha se ka zgjedhur Hasin, sepse ka qenë vendi ku ai së bashku me Xheladin Gashin - komandant Plakun, Azem Sylën dhe shumë themelues e bashkëluftëtarë të tjerë ka ndarë bashkë me hasjanët të mirën e të keqën.
“Unë vetëm mund të jap këtë porosi për të dy anët e kufirit, t’i shembim këta kufi, të ndërtojmë rrugë, jo vetëm një rrugë por të ndërtojmë qindra rrugë që qytetarët tanë të bashkohen dhe të jetojnë të përbashkët në Evropën e bashkuar. Vetëm në këtë mënyrë mund të jetësojmë amanetin e atyre që kanë rënë në altarin e lirisë. Edhe një herë, hasjanë ju faleminderit për bukën, strehën, besën dhe jetën që dhatë për vendin e juaj, për Kosovën dhe Shqipërinë”, ka thënë Veseli.
Me nga një fjalë rasti të pranishmëve iu drejtuan edhe nën-prefekti Ismet Jaku, në emër të familjeve të dëshmorëve të Hasit, Tahir Mazrreku dhe në emër të Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së, Xhavit Jashari.
Kurse, në fund u shfaq një program kulturor dhe u hap një ekspozitë me tematikë “Hasi 1912-2012". /kosovapress/