E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tahiri: Dialogu duhet të rezultojë me njohjen e Kosovës

Zv/kryeministrja e Kosovës Edita Tahiri deklaroi se bisedimet e nivelit të lartë mes Kosovës dhe Serbisë duhet të rezultojnë me njohjen e Pavarësisë së Kosovës.

Tahiri në një intervistë për Alsat M, tha se Serbia duhet të pranojë realitetin se në Ballkan kanë lindur 7 shtete dhe se pa njohjen e saj, nuk mund t’i plotësojë aspiratat evropiane.

“Në dy takimet që kanë ndodhur dhe i treti që mund të ndodh së shpejti do thosha ka pasur lëvizje në planin e ideve. Po ashtu unë dua të besoj se një ndërmjetësim i fuqishëm dhe garanci që vjen nga BE dhe SHBA-ja do të detyrojnë Serbinë të sillet me të vërtet me politika evropiane në raport me Kosovën dhe vendet tjera në rajon. Prandaj BE-ja sa është vizion dhe aspiratë e jona është edhe një instrument paqeje sepse edhe vetë Serbia është e interesuar të bëhet pjesë e BE-së”, tha Edita Tahiri, zv/kryeministre për politikë të jashtme të Kosovës.

Zv/kryeministrja Tahiri tha se historia nuk mund të harrohet por se normalizimi i marrëdhënieve mes dy vendeve është kusht i domosdoshëm për një të ardhme evropiane të vendeve.

“Koncepti i normalizimit për ne nënkupton që në një fazë të mëvonshme Serbia ta njeh Republikën e Kosovës pra të ndodh njohja reciproke mes dy shteteve. Fundja, jemi fqinjë gjeografikisht nuk mund të ndërrojë kjo, historia po ashtu nuk mund të ndërrojë por historia nuk mund të harrohet pasi Serbia ka bërë gjenocid në Kosovë. Mirëpo ne jemi shtet dhe lidership me vizion drejt së ardhmes, prandaj normalizimi që duhet të fillojë me zhbërjen e strukturave paralele serbe në Veri të vendit dhe njëherë e përgjithmonë Serbia të sillet në mënyrë evropiane ndaj Kosovës dhe rajonit është një pikënisje e rëndësishme që duhet të përfundojë me njohjen reciproke mes dy shteteve”, tha Edita Tahiri.

Sipas Tahirit, integrimi sa më i shpejtë i Ballkanit Perëndimor në familjen e madhe evropiane është kusht i domosdoshëm për garantim e paqes dhe stabilitetit në rajon.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›