Gjykatë, zhduken tre dëshmitarët kyç kundër pedofilëve
Zhdukja e tre dëshmitarëve rrezikon dështimin e procesit në ngarkim të dy të akuzuarve si pedofilë, Dino Kristodulu dhe Robin Arnold. Mungesa e tyre në adresat e deklaruara nga akuza dhe dhënia e dëshmive të tyre të konsideruara mjaft të rëndësishme, pasi janë të dëmtuar nga abuzimet seksuale, përbën rrezikun që ky proces të mos ecë ashtu sikundër pritej nga Prokuroria. Gjatë seancës së djeshme gjyqësore, trupi gjykues i kryesuar nga ana e gjyqtares Shefkie Demiraj, i është drejtuar prokurorisë si dhe Policisë së Shtetit, që të marrë masa për të gjetur dëshmitarët kyç të këtij procesi gjyqësor. Sipas gjykatës, prej tre muajsh nuk disponohet asnjë e dhënë apo adresë e tre dëshmitarëve të mitur L.K, D.M, G.B. Sipas gjykatës, këta tre dëshmitarë janë endur rrugëve pas mbylljes së qendrës dhe kjo ndoshta është një prej arsyeve pse nuk gjenden nga organet kompetente. Gjykata i është drejtuar për ndihmë policisë dhe prokurorisë, për të lokalizuar vendndodhjen e tyre, në mënyrë që të sillen në gjykatë për të dhënë dëshmitë e tyre rreth fakteve të deklaruara në polici pas arrestimit të David Brown dhe shpalljes në kërkim të dy të pandehurve. Sipas hetimeve të kryera nga Prokuroria e Tiranës, tre të miturit kanë deklaruar gjatë fazës hetimore se janë abuzuar seksualisht për muaj me radhë nga dy të pandehurit, gjatë kohës që kanë jetuar në qendrën “Fëmijët e tij”. Dino Kristodulu dhe Robin Arnold akuzohen për abuzime me fëmijë, të ndodhura në qendrën “Fëmijët e tij”. Nga hetimet e kryera nga Prokuroria e Tiranës ka rezultuar se, një pjesë e fëmijëve ishin abuzuar për disa vite me radhë nga ana e të pandehurve që në moshë të vogël. Madje, ata jo vetëm që ishin abuzuar, por edhe ishin kërcënuar që të mos tregonin asgjë në lidhje me këto abuzime. Vetë fëmijët kanë treguar para trupit gjykues, për abuzimet që iu janë kryer. Gjatë dëshmisë së tyre ata kanë treguar të gjitha tmerret e përjetuara në qendër, deri në mënyrën sesi kanë abuzuar me ta seksualisht. Në procesin gjyqësor në ngarkim të Dino Kristodulu dhe Robin Arnold një seancë më parë dëshmoi edhe David Brown, i dënuar me 20 vjet burgim për abuzimet në këtë qendër. Gjatë dëshmisë së tij, Brown ka treguar se abuzimet në qendër janë kryer nga ana dy të pandehurve. Gjatë dëshmisë së tij, Brown tregoi se kishte konstatuar abuzime në qendër, ka vizituar vetë fëmijët dhe kishte folur me ta, ku kishte marrë vesh se gjithçka ishte kryer nga dy kolegët e tij, të cilët i kishin kërcënuar që të mos tregonin asgjë për çka kishte ndodhur.