Brukseli vlerëson zgjedhjet, i kërkon PS t’u bashkohet reformave

Zëdhënësja e shefes së diplomacisë së BE-së, Katerine Ashton, përsëriti qëndrimin zyrtar se zgjedhjet e 8 majit quheshin të mbyllura sipas kuadrit ligjor dhe se tani, reformimi i Kodit Zgjedhor ishte rekomandimi kryesor. Ashton i bëri thirrje PS-së t’i përgjigjet pozitivisht kërkesës së PD, jo vetëm për reformën zgjedhore, por edhe për rekomandimet që kërkon statusi i vendit-kandidat
Bashkimi Evropian i bën thirrje klasës politike shqiptare që të nisë nga puna për hartimin e reformës elektorale. Maja Konçijaçiç, zëdhënësja e shefes së diplomacisë së BE-së, Catherine Ashton, thotë se zgjedhjet e ardhshme parlamentare duhet të zhvillohen me një kuadër të ri ligjor. “Zgjedhjet kanë përfunduar. Ne besojmë se ajo çfarë nevojitet të ndodhë tani është një reformë e ligjit mbi zgjedhjet dhe e kuadrit legjislativ që lidhet me to. Nevojitet që kjo të bëhet në transparencë të plotë e në mënyrë gjithëpërfshirëse. Për këtë forcat politike duhet të japin aprovimin e tyre përmes konsensusit politik. Theksojmë edhe njëherë se kjo reformë duhet të ketë si parim bazë transparencën dhe konsensusin”- ka deklaruar Maja Koçijançiç, zëdhënëse e Përfaqësueses së Lartë të BE-së, Catherine Ashton. Gjithashtu, Brukseli mbështet idenë e konsultimit të Komisionit të Venecias.
“Ne, si Bashkim Europian, kemi mbështetur gjithashtu propozimin e Këshillit të Evropës që kjo çështje t’i jepet për konsultim Komisionit të Venecias, në mënyrë të tillë që të sigurohemi se raste të tilla nuk do të përsëriten në të ardhmen”, ka nënvizuar Koçijançiç.
Dy ditë më parë, Partia Demokratike publikoi letrën që kreu i grupit parlamentar demokrat Astrit Patozi i dërgoi homologut të tij socialist Gramoz Ruçi, për ngritjen e komisionit parlamentar të hartimit të reformës zgjedhore. Selia blu kërkon nisjen e një procesi bashkëpunimi, në funksion të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare si dhe në raport me rekomandimet e ndërkombëtarëve, të cilët disa janë shprehur mbi domosdoshmërinë e reformës zgjedhore. Ai siguron Ruçin se grupi demokrat do të votojë amendamentet që do të paraqiten nga PS për reformën zgjedhore, me kusht që të kenë marrë më parë vlerësimin pozitiv të OSBE/ODHIR-it dhe Komisionit të Venecias.
Por, socialisti Ruçi refuzoi t’i përgjigjej ftesës së Patozit, duke krijuar kështu pikëpyetje rreth deklaratave të vetë Gramoz Ruçit në një intervistë televizive vetëm një javë më parë, apo edhe të kreut të PS-së, Edi Rama, të cilët deklaruan se opozita do insistojë në hartimin e kuadrit ligjor elektoral. PD kërkoi mbledhjen e tryezës të premten e 15 korrikut, në ambientet e kryesisë së Kuvendit. Takimi dypalësh Patozi-Ruçi, do hapte të kapitull të ri në konsensusin parlamentar mes mazhorancës dhe opozitës, pas mungesës së gjatë të kësaj të fundit, në seancat plenare të Kuvendit. Ndërkaq, nga ana tjetër, Bashkimi Evropian përsërit thirrjen për krijimin e kushteve për dialog politik, me fokus në reforma dhe drejt të ardhmes europiane. Vlerësimi për tërësinë e procesit zgjedhor pritet të publikohet në raportin e progresit të Shqipërisë në tetor, pas leximit të raportit përfundimtar të OSBE/ODIHR. Por, testi i parë politik për realizimin e reformave, nis nga konsensusi i hartimit të ligjit elektoral, tregues ky për rolin e opozitës përballë vështrimeve të Brukselit.
SHBA, Kantrimen: Të dëgjohet Venecia dhe ODIHR-i/Zv/ndihmës sekretari amerikan i shtetit Tomas Kantrimen u shpreh dy ditë më parë gjatë intervistës për programin në shqip të “Zëri i Amerikës”, se Shqipëria ka të gjithë kuadrin kushtetues për hartimin e një reforme zgjedhore, e cila të prodhonte një produkt elektoral të besueshëm dhe të pranueshëm nga të gjitha palët. “Ka ardhur koha që kjo mendësi të ndryshojë dhe ne presim nga të dyja partitë, që, këtë herë, me ndihmën e Bashkimit Evropian dhe të Shteteve të Bashkuara, të hartojnë rregulla zgjedhore, të cilat të jenë në të mirë të popullit dhe jo në të mirë të njerëzve dhe partive të caktuara. Mjetet për ta bërë këtë ekzistojnë. Është Komisioni i Venecias, është ODIHR-i. Nëse të dyja partitë janë të gatshme të pranojnë një rol aktiv të këtyre dy organizmave, atëherë nuk ka pse të mos jemi në gjendje të realizojmë një kod të qartë elektoral”- deklaroi Kantrimen, duke iu referuar debatit për reformën zgjedhore në Shqipëri.