E Diel, 1 Nëntor 2026

Mbyllet dekada e shkatërrimit të kryeqytetit, të premten Lulzim Basha merr drejtimin e bashkisë

18-07-2011 / Gazeta 55

Është thirrur për të premten mbledhja konstituese e këshillit të ri bashkiak të kryeqytetit, aty ku do të kryhet edhe betimi i kryetarit ë ri të bashkisë, z.Lulzim Basha. Opinioni ka vëmendjen këto ditë tek firmat pa hesap që po lëshon ish-kryetari Edi Rama

Lulzim Basha do të marrë zyrtarisht detyrën e kryetarit të bashkisë së Tiranës, në fund të kësaj jave, më 22 korrik. Ligji për organizmin dhe funksionin e qeverisjes vendore përcakton se Sekretari i Këshillit Bashkiak, duhet të thërrasë jo më vonë se 20 ditë nga shpallja e rezultati mbledhjen e parë të këtij institucioni. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve më datë 15 korrik i ka përcjellë vendimin e Kolegjit Zgjedhor sekretari të Këshillit dhe Prefektit. Në bazë të këtij vendimi Sekretari i Këshillit Bashkiak duhet të informojë partitë politike për mbledhjen e këtij këshilli. Sipas procedurës, mbledhja duhet të fillojë jo më pak sesa pesë ditë nga njoftimi. Mësohet se Sekretari, Vladimir Gjonaj, nuk ua ka përcjellë ende vendimin anëtarëve të Këshillit në bazë të përfaqësimit politik. Janë të gjithë mundësitë që kjo procedurë të zhvillohet ditën e hënë dhe nëse kjo ndodh Kryetari i Bashkisë do të betohet të premten më 22 korrik. Vetë z.Gjonaj i kontaktuar dje nga mediat, ka deklaruar se sot gjatë paradites do të njoftojë partitë politike për mbledhjen e Këshillit Bashkiak të kryeqytetit. Sipas tij, janë të gjitha mundësitë që të premten e 22 korrikut të konstituohet këshilli bashkiak si dhe kryetari i ri i bashkisë së bëjë betimin.
“Nesër (sot), në mëngjes do të marr materialet që kanë ardhur nga KQZ-ja, bashkë me vendimin përkatës dhe do të procedoj me thirrjen e mbledhjes sa më parë të jetë e mundur. Duhet respektuar afati i lajmërimit 5 ditë përpara të këshilltarëve. Është e përcaktuar me ligj. Nuk mund të zhvillohet mbledhja pa i njoftuar këshilltarët 5 ditë përpara. Shpresojmë që mbledhja të zhvillohet ditën e premte”- u shpreh Gjonaj.
Edhe nëse sekretari nuk do të bëjë informimin sot, ai është i detyruar të respektojë ligjin, sipas të cilit betimi i kreut të ri të bashkisë dhe mbledhja e këshillit Bashkiak bëhet jo më vonë se 20 nga shpallja e vendimit nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Kolegji Zgjedhor e dha vendimin e tij më tetë korrik, dhe mbledhja e parë e Këshillit siç thonë dhe ekspertë duhet të bëhet brenda datës 28 korrik. Më tej, i njëjti ligj në nenin 40 të tij parashikon atë që konsiderohet si shpallje e vlefshmërisë së mandatit, në këtë rast të kryetarit të Bashkisë, e cila sipas ligjit bëhet në mbledhjen e parë të Këshillit. Kështu kryetari bën betimin sipas një formule të parashikuar në nenin 28 të tij. Në rast se këshilli bashkiak nuk mblidhet brenda 30 ditëve nga data e shpalljes së rezultateve nga KQZ-ja, prefekti organizon ceremoninë e betimit të kreut të ri të bashkisë në prani të banorëve të njësisë përkatëse. Veç betimit të kryetarit të ri, Këshilli Bashkiak do të zgjedh dhe nënkryetarët e institucionit të pushtetit vendorë, si dhe kryetarin e këshillit dhe sekretarin. Në datën 15 korrik, Kolegji Zgjedhor miratoi listën e këshilltareve të bashkisë së Tiranës. Koalicioni “Aleanca për Qytetarin”, ka 28 anëtarë në këtë institucion, ndërsa koalicioni i opozitës “Aleanca për Qytetarin” ka 27 anëtarë.
Kosovrasti: Lulzim Basha bën betimin të premten në prani të anëtarëve të këshillit/Anëtari demokrat i këshillit bashkiak Njazi Kosovrasti sqaron se ditën e premte në mbledhjen e parë të këshillit bashkiak, do të betohet kryetari i ri i bashkisë Lulzim Basha si dhe do të zgjidhet kryetari, nënkryetarët dhe sekretari i këshillit bashkiak. “Pas mbaron kjo procedurë kur këshilltarët bëjnë betimin, atëherë pas tyre, kryetari i ri i bashkisë së Tiranës z.Basha, është i ftuar të bëjë betimin dhe të mbajë fjalën e rastit para këshilltarëve të Tiranës. Më pas procedura do të vazhdojë me elementë të tjerë siç janë zgjedhja e kryetarit të ri të këshillit bashkiak, të nënkryetarit të ri si dhe sekretarit të këshillit”- u shpreh Kosovrasti.
Mbledhja e parë e këshillit bashkiak/Në mbledhjen e parë ngrihet Komisioni i mandateve, zgjidhet kryetari dhe zëvendëskryetari i Këshillit, si dhe zgjidhen anëtarët që do të përfaqësojnë këshillin komunal ose Bashkiak në këshillin e qarkut. Sipas të gjitha gjasave, me përjashtim të ndonjë surprize për shkak të votimit të fshehtë, postet kyçe në Këshill do të ndahen mes Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim.

Edi Rama dorëzon detyrën në fund të javës, mbyllet dekada e shkatërrimit të Tiranës

Saga e zgjedhjeve të Tiranës ka përfunduar. Tashmë formula e veprimit është e parashikueshme si dhe e kontrolluar nga kuadri ligjor. Edi Rama, në përmbushje të plotë të detyrimit të tij moral dhe qytetar, të premten pasdite, duhet t’i dorëzojë detyrën Lulzim Bashës, ashtu siç e parashikojnë të gjithë rregullat demokratike, pas një procesi zgjedhor. Edhe pse ka paralajmëruar se do të bojkotojë ceremoninë e dorëzimit të detyrës, do të ishte brenda kuadrit të normave shoqërore dhe morale, që Edi Rama t’i dorëzojë detyrën në mënyrë simbolike kryetarit të ri të bashkisë, z.Lulzim Basha. Rama largohet nga posti i kryetarit të bashkisë më të madhe në vend, pas qeverisjes 11 vjeçare në të. Periudhë kjo që ka ndikuar së tepërmi në botëkuptimin e qytetarëve të Tiranës se dekada që po lemë pas ishte një periudhë skëterre, mizerje dhe çnderimi të kryeqendrës së Shqipërisë. S’ka përgjegjës tjetër përveç ish kryetarit të bashkisë, për katrahurën e gatuar në kryeqytet, ku veç të tjerash ka mbizotëruar anarshizmi mes komunitetit, pasi shkujdesja e kryetarit të bashkisë kishte arritur majat kritike. Por, gjykimi i 8 majit s’do njihte asnjë lloj amnistie për Edi Ramën. Zëri i qytetarëve mbizotëroi në masë “për erën e ndryshimit”. Është koha që gjithkush prej nesh të fshijë nga kujtesa “dekadën e skëterrës”, pasi një “epokë e re” merr jetë në fund të kësaj jave. 

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›