E Diel, 1 Nëntor 2026

Prosperiteti ekonomik i qeverive të djathta europiane

17-07-2011 / Nga Ilirian Dahri

Takimi emergjent i krerëve të Shteteve dhe të Qeverive të zonës euro i cili do të zhvillohet të enjten (më 21 korrik), me shpresën që në këtë takim shtetet anëtare të flasin përsëri për situatën greke. Plani i shkurtimeve, i aprovuar nga Parlamenti grek edhe pse i konsideruar si i mirë nuk është i përkryer - kështu deklaroi javën e shkuar edhe presidenti Herman Van Rompuy. Vetë ky i fundit, që ka qenë një nga promotorët e këtij takimi ka nënvizuar se me këtë takim synohet “stabiliteti financiar i zonës euro” dhe “financimi i ardhshëm i programit grek”. Në fakt shumë prej shteteve të Bashkimit monetar janë duke diskutuar për mënyrën sesi të evitojnë rënien e Greqisë e cila do të sillte një efekt domino të pashmangshëm për të gjithë Bashkimin Europian. Nganjëherë duket se në këto takime të pafundme përsëriten gjithnjë e më shumë fjalë të thëna e të stërthëna dhe fakti i krizës greke mbetet po ai. Ndoshta ministrat financiarë kërkojnë të reduktojnë borxhin publik të vendit fqinj, ka të tjerë që kanë hedhur idenë e një falimentimi selektiv, (edhe për një kohë të shkurtër) duke përfshirë edhe sektorin privat. Më e largët, nga ana tjetër, duket ideja e një eurobondi që mund t’i jepte Bashkimit Europian embrionin e një bilanci federal por që ka qenë e kundërshtuar shumë nga Berlini i cili ka konfirmuar se kjo do të sillte ndryshime institucionale. Ministri i Financave të Gjermanisë Wolfang Shauble ka qenë i drejtpërdrejtë kur i është referuar krijimit të detyrimeve europiane dhe duke i përcaktuar këto të fundit si një gabim të madh. “Shtetet kanë nevojë për një nxitje në mënyrë që t’i imponojnë një menaxhim të shëndetshëm. Sot nxitje janë taksat e interesave të lartë që paguhen kur borxhi është shumë i lartë” – ka shtuar më tej Ministri gjerman, duke vazhduar se sipas tij asetet institucionale të Bashkimit monetar parashikojnë bilance kombëtare por mbi të gjitha ka një krahasim mes vendeve në krizë dhe vendeve jo në krizë. Edhe zëdhënësi i kancelarisë Steffen Seibert ka konfirmuar se pozicioni i ministrit është i ngjashëm me qëndrimin e kancellares Angela Merkel. Ndoshta Qeveria gjermane ka vënë në dukje se Bashkimi është akoma një konfederatë e shteteve sovrane dhe jo një federatë e vërtetë por nga ana tjetër krijimi i një eurobondi mund të shtojë rendimentin e detyrimeve kombëtare dhe rrjedhimisht ato të Gjermanisë. Ndërkaq ministri gjerman ka pranuar se “kriza e mosbesimit e krijuar nga Greqia ka sjellë shumë rreziqe për vetë euron”. Duke kujtuar se Gjermania ka përfituar nga integrimi europian duke saktësuar për bashkëkombasit e tij se: me ndihmat që po i jepen vendeve në krizë “ne po paguajmë për të tjerët, por jemi duke investuar për të ardhmen tonë”. Ndoshta nga programi jo i mirë i qeverive të majta (Portugalia dhe tani edhe Greqia) mosbesimi i opinionit publik gjerman  (sipas një sondazhi të ZDF) ka arritur shifra tronditëse të gjermanëve (47% e tyre) të cilët kërkojnë daljen e Greqisë nga zona euro. Një Gjermani e lëkundur mes dëshirës për të mbajtur asetet institucionale edhe pse këto janë tashmë të dobësuar dhe orvatjes për të braktisur gjithçka për të përfunduar me vetëdijen se monedha e përbashkët i ka dhënë shumë prosperitet vendit. Pikërisht, dje, mes krizës së plotë kancelarja gjermane (udhëtimi i zonjës Merkel është i pari i një zyrtari të lartë gjerman pas atij të Erich Honecker të 1979) ishte  në një mision në tre vende afrikane që dëshmon sesi Gjermania po lufton mes interesave globale dhe atyre europiane. Nga ana tjetër Qeveria e koalicionit të djathtë në Itali duket se e ka kaluar fazën e mosbesimit të krijuar ndoshta edhe nga një sulm i gazetave të majta italiane dhe evropiane. Sipas Qeverisë së Berluskonit, Italia ka një stabilitet financiar të lëvdueshëm dhe çmon përmirësimin e transparencës që rezultoi nga testet europiane të kryera mbi bankat europiane në tërësi. Edhe në një deklaratë të ministrisë së Ekonomisë italiane nënvizohet se “Italia impenjohet për  stabilitetin financiar dhe për të dhënë kontributin e saj për përmirësimin e kapaciteteve të rezistencës të sektorit bankar duke i konsideruar këto aspektet  si pjesë integruese e strategjisë së Bashkimit Europian”. Edhe Fabrizio Saccomani, drejtori i përgjithshëm i Bankitalia-s është shprehur se “Kompleksivisht jemi të kënaqur” dhe duke ju referuar krizës në përgjithësi ka nënvizuar se “skenari i këtij viti ishte më i ashpër krahasuar me atë të vitit të kaluar”. Italia nuk është drejt krizës ashtu siç është dashur të thuhet. Ndërsa nga ana tjetër nga 91 banka të cilat i janë nënshtruar testeve, tetë prej tyre nuk e kanë kaluar “provimin”. Mes tyre, pesë janë banka spanjolle, dy greke dhe një austriake ndërsa disa të tjera nuk janë në gjendje të mirë. Por edhe vetë Bashkimi Europian është i kënaqur nga ekonomia italiane e qeverisë së koalicionit të djathtë të Italisë. “Tani – lexohet në një deklaratë të përbashkët të komisarit Olli Rehn dhe Michel Barnier – pjesa  më e madhe e bankave europiane janë më të forta dhe mund t’i rezistojnë krizave”.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›