E Diel, 1 Nëntor 2026

Vështirësohet ekuacioni për kreun e ri të shtetit. Berisha: Nano president? Kemi kandidaturat tona

Share

Kryeministri Sali Berisha, i cili ndodhej në Kamzë në kuadër të nismës për pastrimin e Shqipërisë, nuk preferoi të fliste për kandidaturën e Fatos Nanos për president të Shqipërisë. Berisha tha se ai ka deklaruar edhe më parë se PD do ketë kandidaturat e saj. Sot nuk do flas për politikë, sepse jemi këtu për një çështje me shumë rëndësi sikundër është mjedisi. Unë ju them se mazhoranca do të paraqesë kandidatët e saj për kreun e ri të shtetit, tha Berisha.

Ndërkohë, deputeti demokrat, Dashnor Sulaj, ka thënë për gazetën Shqip se presidenti i ri do vijë si rezultat i garës brenda PD. Ai tha se PD mund të zgjedhë kollaj një kandidatin e saj, por do kishte dëshirë të shihte garë.

Megjithatë ekuacioni për presidentin e ri nuk është kaq i lehtë. Nano u detyrua të fliste dje as mish dhe as peshk për të kënaqur palët njësoj, por duke dëmtuar më shumë partinë e tij për të lënë Berishën të pamërzitur. Po ashtu nuk dihet ende si do jetë konfigurimi i votave dhe cili do jetë qëndrimi i LSI-së, e cila nga ana e saj duket se nuk e pranon një kandidaturë të djathtë, sidomos një emër si ai i Topallit. Opozita nga ana e saj ka një frikë nga votimi, duke iu trembur manovrave të Berishës, siç ndodhi edhe në rastin e anëtarit të KLD.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›