Braçe: Nano për ambicien e presidentit po u ikën bindjeve të tij, duhej të dënonte 21 janarin
Deputeti socialist, Erion Braçe, ka reaguar në lidhje me deklaratat e Fatos Nanos dje, në lidhje me 21 janarin. Sipas Braçes, për shkak të ambicies për tu bërë president, Nano po deformon bindjet e tij. Braçe ka thënë se Nano duhet të kishte dënuar 21 janarin.
“Në 21 janar të dyja palët tejkaluan të drejtën”! Çke thënë kështu?!
Në 21 janar janë vrarë 4 opozitarë dhe plagosur të paktën 10 kundërshtarë politikë të regjimit! Kjo është çështje lirie. Liria për jetën është e para.
E drejta për të jetuar është e drejtë e pacenueshme në Kushtetutë, edhe për vrasësin. Pra, nuk është çështje e përgjegjshmërisë së palëve!
Është çështje e kulturës së atij që ka pushtetin. Sali Berisha nuk e ka kulturën e mjaftueshme për të respektuar të drejtën për të jetuar. Ndaj e merr atë. Kjo është diferenca.
Vetëm ti nuk mund ta thoje këtë! E thjeshtë, kapërceve mbi veten! Ti nuk vrave kërkënd në 14 shtator dhe nuk të sulmuan kundërshtarët politikë, vetëm të sulmoi një grup banditësh të armatosur me automatikë, bomba dhe deri granatahedhëse.
Përse ti nuk vrave në 14 shtator? Sepse në kulturën tonë, në kulturën tënde, e drejta për të jetuar është e para! Nuk duhet që politika të bjerrë vlerat, nuk duhet që një ambicie të deformojë bindjet!, ka thënë Braçe.