E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lojërat e fatit, vazhdon lufta ndaj abuzuesve

Sallonet e lojërave të fatit të paligjshme, si dhe pronarët e tyre do të jenë edhe për tri ditë “gjahu” i Policisë së Shtetit, së bashku me agjentët e Antikrimit Ekonomik.

Vitet e fundit është rritur “mania” e shqiptarëve, për të luajtur në këto lojëra fati, duke bërë që të shtohen edhe sallonet, të cilat ofrojnë këto shërbime. Megjithatë, duket se shumë prej këtyre salloneve nuk kanë marrë licenca nga shteti shqiptar, duke iu shmangur kështu detyrimeve ligjore të pagimit të taksave. Nisur nga kjo, për të luftuar këtë fenomen dhe për të “goditur” personat, të cilët përfitojnë në dëm të shtetit, nga ana e zyrës së Antikrimit Ekonomik po ndërmerret operacioni i koordinuar i quajtur “Gambling”. Në bazë të ligjit, në Tiranë dhe në Durrës, për çdo kompjuter duhet t’i paguhet shtetit në çdo muaj një shumë prej 30.000 lekësh. Duket se një gjë të tillë, pronarët e këtyre pikave të mbyllura nuk e kanë bërë, duke përfituar kështu nga shmangia e taksave.

Burime nga Policia e Shtetit deklarojnë se qëllimi i këtij operacioni, i cili do të zgjasë edhe për tri ditë të tjera është "ndërprerja e aktiviteteve të paligjshme të lojërave të fatit, identifikimi dhe vënia nën hetim të personave që kryejnë këtë aktivitet, si dhe bllokimin e ambienteve dhe sekuestrimin e pajisjeve dhe makinerive të lojërave të fatit". Operacioni ka nisur fillimisht në rrethe para katër ditësh, për t’u përqendruar pastaj në kryeqytet. Zyrtarisht policia deklaron se në të gjithë vendin janë bllokuar mbi 60 pika lojërash fati.

Dëmi ndaj shtetit

Në bazë të legjislacionit shqiptar (Ligji nr. 8721, datë 01.12.2000 “Për lojërat e fatit, kazinotë dhe hipodromet”, të ndryshuar me ligjin 9408 datë 19.05.2005), çdo një prej këtyre subjekteve duhet të paguajë tatimet e shtetit shqiptar. Pagesa nuk është e njëjtë për çdo territor të Shqipërisë. Ajo është e ndarë në rrethe sipas kategorive. Në rrethet e kategorisë së parë përfshihen Tirana dhe Durrësi, në rrethet e kategorisë së dytë përfshihen Shkodra, Korça, Vlora, Saranda, Gjirokastra, Elbasani, Fieri, Lushnja, Pogradeci, Berati, Lezha dhe Kavaja. Të gjitha rrethet e tjera përfshihen në rrethet e kategorisë së tretë. Sipas ligjit, “organizatori i lojërave elektronike me fitim në çast paguan një tatim me kuotë fikse për çdo muaj. Për rrethet e kategorisë së parë paguhen 30.000 lekë për çdo kompjuter apo makinë elektronike, 40.000 lekë për çdo pozicion loje, për makinat elektronike me pozicione. Për rrethet e kategorisë së dytë, 20.000 lekë për çdo kompjuter apo makine elektronike e 30.000 lekë për çdo pozicion loje, për makinat elektronike me pozicione. Ndërsa për rrethet e kategorisë së tretë, 14.000 lekë për çdo kompjuter apo makinë elektronike e 20.000 lekë për çdo pozicion loje, për makinat elektronike me pozicione. Kështu nëse një makinë elektronike ka 4 pozicione, tatimi fiks në muaj për rrethin e kategorisë së parë do të jetë 160.000 lekë (4x40.000), për rrethin e kategorisë së dytë 120.000. lekë (4x30.000) dhe për rrethin e kategorisë së tretë, 80.000 lekë (4x20.000).

Operacioni

Për katër ditë me radhë, agjentët e Antikrimit kanë udhëtuar në të gjitha qytetet e vendit për të ushtruar kontroll në pikat e lojërave të fatit, për të verifikuar nëse e ushtronin veprimtarinë konform rregullave. Operacioni policor i koduar "Gambling", kishte si qëllim ndërprerjen e aktiviteteve të paligjshme të lojërave të fatit, identifikimin dhe vënien nën hetim të personave që kryejnë këtë aktivitet, si dhe bllokimin e ambienteve dhe sekuestrimin e pajisjeve dhe makinerive të lojërave të fatit. Policia e Shtetit, në një njoftim për shtyp bëri me dije se janë kontrolluar plot 210 pika të ndryshme jo vetëm të lojërave të fatit, por edhe pikat e basteve sportive. Nga këto, 60 prej këtyre subjekteve rezultuan të palicencuara nga organet përkatëse për ushtrimin e këtij aktiviteti.

Masat ndaj përgjegjësve

Ndaj personave, të cilët janë pronarë të këtyre pikave të lojërave të fatit të palicencuara, do të merren masa duke i dërguar ata në ndjekje penale. Ata do të përballen me akuzat e "organizimit të lotarive të palejuara" dhe "vënies në dispozicion të lokaleve për lojëra të palejuara". Pronarët do të duhet të përballen me organin e akuzës, për të vërtetuar që nuk kanë kryer aktivitet të paligjshëm, në rast të kundër do të përgjigjen për akuzat e ngritura. Sipas burimeve të policisë, operacioni do të vazhdojë për të pikasur ndonjë pikë tjetër që zhvillon aktivitet të tillë dhe menjëherë do të bëhet bllokimi i saj, nëse nuk disponon dokumentacionin përkatës që lejon zhvillimin e aktivitetit. Gjithashtu, do të sekuestrohen të gjitha makineritë kompjuterike, me të cilat ushtrohet aktiviteti.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›