Projekti i ri për “Ushtarin e Panjohur”
Kreu i Bashkisë së Tiranës, Rama, ka inspektuar dje punimet për rikualifikimin urban tek sheshi pranë “Ushtarit të Panjohur”
Shesh funksional, me pemë të reja dhe me kënde çlodhëse për familjarët, për qytetarët që duan të shoqërizohen së bashku në një mjedis publik. Kjo do të jetë pamja e re që pritet t’i jepet sheshit pranë “Ushtarit të Panjohur”. Kryetari Edi Rama ka qenë dje i pranishëm për të inspektuar punimet në këtë shesh ku është shprehur se edhe ky shesh është pjesë e rikualifikimit urban të gjithë zonës përreth.
Projekti
Sipas Bashkisë së Tiranës, zhvendosja e monumentit të “Ushtarit të Panjohur” është parashikuar gjatë hartimit të projektit të zbatimit. Në këtë kuadër u hartua më pas edhe projekti i detajuar i zonës rreth tij. Ky projekt përfshin zhvendosjen e monumentit të “Ushtarit të Panjohur” dhe vendosjen e tij në një zonë pranë asaj ku ishte më përpara. Më tej, është menduar riorganizimi i sheshit nga pikëpamja urbanistike, duke mbjellë një sërë pemësh, vendosjen e stolave për çlodhje etj. Gjithashtu, parashikohet edhe shtrimi i zonave të veçanta me pllaka dekorative. Një element i rëndësishëm është edhe ndriçimi, i cili përbëhet nga ndriçues pedonalë dhe ndriçues të lartë.
Ndërsa projekti i rrugës është hartuar duke u bazuar në projektin francez të qendrës së Tiranës. Trafiku në këtë rrugë do të lëvizë në një sens, në atë antiorar. Unaza e brendshme është hallka më e rëndësishme në skemën e rrugëve të qytetit, pasi në të derdhen dhe funksionojnë të gjitha rrugët rrezore të saj.
Kryebashkiaku Edi Rama ka inspektuar dje punimet që po kryhen në sheshin pranë “Ushtarit të Panjohur”, punë e cila ka të bëjë me rikualifikimin urban të gjithë zonës së sheshit dhe rreth sheshit, si dhe me plotësimin e segmenteve të Unazës së Vogël, duke i dhënë një drejtim përfundimtar edhe problemit të lëvizjes së mjeteve rreth kësaj qendre.
Gjatë inspektimit të punimeve, kryetari i bashkisë, Edi Rama, theksoi: “Po përfundojmë rikualifikimin urban të një pjese tjetër të projektit që integron Unazën e Vogël dhe qendrën e kryeqytetit, pra sheshin “Skënderbej”, dhe erdhi koha për fat të mirë, që ta kthejmë këtë zonë deri dje të sëmurë nga pikëpamja urbane”.
Rikualifikimi urban i gjithë zonës së sheshit dhe rreth sheshit bën pjesë edhe në plotësimin e segmenteve të Unazës së Vogël, duke i dhënë një drejtim përfundimtar edhe problemit të lëvizjes së mjeteve rreth kësaj qendre, një projekt i cili do të sjellë lehtësira edhe në këtë drejtim.
Sipas kryebashkiakut Rama, “do të vazhdohet të krijohen sheshe të tilla edhe në të gjitha njësitë e kryeqytetit, duke ecur në drejtim të qytetit me shumë qendra dhe edhe me më shumë pika shoqërizimi në mjedisin publik për familjarët, për të gjithë ata që kanë nevojë të kalojnë së bashku orë të lira dhe sigurisht edhe për fëmijët, të rejat e të rinjtë”.