“Reforma zgjedhore e rëndësishme, të respektohen afatet kohore”
Zëvendëskryeministri Edmond Haxhinasto pret ambasadorin e OSBE-së, Eugen Wollfarth
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto takoi dje kreun e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ambasadorin Eugen Wollfarth. Dy bashkëbiseduesit diskutuan për reformat, ecurinë e tyre të deritanishme dhe progresin e arritur. Në veçanti, Haxhinasto dhe Wollfarth e përqendruan bisedën tek reforma zgjedhore. Lidhur me këtë çështje, Ministri Haxhinasto theksoi se progresi në këtë drejtim do të jetë shumë i rëndësishëm. Ai theksoi rëndësinë e përfundimit në kohë të kësaj reforme.
Ministri Haxhinasto shprehu vlerësimin se edhe kontributet ekzistuese të pranisë së OSBE në Shqipëri, ndikojnë drejtpërdrejtë në afrimin e Shqipërisë në BE.
Nga ana e tij, Wollfarth theksoi se palët kanë hedhur hapa të rëndësishëm drejt reformës në Kod, por mbetet edhe shumë për t’u bërë deri në fund të prillit.
“Hapa të rëndësishëm janë marrë, por ka mbetur ende edhe shumë punë për të bërë. Koha deri në fund të muajit nuk është shumë e gjatë. Fundi i prillit është vetëm disa ditë larg. Është e rëndësishme të përdoret sa më mirë kjo kohë për të arritur rezultate bazuar mbi këtë klimë konstruktive, për ta ruajtur këtë klimë e për ta përdorur atë sa më mirë për të hartuar një projekt-propozim të mirë për Kodin e ri Zgjedhor”, theksoi ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Eugen Wollfarth.