E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topalli nderohet me titullin “Qytetare e Nderi” e Komunës së Çairit

05-04-2012 / Gazeta 55

Për kontributin e veçantë në mbështetje të çështjes shqiptare

Në ditën e parë të vizitës, Kryetarja e Kuvendit zhvilloi takime me liderët e partive politike shqiptare në Maqedoni. Në takimin me kryetarin e BDI, Ali Ahmeti dhe Kryetarin e PDSH, Menduh Thaçi, Kryetarja e Kuvendit shprehu gatishmërinë e plotë të Shqipërisë për të ofruar ndihmën dhe mbështetjen e palëkundur në kuadër të anëtarësimit të Maqedonisë në NATO.
Gjatë takimeve u vlerësua roli i Shqipërisë, si faktor stabiliteti në rajon, zbatimi i rëndësishëm i Marrëveshjes së Ohrit, si dhe rritja e mëtejshme e bashkëpunimit midis dy vendeve.
Në vijim të vizitës, Kryetarja e Kuvendit është pritur në një takim të veçantë nga Komuna e Çairit, ku dhe është nderuar me titullin “Qytetare e Nderit”, për rolin dhe kontributin e jashtëzakonshëm të saj në mbështetje të çështjes shqiptare.
Duke vlerësuar kontributin e zonjës Jozefina Topalli për çështjen shqiptare, Kryetari i Komunës së Çairit, tha se është nder dhe privilegj për të dhënë këtë titull si shenjë mirënjohjeje për mbështetjen që ajo ka dhënë ndaj shqiptarëve kudo që ndodhen.
“Kemi nderin që të shpallim “Qytetare Nderi” të komunës së Çairit, Kryetaren e Parlamentit të Shqipërisë, zonjën Jozefina Topalli. Të jesh qytetar nderi për këtë komunë, t’i japim këtë titull zonjës, Jozefina Topalli është një privilegj i veçantë, por është dhe një nder për komunën tonë, për të rikthyer Shkupin në qendër të shqiptarisë”, u shpreh kryetari i Komunës  së Çairit.
Duke falënderuar autoritetet e Komunës së Çairit, Kryetarja e Kuvendit tha se ky është një ndër momentet e veçanta dhe emocionuese që ka përjetuar gjatë karrierës politike.
“Ju falënderoj për këtë nderim që më keni bërë dhe për emocionet që më dhuruat. Është një moment jashtëzakonisht i veçantë, kemi ardhur me deputetë të tjerë të Kuvendit të Shqipërisë me dëshirën e madhe për të forcuar komunikimin dhe bashkëpunimin me ju”, u shpreh Kryetarja e Kuvendit. Kryetarja Jozefina Topalli zhvilloi edhe një vizitë në shtëpinë muze të Nënë Terezës, e më pas Çarshinë e Vjetër të Shkupit ku ndodhet përmendorja e Skënderbeut.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›