Aksidenti me punëtorët, hetim firmës maqedonase
Specialisti maqedonas i firmës "Vatrostalina D.O.O.Skopje" që po punonte për remontin e kullës së ngrohjes në fabrikën e çimentos së Fushë-Krujës vazhdon të jetë në gjendje kritike për jetën, ndërsa kompania ku ai punonte është vënë nën hetim. Firma maqedonase e kontraktuar nga kompania që zotëron fabrikën e çimentos në Fushë-Krujë është vendosur në qendër të hetimeve të autoriteteve shqiptare për sa i përket zbatimit të masave të sigurimit teknik, ndërkohë që grupi hetimor i ngritur mbi aksidentin e rëndë nuk ka dhënë ende shkaqet që e shkaktuan atë. Në grupin hetimor të ngritur për ngjarjen e rëndë të Fushë-Krujës janë përfshirë ekspertë të fushave të ndryshme. Sipas një njoftimi të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Durrës, hetimet po drejtohen nga Prokuroria e Rrethit të Krujës dhe gjatë tyre ka rezultuar se tre prej shtetasve të dëmtuar, Ali Al Sabah, Duncan Rutherford dhe Edion Arapi janë punonjës të kompanisë "Fushë Krujë Cement Factory", ndërsa dy të tjerët, shtetasit maqedonas Besim Gashi dhe Lazer Stamenkovski janë punonjës të kompanisë "Vatrostalina D.O.O.Skopje". Këta janë dhe pesë shtetasit që janë dërguar menjëherë pas aksidentit në punë për ndihmë të specializuar mjekësore në Spitalin Ushtarak, ndërsa jordanezi Lajfi Jevernat, i plagosur lehtë është ndihmuar në spitalin lokal të Fushë-Krujës. Policia deklaroi se kur ka shkuar në vendin e ngjarjes 5 punëtorët e aksidentuar po transportoheshin për në Spitalin Ushtarak. Përveç Arapit, banues në Tiranë dhe dy shtetasit e tjerë, punonjës të fabrikës së çimentos, Al Sabah dhe Rutherford janë banorë të kryeqytetit. Dy të dëmtuarit maqedonas, mes të cilëve, njëri ende rëndë, po punonin përkohësisht në vendin tonë. Nga hetimet paraprake rezultoi se kompania "Fushë- Krujë Cement Factory" kishte kontraktuar kompaninë maqedonase "Vatrostalina D.O.O.Skopje" për të kryer remontin e kullës së ngrohjes në ciklonin nr. 5 ku ndodhi dhe aksidenti. Masat e marra nga kjo kompani në drejtim të zbatimit të rregullave të sigurimit teknik në punë të punonjësve të saj janë vënë në qendër të hetimit që po vazhdon e ka për synim përcaktimin e shkakut të këtij aksidenti.