Tentoi të përdhunonte mbesën, në gjyq
Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimet për 48-vjeçarin Kujtim Fregja. Ai akuzohet se ka tentuar të kryeje marrëdhënie seksuale me mbesën e tij, në lagjen "Allias" në kryeqytet. Incesti ka ndodhur disa muaj më parë. Hetuesit e çështjes, në bazë të denoncimit të vajzës, kanë zbardhur edhe ngjarjen, duke e marrë të pandehur Fregjën nën akuzën e marrëdhënieve seksuale me persona të pazotë për t‘u mbrojtur. Rreth muajit shtator, një vajzë 21 vjeçe, së bashku me avokatin e saj, është paraqitur në policinë e Tiranës për të bërë denoncim për një të afërmin e saj. Oficerët e policisë gjyqësore janë shtangur në momentin që 21-vjeçarja ka treguar se daja i saj kishte tentuar të kryente marrëdhënie seksuale me të. Hetuesit e policisë kanë mbajtur të dhënat përkatëse, ndërsa kanë verifikuar edhe denoncimin për personin konkret. Nga të dhënat e marra ka rezultuar se personi i dyshuar për incestin ishte Kujtim Fregja, një kontingjent krimi. Ai ishte ndaluar nga Komisariati i Policisë Nr. 3 për akuzën e grabitjes. Policia ka sqaruar incestin, teksa kanë marrë në pyetje edhe të ëmën e vajzës. Kjo e fundit ka treguar para policisë se një pasdite ka parë në banesë vëllain, Kujtim Fregja, që po tentonte të puthte vajzën e saj. Menjëherë ka ndërhyrë dhe e ka larguar nga shtëpia 48-vjeçarin dhe më pas i ka mbushur mendjen vajzës që të bënte denoncim në polici. Vajza ka pranuar të dëshmojë dhe ka treguar para oficerëve të policisë të gjitha tentativat e dajës. Hetimet e mëvonshme të prokurorisë kanë zbuluar se Fregja ka konsumuar akuzën e marrëdhënies seksuale me persona të gjinisë. Gjithashtu, ai dyshohet se në bashkëpunim me një person tjetër, kanë tentuar të vjedhin me thyerje një dyqan me artikuj ushqimorë, në rrugën "Mine Peza" Tiranë.
S.Ç.