Veteranët, Limaj po ndiqet politikisht

(E plotësuar) Shoqatat e dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë reaguar në rastin e vazhdimit të masës së arrestit shtëpiak edhe për dy muaj ndaj Fatmir Limaj dhe bashkëluftëtarëve të tij në rastin Kleçka.
“Për më shumë se një dekadë, ishim dëshmitar të dështimit total të drejtësisë ndërkombëtare në Kosovë. Administrata ndërkombëtare, përmes mekanizmave të ashtuquajtur të drejtësisë, vazhdimisht organizoi komplote kundër luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, thuhet në reagimin e OVL së UÇK-së.
Organizatat e dala nga lufta e UÇK-së, vazhdimin e arrestit shtëpiak të Fatmir Limaj dhe bashkëluftëtarëve të tjerë në rastin e ashtuquajtur Kleçka e konsiderojmë të motivuar politikisht, të pa argumentuar dhe në kundërshtim me të gjitha praktikat ligjore.
“Me këto veprime EULEX po dëshmon se nuk është këtu për të vendosur drejtësi por për të përndjekur luftëtarët e lirisë, prandaj edhe një herë ju bëjmë thirrje institucioneve vendore, që kërkesën tonë për heqjen e mandatit ekzekutiv të EULEX-it, ta marrin seriozisht”, thuhet ndër të tjera në reagimin e veteranëve./Indeksonline/ .
-------
Fatmir Limaj dhe 9 bashkëluftëtarët e tij do të qëndrojnë edhe për 2 muaj në arrest shtëpiak. Këtë vendim e mori sot gjyqtari i Eulex-it, Malkom Simmone.
“Në rastin Kleçka, gjyqtari i Eulex-it Malcom Simmons ka sjellë vendim më të cilën i ka vazhduar masën e arrestit shtëpiak Fatmir Limajt dhe 9 të tjerëve. Masa e arrestit është zgjatur për 2 muaj, deri më 18 gusht 2013”, tha për Indeksoline, avokati i Limajt, Tom Gashi. Ai tha se ky vendim është sjellë kinse për të pamundësuar ndikim në dëshmitarë, gjë që sipas tij, është pa logjikshmëri juridike. “Ekipi mbrojtës i Limajt do të vendosi për hapa të më tejmë juridik, nëse do të ankohemi apo jo”, tha Gashi.
Ndryshe, sot ka skaduar arresti shtëpiak për Fatmir Limajn dhe nëntë ish-bashkëluftëtarët e tij, të cilët janë të përfshirë në rastin “Kleçka”.
Më 7 qershor kryetari i trupit gjykues në rastin “Kleçka”, Malkom Simons, kishte marrë vendim për heqjen e masës së arrestit shtëpiak për Fatmir Limajn dhe nëntë ish-bashkëluftëtarëve të tij.
Ndërkohë që, të premten që lamë Gjykata e Apelit në Prishtinë mori vendim që Limajt e të tjerëve t’u kthehet arresti shtëpiak. /Indeksonline/