Përballja për ushqyerjen, një ushqim për revolucion
Samitet definohen nga lokacionet e tyre. Është e çuditshme që Konferenca Botërore Ekonomike e vitit 1933 u mbajt në Muzeun Gjeologjik në Kensington të Londrës, në kohën kur bashkëpunimi ndërkombëtar dukej se ishte në shkallën më të ulët. Mbi këto kritere, mbajtja e samitit të fundit të G8-s në Deauville të Francës, ku kemi një jetë të njohur për luks dhe konsum të madh, nuk ishte vendi i duhur në raport me zhvillimet e kohës.
Këtë javë, liderët e tetë vendeve më të zhvilluara të botë kanë folur për çështje interesante, por që në thelb janë periferike, sikurse ndikimi ekonomik i internetit. E çfarë është më e keqja, ata kanë folur për çështje të rëndësishme prej një këndi krejt periferik, sikur për shembull, sigurimi i ushqimit.
Çështja e ushqimit doli për herë të parë si temë kryesore në samitin e korrikut të vitit 2009 në L’Aquila të Italisë, në kohën kur kishte nisur të dështonte ai që dikur dukej si bum ekonomik. Ama atëherë doli si një uragan. Tani liderët e G8-s po bisedojnë për masat që duhet t’i marrin.
Megjithatë, çështja e ushqimit duhet të lidhet ngushtësisht me problemet që ekonomia ndërkombëtare nuk duket se është e gatshme t’i adresojë. Edhe pse duket se tani ka nisur të stabilizohet gjendja ekonomike, bashkëpunimi ndërkombëtar ekonomik është më i brishtë se në kohën e pas Luftës së Dytë Botërore.
Sigurimi i pakët i ushqimit reflekton të gjitha problemet e botës moderne që nuk ka një rend të mirëfilltë. Kërcënojnë me rritje nacionalizmat ekonomikë dhe financiarë. Kjo nxit nevojën për më shumë shkëmbim ekonomik, sepse ka ngritje të tensioneve dhe të luftërave monetare, si dhe të niveleve të proteksionizmit. Të gjithë këto çështje janë të ndërlidhura.
Diskutimi i politikës monetare është në mënyrë të veçantë përçarës. Për shkak të rënies së monedhës amerikane, shumë kompani mund të marrin hua me kamata të lira, dhe të fitojnë më shumë nga investimet e tyre në vendet në zhvillim të hovshëm.
Rezultati krijon një dilemë të pamundshme për shumë prej ekonomive më dinamike të botës. Nëse ata përpiqen të përmbysin rënien e vlerës monetare kombëtare, vetëm sa do të joshin më shumë investitorë të huaj. Por nëse do të fillojë rritja e vlerës së monedhës së tyre kombëtare, atëherë do të ketë vërshim kapitali, që do të nxiste rritje të papunësisë në vendet tyre. Bota do t’i penalizonte eksportuesit e atyre vendeve. Tregjet në shpërthim, si Kina, Brazili dhe Turqia vazhdimisht sulmojnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës për politikë monetare si burim i inflacionit, tensionit social dhe paqëndrueshmërisë politike.
Pasojë më e qartë dhe më e rrezikshme e vlerës së ulët të interesit në vendet e mëdha industriale është ndikimi i tyre në çmimet e komoditetit, që theksohet edhe më shumë në naftë dhe ushqime. Sikur e kanë thënë edhe shumë ekonomistë të tjerë, me theks të veçantë, Jeffrey Frankel, çmimet në këto tregje krijohen nga një proces i ngjashëm me stilin e aksioneve, si pasojë e të cilit çmimet e luksit reflektohen më së shumti. Por çmimet e produkteve të njohura për cilësi, nuk reflektohen në vlerën e çmimeve, pavarësisht ndryshimeve të politikave monetare.
Çmimet më të larta të ushqimeve kanë pasur një ndikim të madh në zgjerimin e zonës kushtuar kultivimit në shumë vende dhe kanë sjellë më shumë prurje në nivel botëror. Brazili, Rusia dhe Kina, por edhe Algjeria, Egjipti dhe Afrika e Jugut – në të vërtetë të gjitha vendet afrikane që kanë ruajtur qeveritë funksionuese – kanë parë rritje dramatike në prodhimin e ushqimit në dekadën e fundit.
Kjo duket të jetë një pasqyrë lumturie: bota tani është më e aftë për ta ushqyer veten. Por teprica e ushqimit ka sjellë probleme për shkak se rritjet e standardeve të jetesës janë përcjellë me tensione sociale, në mënyrë të veçantë në qendrat urbane.
Kjo është e rëndësishme ta ngulmojmë në mendje, sepse rritja e çmimeve të ushqimit gjithnjë ka qenë nxitëse e revolucioneve politike. Tri revolucionet që sollën botën moderne, në Francë, Rusi dhe Kinë, të gjitha kishin rrënjët e tyre në mungesë të ushqimit, frikën e urisë dhe belatë për çmimin e ushqimit.
Paniku i bukës që ishte përhapur në mbarë Francën në vitin 1789, dhe paaftësia e qeverisë për të garantuar furnizime në ushqim, shkatërroi regjimin antik. Luigji i Gjashtëmbëdhjetë vazhdimisht ishte quajtur ‘le boulanger’, bukëpjekësi. Inflacioni i kohës së luftës shkatërroi stabilitetin e Perandorisë ruse në vitin 1917, derisa bujqit, të shqetësuar për rënien e vlerës së monedhës së tyre, ndalën prurjet në hambarë dhe lanë qytetet të vdesin urie. Bolshevikët erdhën në pushtet me premtimin e bukës (dhe paqes). Kina po ashtu ishte në qendër të inflacionit pas Luftës së Dytë Botërore, duke u bërë vend potencial për panik të ushqimit.
Çmimet e ushqimit nuk janë zakonisht të kufizuara për vetëm një vend. Revolucione simultane shpërthyen në Evropë në vitin 1848, pas dështimit të drithërave, që sollën shumë pakënaqësi qytetare, në mënyrë të veçantë uria irlandeze. Çmimet e ushqimit kanë qenë nxitëse të mëdha të revolucioneve të këtij viti përgjatë Lindjes së Mesme dhe Afrikës së Jugut. Ani pse Tunizia dhe Egjipti ishin duke shpenzuar shumë për ushqim, njerëzit mezi ia dilnin të siguronin bukën e gojës.
Për më tepër, do të ishte gabim të shikohej ky si një fenomen rajonal i kufizuar në të ashtuquajturën Pranverë Arabe. E njëjta gjendje, e kërkesës në rritje të fshatit kundër qytetit, dhe pretendimeve të të dyve se kanë të drejtë në kërkesat e tyre, mund ta vënë në dyshim rendin politik në Kinë dhe në vendet tjera në shpërthim ekonomik.
Dekadat e fundit janë shënuar me kriza të ndryshme ekonomike që janë bartur prej një vendi në vendin tjetër. Paraja botërore tani po sjell një erë globale. Sikur se në vitin 1848, lufta për ushqim po prodhon pakënaqësi që mund të transcendentohet në kufij kombëtarë, kërcënon regjime të konsoliduara, dhe i jep flakë kërkesës popullore për më shumë sesa për një rend të zakonshëm politik.
Autori është profesor i historisë dhe i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin e Princeton-it. Komenti është shkruar për rrjetin botëror të gazetarisë, “Project Syndicate”