E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kurrikula të reja universitare për vitin akademik 2011-2012



Anilejda Shëmbitraku

Për vitin akademik 2011-2012 pritet që studentët t`u nënshtrohen kurrikulave të reja. Rektori i Universitetit Politeknik, Jorgaq Kaçani, ka deklaruar në një prononcim të dhënë për gazetën “Albania” se janë ngritur grupet e punës, të cilat do të merren me shqyrtimin e kurrikulave, duke i përshtatur ato me ciklet e reja të studimit, si për masterat shkencorë dhe për ata profesionalë. “Këtë vit ka një natyrë tjetër rishikimi i kurrikulave, pasi është detyrim ligjor. Ndryshimet e kryera në ligjin për arsimin e lartë i detyrojnë të gjitha institucionet e arsimit të lartë që të bëjnë ndryshimin e ish-diplomave të nivelit të dytë në “Master të shkencës” dhe “Master profesional”, ka theksuar Kaçani.

Botimet
Rektori i Universitetit Politeknik flet edhe për botimet që përkthehen nga pedagogët. Ai thotë se në përputhje dhe me kërkesën e kryeministrit, procesi duhet të ecë zinxhir, duhet të fillojnë përkthimet dhe ndryshimet që në sistemin parauniversitar. “Po merren të gjitha masat që të përkthehen librat fondamentalë, por kjo kërkon edhe një rishikim të të gjitha kurrikulave, jo vetëm të universiteteve, por rishikim të kurrikulave edhe të shkollës së mesme. Kjo duhet parë si një zinxhir. Pra të jepen ato njohuri matematikore në shkollën e mesme mbi bazën e të cilave të bëhen edhe këta libra që do të adaptohen ose do të përshtaten nga universitetet perëndimore”, - deklaroi Kaçani.

Ndryshimet
Ndryshimi i skemës së studimeve pasuniversitare zë fill që nga studimet e ciklit të dytë, ku përfshihen Master i Nivelit të Parë (MND) dhe Diploma e Nivelit të Dytë (DND), që bazuar në ligjin e ri të arsimit të lartë nuk do të kenë më këto emërtime, por do të shndërrohen në një program të përafërt studimi. Masteri i Nivelit të Parë (MND) është shndërruar në emërtimin thjesht “Master”, kurse Diploma e Nivelit të Dytë do të quhet diplomë universitare “Master i shkencave” në fushën e arsimit të kryer. Po ashtu, edhe Diploma e Integruar e Nivelit të Dytë (DIND) do të shndërrohet në diplomë “Master i shkencave”. Lidhur me riorganizimin e këtyre studimeve në ligjin e ri thuhet se programet e studimeve “Master” u ofrojnë të diplomuarve, me një diplomë universitare së paku “Bachelor”, arsimim dhe trajnim të mirëfilltë profesional.

Sistemi 4-vjeçar
Ndryshimet i kalojnë direkt në “Master shkencor”

Për studimet e ciklit të tretë, ku përveç Doktoraturës përfshihet edhe Masteri i Nivelit të Dytë, një program studimi jo pak i preferuar nga kandidatët që i kanë përfunduar studimet e larta me sistemin 4-vjeçar nuk do të ketë ndryshim. Sipas ndryshimeve të bëra në ligjin për arsimin e lartë, nuk do të ketë më mastera të nivelit të dytë dhe e vetmja mundësi për studentët e sistemit të vjetër që duan të vazhdojnë studimet pasuniversitare është që t`i futen rrugës së Bolonjës, pavarësisht se e kanë mbaruar fakultetin me sistemin tradicional të arsimit të lartë që ka qenë më së shumti 4-vjeçar. Kështu, në studimet e ciklit të tretë, Ministria e Arsimit ka përfshirë vetëm ato të Doktoraturës, të cilat, sipas ligjit të ri, janë programe të studimeve të ciklit të tretë, me karakter plotësisht akademik, që kanë në bazë kërkim shkencor dhe veprimtari krijuese.

Ndryshimet ligjore
1.3. Studimet e ciklit të tretë:
1.3.1. Programet e studimeve të doktoratës:
a) programet e studimeve të doktoratës janë programe të studimeve të ciklit të tretë, me karakter plotësisht akademik, që kanë në bazë kërkim shkencor dhe veprimtari krijuese;
b) në studimet e doktoratës pranohen kandidatë që kanë fituar diplomë universitare “Master i shkencave”.
c) këto programe të studimeve zgjasin të paktën 3 vite dhe përfshijnë 40 deri ne 60 kredite për studime të organizuara teorike.
ç) në përfundim të ciklit të tretë lëshohet diploma për gradën shkencore “Doktor” (Dr).
1.3.2. Programet e studimeve specializuese afatgjata:
a) programet e studimeve specializuese afatgjata janë programe të studimeve të ciklit të tretë, profesionalisht të orientuara, që ofrojnë njohuri për profesione specifike në fushat e mjekësisë, stomatologjisë, veterinarisë dhe drejtësisë. Këto programe të studimeve përfshijnë studime teorike të kombinuara me aplikime praktike dhe trajnime profesionale. Mund të përfshihen në to dhe veprimtari kërkimore, nëse nevojitet;
b) në përfundim të programeve të studimeve specializuese afatgjata lëshohet diplomë universitare specializimi në fushat e mjekësisë, veterinarisë dhe magjistraturës;
c) për kryerjen e programeve të studimeve specializuese afatgjata, studenti duhet të grumbullojë 120-240 kredite dhe zgjatja normale e këtyre programeve të studimeve është 2-4 vite.
1.3.3. Në fushën e mjekësisë, programet e studimeve të doktoratës mund të ofrohen të integruara me studimet specializuese afatgjata, sipas planit dhe programit mësimor të miratuar nga fakulteti dhe universiteti përkatës, pasi është marrë miratimi i Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës. 2. Institucionet e arsimit të lartë ofrojnë programe të studimeve të ciklit të dytë dhe të ciklit të tretë vetëm në ato fusha, ku ato përmbushin kriteret dhe standardet shtetërore, në përputhje me këtë ligj.

3. Programet e studimeve të ciklit të parë, të ciklit të dytë dhe të ciklit të tretë janë programe të studimeve universitare.
4. Institucionet e arsimit të lartë kanë të drejtë të ofrojnë edhe programe të studimeve profesionale, pas arsimit të mesëm, jouniversitare, me jo më pak se 120 kredite. Zgjatja normale e këtyre programeve është jo më pak se 2 vite akademike dhe në përfundim të tyre lëshohet diplomë profesionale “Diplomë profesionale në...”. Një pjesë e krediteve të studimeve pas arsimit të mesëm mund të transferohen në studimet e ciklit të parë, në përputhje me kriteret që vendosin IAL.
5. Në statutet e institucioneve të arsimit të lartë përcaktohen hollësi të tjera të programeve të studimeve.

17 Janar 2011

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›