E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vetëvaret babai i dy fëmijëve, i mbytur në borxhe

Vetëvaret për shkak të borxheve të shumta, babai i dy fëmijëve të vegjël. Historia e dhimbshme në familjen Emini nuk ka përfunduar këtu. Bashkëshortja dhe nëna e viktimës kanë tentuar ta fshehin të vërtetën 

TIRANE-Vetëvaret për shkak të borxheve të shumta, babai i dy fëmijëve të vegjël. Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 03.00 të mëngjesit të djeshëm, në një banesë private në zonën e Kombinatit, në periferi të Tiranës. Fatmir Emini, 38 vjeç është gjetur i vetëvarur nga bashkëshortja dhe nëna e tij, në banjën e shtëpisë. Dy gratë janë munduar t’i japin ndihmë për jetën, pa ia dalë dot mbanë, pasi ishte tejet vonë. Historia e dhimbshme në familjen Emini nuk ka përfunduar këtu. Bashkëshortja dhe nëna e viktimës kanë tentuar ta fshehin të vërtetën, duke u shprehur se Emini kishte gjetur vdekjen si pasojë e një infarkti. “Familjarët tentuan ta fshinin ngjarjen, pasi e konsideronin si turp vetëvarjen e të afërmit të tyre. Në rrugë operative mësuam se nuk bëhej fjalë për një vdekje natyrale dhe sapo mbërritëm në vendngjarje, zbuluam se Fatmir Emini ishte vetëvarur. Dukeshin qartë shenjat në qafë dhe një fakt i tillë u konfirmua dhe nga mjeko-ligjorët”, - tha një zyrtar i policisë. Burime nga radhët e bluve thanë se, nga hetimet paraprake rezulton se Emini ka ndërmarrë aktin tragjik të vetësakrifikimit për shkak se ishte mbytur në borxhe. Sipas hetuesve, në pamundësi për të kthyer paratë, Fatmir Emini ka kaluar në një gjendje depresioni të rënduar dhe si zgjidhjen e vetme për të shpëtuar ka gjetur t’i japë fund jetës. Megjithatë, hetimet për zbardhjen e ngjarjes së rëndë vazhdojnë.

(d.b/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›