E Diel, 1 Nëntor 2026

Vetëvaret emigranti, nuk siguronte dot të ardhura për familjen

Autori i Lajmit: red.
Shkodër

Mungesa e një vendi pune për të siguruar të ardhura për mbijetesë ka rënduar së tepërmi një emigrant shqiptar në Itali që t i japë fund jetës. Pak ditë pasi ishte kthyer së bashku me familjen në Shqipëri, ai ka shkruar një letër ku u lë amanet familjen të afërmve të tij dhe i ka dhënë fund jetës duke u vetëvarur në litar. “Ju kërkoj falje, por nuk e përballoj dot më jetën”, kjo ishte një nga fjalitë e shumta që 45-vjeçari kishte shkruar në një letër për familjen e tij, pak minuta para se t i jepte fund jetës. Mark Deda sapo ishte kthyer nga Italia ku jetonte si emigrant prej shumë vitesh, por edhe jeta në shtetin fqinj ku ai mendonte se do të siguronte të ardhura të mjaftueshme për familjen duket se ka qenë e papërballueshme për të duke e çuar në vetëflijim mesditën e djeshme. Ngjarja ndodhi në lagjen “Xhabije” të qytetit Shkodrës, pikërisht në vendin e quajtur “Tregu tek shumica e re”, ku është gjetur i vetëvarur me litar në një pemë dekorative, 45-vjeçari Mark Deda, lindur e banues në fshatin Ashtë, komuna Bushat, rrethi Shkodër, baba i katër fëmijëve.
“Në vendngjarje mbërriti menjëherë policia dhe nga veprimet e para hetimore të kryera, si dhe nga marrja në pyetje e familjarëve, rezultoi se 45-vjeçari, jetonte emigrant në Itali prej shumë vitesh dhe sapo ishte kthyer. I ndjeri mendohet të ketë shfaqur shenja depresive, por pa ndonjë shkak konkret (kjo e deklaruar dhe nga vetë familjarët), thanë burimet zyrtare të policisë së Shkodrës. Sipas policisë, 45-vjeçari, para se të kryente vetëvarjen, kishte lënë një letër drejtuar familjarëve të tij, ku u kërkonte ndjesë për aktin që po kryente, pasi nuk mund të përballonte më jetën. Megjithatë, policia po vazhdon ende hetimet për të zbardhur me saktësi shkaqet e këtij vetëflijimi.
Ky lajm është publikuar: 07/08/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›