E Diel, 1 Nëntor 2026

Vetevendosja Thaci te jape doreheqjen. Zgjedhje te parakohshme

Lëvizja Vetëvendosje kërkon dorëheqjen e Qeverisë së drejtuar nga kryeministri Hashim Thaçi dhe shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme. Kreu I kësaj lëvizjeje, Albin Kurti deklaroi se për cdo ditë që kjo qeveri qëndron në pushtet, qytetarët e Kosovës humbin pjesë nga pavarësia e shtetit, humbin pjesë të pasurisë publike të Kosovës, pjesë të buxhetit të Kosovës dhe pjesë të territorit të shtetit. Për këtë qëllim, tha ai, Vetëvendosja do kombinojë mjetet institucionale dhe joinstitucionale për ta detyruar largimin e Qeverisë Thaçi nga pushteti.

“Ne duam që të ndërrohen këta qeveritarë dhe të ndryshojë kjo kulturë e qeverisjes dhe hapi i parë do të ishte largimi i qeverisë aktuale e cila përmes pushtetit e ka uzurpuar gjithë shtetin e Kosovës. Ne do t’i kombinojmë mjetet institucionale dhe jashtë institucionale për këtë qëllim tonin i cili tash është edhe qëndrim zyrtar i organit më të lartë të Vetëvendosjes që të bashkohemi rreth kësaj kërkese e cila do ta bënte hapin e parë cilësor për ndryshimin e gjendjes në Kosovës”- tha Kurti.

Nënkryetari i Vetëvendosjes, Shpend Ahmeti tha se qeveri Thaci ka ardhur në pushtet me vota të vjedhura dhe proces të manipuluar, ndaj sipas tij kjo qeveri, është pa legjitimet demokratik dhe duhet të japë dorëheqje. “Këta njerëz që i kanë manipuluar zgjedhjet po i lejojmë tash të manipulojnë me milionat e buxhetit tonë, me pasurinë dhe territorin tonë dhe me të gjitha këto koncesione që po i bëjmë. Ne në çdo orë po e humbin gjasën që njëherë të jemi shtet normal”- tha Ahmeti.

Bisedimet pa kushte me Serbinë dhe pranimi i koncesioneve është njëra nga arsyet që ka shtyrë Vetëvendosjen për të kërkuar dorëheqjen e Qeverisë. Një tjetër arsye është ndërhyrja në veri dhe zmbrapsja e menjëhershme, qëndrim që sipas Vetëvendosjes i ka dërguar sinjal të qartë strukturave ilegale në veri se qeveria nuk është në gjendje t’ju kundërvihet, edhe atëherë kur rrezikohet vendi dhe siguria e qytetarëve dhe e policëve të vendit.  

Bul Salihu       Azhornuar së fundi ( e hënë , 12 shtator 2011 )

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›