E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosovë, LDK-ja akuza PDK-së për ndryshimin e historisë

Lidhja Demokratike e Kosovës ka akuzuar Qeverinë e PDK-së, se për interesa politike, i ka hyrë punës që të ndryshojë politikisht tekstet e historisë së popullit shqiptar.
 

“Qeveria e PDK-së, e njohur gjerësisht për mungesë transparence, për papërgjegjshmëri e shpërdorime në të gjitha fushat, për interesa politike, i ka hyrë punës që të ndryshojë politikisht tekstet e historisë së popullit shqiptar”, thuhet në komunikatën e Ekipit të ekspertëve të Arsimit, Shkencës dhe të Teknologjisë të LDK-së.
 

Edhe pse Qeveria e Kosovës, u përpoq ta fshehë sipas LDK-së, u mësua që ajo tanimë ka nisur veprimet politike për ndryshimin e teksteve shkollore të lëndës së historisë. Lidhja Demokratike e Kosovës vlerëson se Qeveria nuk guxon të ndërhyjë në çështje të kësaj natyre, meqë këto nuk janë çështje të politikës së ditës e as çështje të qeverive.
 

“Tekstet shkollore burojnë nga kurrikulat dhe shkruhen nga profesionistët. Vetëm në vendet totalitare qeveria ndërhyn ose përcakton se për çfarë duhet të shkruhet në tekstet shkollore e si duhet të shkruhen ato. Çdo ndërhyrje në këtë fushë, nënkupton tendencën për të shtrembëruar të vërtetën dhe për të falsifikuar faktet”, vlerëson partia më e madhe opozitare në Kosovë.
 

LDK konsideron se të gjitha diskutimet për çështje të kësaj natyre, përherë duhet të bëhen në qarqet akademike e intelektuale, sepse vetëm qarqet e tilla janë kompetente për të vlerësuar lëndën dhe gjuhën e teksteve.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›