E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aksham pazar

Vendimi për shitjen e Postës dhe Telekomit të Kosovës sërish është bërë “sebep” për akuza në adresë të Qeverisë se Kosovës. Një pjesë e opozitës këtë vendim e quan “aksham pazar” dhe të rrezikshëm për asetet me të çmueshme të Kosovës.

Edhe më larg ka shkuar organizata joqeveritare “Çohu”, për të cilën shitja e kompanive publike, shënon edhe fundin e ekonomisë kosovare.

Partia më e zëshme opozitare, AAK-ja thotë se stagnimi ekonomik në tri vitet e fundit është përcjellë me çrregullime strukturore në të gjitha segmente e ekonomisë. Në veçanti në bilancin e këmbimit tregtar me jashtë, rënien e investimeve në sektorin privat, e sidomos rënien e investimeve direkte të huaja.

Anëtari i Kryesisë së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Haki Shatri, thotë se AAK-ja në parim është përcaktuar për privatizimin e ndërmarrjeve shoqërore dhe transformimin e ndërmarrjeve publike. Mirëpo theksoi se brenga e tyre në këtë proces është vendimi i ngutshëm për privatizimin e Postë-Telekomit dhe Valës.

Gjithashtu, Shatri tha se AAK-ja është e shqetësuar edhe me trendët negativë të stabilitetit makroekonomik.

“Rritja e investimeve në sektorin publik nuk i dha efektet e pritura për shkak të keqqeverisjes, korrupsionit dhe keqmenaxhimit të parasë publike. Si pasojë, kemi rritjen e papunësisë dhe varfërisë, pra përkeqësimin e stabilitetit makroekonomik dhe rrezikimin e paqes sociale”, tha Shatri.

Sipas tij, në këto rrethana është rrezikuar stabiliteti buxhetor dhe sistemi fiskal. Për me tepër, ai thotë se prioritetet e Qeverisë nuk respektohen, veçanërisht prioritetet sektoriale për shkak të deformimeve në fazën e planifikimit, përgatitjes dhe aprovimit të buxhetit.

Ai tha se vlera e parasë publike, e cila në procesin e ekzekutimit kalon pa respektuar procedurat ligjore, arrin deri në 400 milionë euro në vit.

Sipas AAK-së, evazioni fiskal ka marrë përmasa. Ndërsa qarkullimi i pakontrolluar i mallrave në pikat doganore 1 dhe 31 në veri të vendit, ka dëmtuar buxhetin për rreth 100 milionë euro.

“Edhe këtë vit, në tremujorin e parë inkasimi i të hyrave është 25 për qind nën parashikimet e buxhetit. Vetëm dogana ka mbyllur pesëmujorin e vitit 2010 me 21 milionë euro më pak sesa parasheh buxheti”, tha Shatri, duke shtuar se këto dukuri bëjnë që FMN-ja të jetë e shqetësuar me stabilitetin buxhetor.

Nga ana tjetër, dy ditë pasi Qeveria i hapi rrugë shitjes se PTK-së, ka reaguar ashpër edhe organizata joqeveritare “Çohu”.

Privatizimi i PTK-së, sipas kësaj organizate, është duke ndodhur pa u treguar arsyeshmëria ekonomike për këtë hap. Ata akuzojnë Qeverinë se është duke bërë pazare të mbyllura rreth kompanive publike, kurse pasojat do t’i ndjejë ekonomia e Kosovës në vitet në vazhdim.

“Ky proces po kontrollohet ekskluzivisht nga kryeministri Thaçi dhe ministri i Financave, Ahmet Shala. Për këtë proces nuk njoftohen as anëtarët e kabinetit dhe asnjë institucion tjetër. Parlamentarët nuk kanë qasje në ofertat dhe kontratat e bëra në emër të kompanive publike”, thekson kreu i “Çohu”, Avni Zogiani.

Kjo organizatë, gjithashtu, kritikon Qeverinë se është shndërruar në një institucion nëpërmjet të cilit kontrabandohen kontrata të grupeve të presionit që punojnë për interesa të kompanive, që duan t’i marrin kompanitë publike në Kosovë.

“Derisa në vendet në rajon (për shembull Serbia) kanë inkasuar ose presin të inkasojnë miliarda nga shitja e shumë më pak aksioneve sesa ato në Kosovë”, ka thënë Zogiani.

Ai vlerëson se sipas Kornizës afatmesme të shpenzimeve, nga tërë procesi i privatizimit të kompanive publike, Kosova pritet të inkasojë 300-400 milionë euro.

Qeveria në mbledhjen e fundit të saj ka vendosur që 75 % e aksioneve të PTK-së t’i kalojnë investitorit, kurse 25 për qind i mban Qeveria.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›