E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Vetëvendosja” kundër bisedimeve me Serbinë

Edhe pas hyrjes në Parlament, Lëvizja “Vetëvendosje” nuk do t`i ndahet rrugës. Agjencitë kosovare të lajmeve, raportojnë se lëvizja e Albin Kurtit po planifikon protesta të rregullta në rrugë kundër bisedimeve të pritshme me Serbinë. Partitë opozitare LDK, AAK dhe “Vetëvendosja” kanë kritikuar qeverinë që ka emëruar Edita Tahirin, si kryesuese të delegacionit kosovar. Ato kanë thënë se çdo vendim për negociatat duhet të merret me konsensus në Kuvendin e Kosovës.

“Vetëvendosje” konsideron se Kosova as që duhet të nisë bisedimet me Serbinë. Më herët, Serbia deklaroi se nuk i konsideron bisedimet me Kosovën si teknike. Shefi i grupit negociator të Beogradit, Borko Stefanovic, ka deklaruar se këto nuk do të jenë vetëm bisedimet teknike duke pasur parasysh faktin që qeveria e Kosovës ka emëruar në krye të grupit negociator një zyrtare të lartë dhe të rëndësishme të saj. Ai shtoi se shpreson që bisedimet do të fillojnë në fillim të muajit mars dhe se ky takim do të ndodhë në Bruksel.
 

Beogradi është bërë gati tashmë për të nisur këtë proçes dhe sipas Stefanovic në këto bisedime do të duhej të shqyrtohen disa tema që do të jenë domethënëse për jetën e qytetarëve dhe për përmirësimin e marrëdhënieve të Prishtinës dhe Beogradit. Sipas tij, delegacioni serb do të bëjë gjithçka që është e mundur që të zgjidhë të gjitha problemet, por njëkohësisht të mos shkelë interesat kombëtare të Serbisë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›