E Diel, 1 Nëntor 2026

Vetëvendosje: Dorëheqja e qeverisë shpëton Kosovën

PRISHTINË - Deputeti i lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, duke folur rreth mundësisë së shtyrjes së zgjedhjeve presidenciale për në vitin 2013, deklaroi se për Kosovën është i domosdoshëm organizimi sa më i mirë i zgjedhjeve parlamentare.

Në një intervistë për gazetën “Epoka e Re”, Selimi theksoi se “dorëheqja e qeverisë dhe shpallja sa më e shpejtë e zgjedhjeve parlamentare shpëtojnë Kosovën”.

Më tej, Selimi shpjegoi arsyet pse Vetëvendosje nuk e ka përkrahur marrëveshjen politike të arritur mes kryetarit të PDK-së, Hashim Thaçi, atij të LDK-së, Isa Mustafa dhe presidentit të AKR-së, Behgjet Pacolli, lidhur me zhvillimin e zgjedhjeve presidenciale.

“Grupi parlamentar i lëvizjes Vetëvendosje nuk e votoi këtë marrëveshje, pra e kemi bojkotuar seancën kur është votuar kjo marrëveshje, sepse atë ditë ka ndodhur një tregti politike, të cilën e kanë bërë Thaçi, Mustafa e Pacolli”, është shprehur Selimi, duke kërkuar nga Komisioni për Reforma Kushtetuese e Zgjedhore ta kryejë punën e vet.

Ndërkaq, duke folur për idenë e shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë, deputeti i Vetëvendosje-s theksoi se askush nuk ka të drejtë të bëjë tregti me tokat shqiptare.

(er.nu/koha/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›