E Diel, 1 Nëntor 2026

Vetëvendosje bën thirrje për bllokadë, Kuçi i quan patriotë të sinqertë

Zëvendëskryeministri i Qeverisë së Kosovës, Hajredin Kuçi tha të enjten se mocioni i Vetëvendosjes i votuar në Kuvendin e Kosovës, për reciprocitet politik, ekonomik dhe diplomatik është duke u zbatuar.

Ai bërë këtë deklaratë duke iu përgjigjur paralajmërimeve të Vetëvendosjes për vënie barrikadash dhe bllokim rrugësh, në rast të moszbatimit të mocionit për reciprocitet me Serbinë.

Kuçi po ashtu pohoi se anëtarët e Vetëvendosjes, janë patriotë të sinqertë dhe se veprimet e tyre beson se do të jenë demokratike.

“Mocionin për reciprocitet politik, diplomatik dhe ekonomik jemi duke e zbatuar. Sa i përket veprimeve tjera, Lëvizja Vetëvendosje jeton në një vend demokratik dhe jam i bindur se veprimet do t’i ketë demokratike dhe ligjore, por s’kishim dashur me pa Kosovën me barrikada kurrkund, as në veri e as në jug”, tha Kuçi.

Sipas Kuçit është hera e parë që dikujt që hyn nga Serbia në Kosovë i kërkohen kushte. Ai megjithatë pohoi se e tërë kjo nuk është krejt çka ata kërkojnë, por është situatat më e mira e mundshme.

Vetëvendosja ka njoftuar se më 14 janar t’i bllokojë dy pikat kufitare me Serbinë: Dheu i Bardhë dhe Merdare. Ata kanë bërë të ditur se aty do të qëndrojnë deri sa Qeveria e Kosovës t’i kthej masat e plota të reciprocitetit ndaj Serbisë.

"Më 18 dhjetor 2011 Këshilli i Përgjithshëm i Lëvizjes VETËVENDOSJE! ka vendosur që t’i jap afat Qeverisë së Kosovës që të fillojë së zbatuari vendimin e Kuvendit në plotni duke filluar nga 1 janari i këtij viti. Ky afat tashmë ka kaluar. Sot jemi më 5 janar, dhe Qeveria e Kosovës vazhdon të zbatojë në terren marrëveshje që e zhbëjnë republikën dhe e nënshtrojnë Kosovën ndaj Serbisë. Prandaj Lëvizja VETËVENDOSJE! më 14 janar do t’i bllokojë dy pikat kufitare me Serbinë në Merdare dhe Dhe të Bardhë. Ky bllokim është në mbrojtje të vendimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Pra është në mbrojtje të Kuvendit. Moszbatimi i vendimit të Kuvendit nga Qeveria e shkatërron për së brendshmi Republikën, për shkak se e sipërvendos Qeverinë mbi Kuvendin, ekzekutivin mbi legjislativin. E sipërvendos përfaqësimin partiak e interesin partikular të reflektuar në këtë Qeveri mbi vullnetin popullor. E në Republikë, pushteti nuk sundon mbi popullin, por populli sundon e qeveria qeveris dhe ekzekuton. Republika është interesi i përgjithshëm", kane thene zyrtare te Vetevendosjes ne nje konference per media.

"Ky bllokim është në mbrojtje të prodhimit të vendit. Ky prodhim sot është i paktë dhe me pak perspektivë për shkak të uzurpimit të tregut nga Serbia. Për ato pak ditë sa vazhdoi zbatimi i reciprocitetit tregtar me Serbinë, prodhuesit e vendit filluan të marrin frymë më lirshëm. Shitjet e tyre u rritën, rrjedhimisht u rrit prodhimi, dhe për pasojë u rrit edhe numri i personave të punësuar. Pa prodhim nuk ka zhvillim as ekonomik e as shoqëror. Ky bllokim ia ndalon Serbisë ta kalojë kufirin me Kosovën. Aksioni ynë e shndërron kufirin nga një pikë kalimi siç po e trajton Serbia si vijë administrative, në një kufi shtetëror, dhe ia pamundëson Serbisë hyrjen në territorin tonë. Ne duhet ta bllokojmë Serbinë për shkak se ajo po na bllokon dhe po lufton kundër nesh çdo ditë. Nuk mund t’i normalizojmë marrëdhëniet me një shtet që nuk është normal. Serbia nuk është shtet normal karshi nesh. Lëvizja VETËVENDOSJE! i bën thirrje të gjithë qytetarëve që më datën 14 janar, në ora 13:00 të dalin në mbrojtje të Republikës dhe për mbrojtje të prodhimeve të vendit, duke bllokuar Serbinë në pikat kufitare te Dheu i Bardhë dhe Merdare. Në datën 14, SERBIA NUK KALON!", kane bere thirrje zyrtare te Vetëvendosjes.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›