Vetëvendosje i jep afat Qeverisë për zbatimin e mocionit
Në një konferencë për media të dielën, kryesuesi i Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, Ismajl Kurteshi ka bërë të ditura vendimet e marra në mbledhjen e tretë të këtij këshilli.
Ai ka thënë se nëse Qeveria deri më 1 janar nuk zbaton mocioni për ndërmarrjen e masave të reciprocitetit ndaj Serbisë, atëherë 14 janari do të jetë dita kur aktivistët e kësaj lëvizjeje do të fillojnë të bllokojnë mallrat serbe në pikat kufitare te Dheu i Bardhë dhe në Merdare.
“Këshilli i Përgjithshëm i Lëvizjes Vetëvendosjes, nё mbledhjen e vet tё tretё tё mbajtur sot, mori vendim qё ta marrë në mbrojtje vendimin e Kuvendit tё Republikës sё Kosovës, dhe nёse Qeveria e Kosovës nuk e zbaton kёtё vendim deri mё 1 janar 2012, Lёvizja Vetëvendosje do tё ndërmarrë veprime konkrete pёr ta zbatuar kёtё vendim tё Kuvendit nё çdo pikё tё tij. Kështu, nga data 14 janar 2012, aktivistët e Vetëvendosjes do tё bllokojnё mallrat e Serbisё nё pikat kufitare te Dheu i Bardhё dhe nё Merdarё” , ka thënë Kurteshi.
Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka thënë se kur kjo lëvizje do të vijë në pushtet atëherë do të ketë mundësi të marrë edhe vendime të rëndësishme në përputhje me interesat e vendit.
“Një ditë kur do të jemi në qeveri dhe do ta kemi pushtetin do t`i përdorim edhe mekanizmat e pushtetit në përputhje me interesat e Kosovës dhe vullnetin e popullit në mënyrë që kufirin me Serbinë njëherë e përgjithmonë ta bëjmë kufi ndërshtetëror ashtu qysh nuk po e bënë Qeveria e Kosovës”, ka theksuar ai.
Sipas Kurtit, Qeveria e Kosovës po përpiqet që Republikën parlamentare ta bëjë Republikë qeveritare, derisa kryeministri Thaçi me deklaratën e tij se kuvendi jep opinione, sipas Kurtit, po përpiqet të bëjë grusht-shtet.
“Kryeministri Thaçi me deklaratën e tij se kuvendi jep opinione, praktikisht ka bërë grusht-shtet. Ne jemi këtu që ta mbrojmë Kuvendin e Republikës së Kosovës si organ përfaqësues i popullit dhe i vullnetit të tij dhe si organi më i lartë politik në Kosovë”, ka potencuar Kurti.
Kreu i Vetëvendosjes me insistimin e gazetarëve në këtë konferencë ka folur edhe për vizitën e kancelares gjermane në Kosovë Angela Markel, duke thënë se kontaktet me shtetet e fuqishme janë të vlefshme, mirëpo sipas tij është me rëndësi që ndërkombëtarët të mos bëhen “mburojë e qeverisë së korruptuar”.
“Mendoj që sa më shumë kontakte me shtetet e fuqishme që na kanë njohur të parat e posaçërisht me ekonomitë e fuqishme evropiane janë gjithsesi të dobishme dhe të vlefshme, mirëpo po ashtu është e rëndësishme që faktorët ndërkombëtar të mos bëhen asnjëherë mburojë e kësaj qeverie të korruptuar karshi kritikave qytetare dhe opozitare” , ka thënë ai.
Më datën 7 dhjetor të këtij viti, Kuvendi i Republikës së Kosovës kishte miratuar mocionin e iniciuar nga Vetëvendosja që Qeveria t`i marrë masat e reciprocitetit të plotë politik, ekonomik, tregtar ndaj Serbisë. Mirëpo ky mocion nuk u konsiderua obligues nga ana e Qeveria. /kp/