"Vetëvendosje" nuk e propozon Adem Demaçin

"Vetëvendosje" është tërhequr nga ideja që të propozojë Adem Demaçin për president të Kosovës. Deputeti dhe nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka thënë të mërkurën se Demaçi nuk do të propozohet për president pasi kjo lëvizje nuk i ka votat e mjaftueshme për të propozuar kandidat të mundshëm.
Ai këto komente i bëri pas takimit që pati me Ushtruesin e Detyrës së Presidentit, Jakup Krasniqi, në kuadër të konsultave që po bën ky i fundit me krerët e partive tjera në vend për gjetjen e një zgjidhje rreth situatës së rëndë politike.
Konjufca rikonfirmoi se vendi është në gjendje të rëndë dhe duhet gjendet zgjidhje për të dalë nga kriza.
Ndërkohë, Adem Demaçi dje ka thënë se ai është i gatshëm të pranojë postin e presidentit.