E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vetëvendosje proteston për fusnotën

Ndërtesa e Qeverisë së Kosovës, sot në mesditë për katër orë me radhë do të jetë e rrethuar nga qytetarët, të cilët janë thirrur në një protestë paqësore nga Lëvizja Vetëvendosje.

Zyrtarët e këtij subjekti politik, kanë thënë se protesta ka për qëllim kundërshtimin e marrëveshjes së arritur në Bruksel, ku parashihet që Kosova në forumet dhe nismat rajonale, të përfaqësohet me fusnotë e pa emrin republikë.

Dardan Molliqaj bëri të ditur se nga të gjitha qendrat e Kosovës është organizuar transporti për qytetarët që janë të interesuar të marrin pjesë në demonstratë.

“Për katër orë rresht do ta pezullojmë plotësisht punën e kësaj qeverie që po e pezullon shtetin e Kosovës. Përgjatë kësaj kohe, do të qëndrojmë rreth e rrotull qeverisë për ta realizuar një gjë të tillë. Qëllimi i demonstratës është pezullimi i punës së qeverisë dhe asgjë tjetër”, tha Molliqaj.

Për mbajtjen e protestës, organizatorët thanë se nuk e kanë njoftuar Policinë e Kosovës, pasi që, sipas tyre, nuk është e nevojshme.
Ndërkaq, zyrtarët e Policisë së Kosovës, ka në deklaruar se për protestën e sotme të Lëvizjes Vetëvendosje, nuk është kërkuar leje në polici.

“Ne nuk kemi pranuar ndonjë kërkesë me shkrim, zyrtare, sa i përket kërkesës për leje, ashtu siç e parasheh Ligji për tubime publike. Megjithatë, ne e kemi informacionin që tashmë është publik lidhur me mbajtjen e kësaj proteste dhe i kemi bërë të gjitha përgatitjet, janë hartuar planet operacionale policore për menaxhimin e situatës së sigurisë gjatë mbajtjes së kësaj proteste”, deklaroi Sadriu. / Kosova.com

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›