Vetëvendosje publikoi kontratën me vulë dhe nënshkrime
Lëvizja Vetëvendosje të enjten ka ri-publikuar kontratën ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe kompanisë “Bechtel-Enka” për ndërtimin e autostradës Vërmicë-Merdare, me vulat dhe nënshkrimet e të dyja palëve.
Shpend Ahmeti ka thënë se posedojnë një dokument të “Eversheds”, kompani e kontraktuar nga Qeveria e Kosovës për ta konsultuar në lidhje me kontratën me “Bechtel-Enka”, sipas të cilës kontrata me konsorciumin turko-amerikan është i pafavorshëm për Kosovën.
Për dallim nga hera e kaluar, të hënën, kur Lëvizja Vetëvendosje publikoi një kopje të kontratës ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe konsorciumit “Bechtel&Enka” për ndërtimin e autostradës Vërmicë –Merdare, e cila nuk kishte nënshkrime, të enjten përfaqësues të Vetëvendosjes publikuan kontratën me vula dhe nënshkrime.
Shpend Ahmeti nga Lëvizja Vetëvendosje, ka thënë se publikimi i kontratës me nënshkrimet e zyrtarëve të Ministrisë së Transportit dhe atyre të kompanisë “Bechtel Enka” tanimë heq të gjitha dilemat se kjo kontratë nuk ishte origjinale.
“Mund të konfirmoj se sot jemi në pronësi të tri dokumenteve të reja, njëra është kontrata e nënshkruar dhe vulë e nënshkruar prej zyrtarëve të Ministrisë së Transportit, me dy vula të kompanisë “Bechtel-Enka”. Në këtë moment jemi duke analizuar këtë kontratë që ta shohim se sa është në përputhshmëri me draftin, të cilin e kemi publikuar më herët. Nuk ka përfunduar kjo analizë, por deri tash asnjë dallim, asnjë shkronjë s’e kemi gjetur. Ne besojmë që edhe drafti që e kemi pasur ka qenë drafti final”, ka thënë Ahmeti, duke shtuar se publikimi i këtij dokumenti shuan dilemat se kjo kontratë nuk ishte origjinale.
Sipas Ahmetit publikimi me nënshkrime dhe vulë i kësaj kontrate është bërë ngase zyrtarët qeveritarë e kanë kontestuar dokumentin e parë të publikuar se nuk ishte origjinali dhe ishte pa nënshkrime.
Gjithashtu ai ka bërë të ditur se ky dokument përmban vulën e Ministrisë së Transportit dhe nënshkrimin e ish-sekretarit të MTPT-së, Nexhat Krasniqi.
Në të njëjtën kohë, Vetëvendosje ka publikuar edhe një dokument tjetër të kompanisë “Eversheds”, e cila ishte kontraktuar nga qeveria për të dhënë vlerësime për ofertuesit e ndërtimit të autostradës.
Sipas Ahmetit, kompania që ishte paguar mbi 1 milion euro kishte rekomanduar që të mos kontraktohet me kompaninë “Bechtel-Enka”, pasi “ishte e pafavorshme për Qeverinë e Kosovës”.
“U përmend sot nga kryeministri, kompania “Eversheds”, e cila ka qenë e kontraktuar nga Qeveria e Kosovës për ta konsultuar apo për ta këshilluar Qeverinë e Kosovës në lidhje me kontratën e “Bechtel Enka”. Kemi në pronësi një dokument që vjen nga “Eversheds” ku kjo kompani thotë se kontrata është e pafavorshme për Qeverinë e Kosovës dhe nuk duhet të nënshkruhet. Prandaj, kjo nuk është e nënshkruar, por këto janë këshillat të cilat i ka bërë kompania “Eversheds”, të cilën e kemi paguar më shumë se 1 milionë euro që të na këshillojë për këtë kontratë dhe nuk e kemi dëgjuar”, ka thënë Ahmeti.
Ndërsa lidhur me deklarimet e kryeministrit të Kosovës Hashim Thaçi në Kuvendin e Kosovës se publikimi i kontratës nga Vetëvendosja nuk ishte origjinale dhe se i mungonin nënshkrimet, Ahmeti i ka quajtur si argumente koti.
“Ato argumentime tërë kohën të kryeministrit Thaçi, se gjoja këto po bëhen për arsye politike, natyrisht se po bëhen për arsye politike. Ne në politikë kemi hyrë për ta ndryshuar politikën kosovare. Natyrisht, se do t’i qesim ato gjëra, të cilat mendojmë se janë në interes të qytetarit të Kosovës dhe të votuesve të Kosovës për t’i treguar se si po shpenzohen paratë e tyre”, është shprehur Ahmeti.
Për më tepër, ai tha se gjatë ditëve në vijim do të publikojnë edhe dokumente të tjera, ndërkohë që Vetëvendosje do të kërkojë nga Qeveria e Kosovës debat parlamentar për këtë çështje.
Lëvizja Vetëvendosje të hënën e kaluar bëri publike një kopje të kontratës ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe konsorciumit “Bechtel&Enka” për ndërtimin e autostradës Vërmicë -Merdare. Albin Kurtit dhe Visar Ymerit kjo kontratë prej 103 faqesh në gjuhën angleze u ka shkuar me postë në adresat e shtëpive nga persona të panjohur.
Sipas përfaqësuesve të Vetëvendosjes në kontratë është specifikuar në mënyrë fikse çmimi prej 659 milionë e 813 mijë e 400 euro e 39 centë, por ndërkohë në brendësi të kontratës nuk përfshihet asnjë çmim fiks.
Ministri i Infrastrukturës, Fehmi Mujota, ka reaguar ndaj Lëvizjes Vetëvendosje, duke i quajtur veprimet e kësaj lëvizjeje “aventura politike”, ndërsa kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi ka thënë se kontrata e zbuluar nga Vetëvendosja nuk është dokumenti final dhe se ky është projekti më madhor në historinë e Kosovës. /kosovapress/