Arrestohen 6 të dyshuar për dhënie të patentë shoferëve
Drejtoria për hetimin e krimeve ekonomike dhe korrupsionit të enjten ka prangosur 6 persona të dyshuar për kryerje të veprave penale si krim të organizuar, marrje ryshfeti, dhënie ryshfeti, mashtrim, shpërdorim i detyrës zyrtare ose autorizimit dhe përvetësim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare.
Arrestimi ka ardhur pas marrjes së informatave se zyrtarët e disa auto-shkollave në rajonin e Prizrenit, falsifikonin dokumente zyrtare, të cilat shërbejnë për procedurën e pajisjes së kandidatëve me patentë shofer.
Bazuar në faktet e gjetura dhe me urdhër të prokurorit si të dyshuar të përfshirë në këto vepra penale janë arrestuar Pjetër B. (1963),Ruzhdi Th. (1976), Muharrem A. (1974), Ramadan P. (1962), Idriz G. (1962) dhe Jetmir B. (1982).
Ata dyshohet se në bashkëveprim me njëri-tjetrin, merrnin para të gatshme në shuma të ndryshme deri në 850 euro për një kandidat, për t’i kaluar në testet me shkrim dhe në vozitje për patentë shofer pa përfill procedurat zyrtare.
Gjatë hetimeve janë siguruar prova të mjaftueshme se të dyshuarit në bashkëpunim me persona zyrtarë, gjatë fazës së testimit të kandidatëve kanë futur persona të tjerë me identitet të rrejshëm duke përdorur dokumentet identifikuese të kandidateve (letërnjoftime), me qëllim që t’i kalojnë kandidatët pa qenë prezent në testime, duke përfituar shuma të ndryshme parash.
Gjithashtu gjatë fazës së testimeve të dyshuarit i pajisnin kandidatët me pajisje të ndryshme teknologjike si telefona celular, dëgjuese ne vesh, ku me anë të këtyre pajisjeve ia mundësonin dhënien e provimeve.
Po ashtu, ka fakte se të dyshuarit i kanë pajisur me patentë shofer edhe kandidatë, të cilët nuk dinë shkrim-lexim dhe i kanë pajisur me certifikata të mjekut dhe kryqit të kuq pa qenë fare prezent kandidatët.
Në konsultim me Prokurorin Publik të Qarkut në Prizren të dyshuarve iu është caktuar masa e ndalimit policor prej 48 orësh.
Hetimet lidhur me rastin janë duke vazhduar nga njësiti i krimeve ekonomike Prizren, ku janë duke u intervistuar personat e dyshuar, të cilët në bashkëpunim kanë kryer këto vepra penale.